Dokumentet e CIA-s: Evropa s’donte që Turqia të bëhej anëtare e plotë e NATO-s

Raportet e publikuara të CIA-s zbulojnë se në vitin 1950, në vend të anëtarësimit të Turqisë në NATO, është arritur marrëveshje që ajo të ftohet vetëm në takimet e planifikimit ushtarak të NATO-s për mbrojtjen e Mesdheut...

Dokumentet e CIA-s: Evropa s’donte që Turqia të bëhej anëtare e plotë e NATO-s

Dokumentet sekrete të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në SHBA, tashmë të publikuara në internet, zbulojnë se në vitin 1950, në vend të anëtarësimit të Turqisë në NATO, është arritur marrëveshje që ajo të ftohet vetëm në takimet e planifikimit ushtarak të NATO-s për mbrojtjen e Mesdheut.

Një raport i CIA-s, vulosur si “Top Secret” më datë 22 shtator 1950, tërheq vëmendje se shtetet e Evropës ishin kundër zgjerimit gjeografik të NATO-s, edhe pse kanë qenë në dijeni të pafuqisë së tyre ushtarake.

Sipas raportit në fjalë, disa shtete të Evropës kanë rënë dakord mes tyre që në vend të anëtarësimit të plotë të Turqisë dhe Greqisë, këto dy shtete të ftoheshin vetëm në takimet e planifikimit ushtarak të NATO-s për mbrojtjen e krahut të Mesdheut.

Kurse në poshtëshënimin e titulluar “Zhvillimet në Kore”, theksohet se Turqia do të dëshpërohet për arsye se nuk ka mundur të hyjë në NATO pas Luftës së Koresë. Mes rreshtave thuhet po ashtu se “gjasat që të ketë ndryshim permanent dhe të rëndësishëm në qëndrimin e Turqisë kundrejt Perëndimit janë të vogla”.

Më tej, në raport i jepet vend edhe supozimit se partia e atëhershme opozitare në Turqi, CHP, mund ta përdorë për propagandë refuzimin e anëtarësimit të Turqisë në NATO.

“Megjithatë, nëse bëhet rregullisht reklamë se Turqia do të mund të marrë pjesë në takimet ushtarake të NATO-s, atëherë qeveria aktuale mund të shpëtojë nga kjo punë pa i dhënë goditje vdekjeprurëse reputacionit të saj”, thuhet në shënimet e inteligjencës amerikane.

Në vitin 1949, Turqi njoftoi aspiratën e saj për të qenë anëtare e NATO-s, ndërkohë që në vitin 1950, gjatë qeverisjes së Adnan Menderesit, kishte dërguar ushtarë në Luftën e Koresë nën komandën e Kombeve të Bashkuara, pas një vendimi të Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë. 

Anëtarësimi i Turqisë dhe i Greqisë në NATO u miratuar në tetor të vitit 1951. Turqia u bë zyrtarisht anëtare e NATO-s më 18 shkurt 1952.



Lajme të ngjashme