Analizë/Aktualitet – Përse është i nevojshëm sistemi presidencial në Turqi?

Analizë nga prof. dr. Haci Mustafa Eravci në lidhje me pluset dhe minuset e sistemeve qeverisëse parlamentare e presidenciale, si dhe me arsyen përse është i nevojshëm aplikimi i sistemit presidencial në Turqi...

Analizë/Aktualitet – Përse është i nevojshëm sistemi presidencial në Turqi?
Sistemi presidencial turk
Sistemi presidencial turk

Njihuni me ndryshimet kryesore, që do të sjellë sistemi presidencial në Turqi me reformën e fundit kushtetuese. 

Për t’i dhënë një përgjigje bindëse kësaj pyetjeje, e cila përbën edhe titullin e artikullit të sotëm, duhet fillimisht të kuptohet mirë sistemi presidencial. Që kjo mënyrë qeverisjeje të perceptohet në mënyrë të drejtë, është domosdoshmëri që ajo të krahasohet me sistemin parlamentar dhe të nxirren sheshit dobitë dhe të metat e të dyja sistemeve qeverisëse. Ajo çfarë duam të bëjmë në këtë shkrim është pikërisht kjo; pra, krahasimi i dy regjimeve në aspektin e avantazheve dhe defekteve të secilit prej tyre. Sistemi presidencial, ndryshe nga ai parlamentar, ka dalë në pah si rezultat i nevojës për një ekzekutiv të fuqishëm. Kjo strukturë emërtohet ndryshe edhe si regjimi i ndarjes së ngurtë të pushteteve. Arsyet pse emërtohet kështu janë disa: Së pari, kreu i sovranit (popullit) nuk del nga parlamenti, por zgjidhjet drejtpërsëdrejti nga populli. Së dyti, presidenti dhe anëtarët e tjerë të Pushtetit Ekzekutiv nuk mund të marrin pjesë në mënyrë efektive në punimet e kuvendit. Dhe së treti, Pushteti Legjislativ dhe Ekzekutivi janë të pavarur nga njëri-tjetri për sa i takon vijimësisë së burimeve dhe prezencës së tyre. Prandaj regjimi me një krye, pra, ai presidencial, është sistemi që realizon më mirë teorinë e ndarjes së pushteteve. Njëherësh, përveçse një regjim i ndarjes së ngurtë të pushteteve, ky është një sistem qeverisës, i cili u mundëson pushteteve të kontrollojnë dhe ekuilibrojnë njëri-tjetrin.

Rrjedhimisht, meqenëse Pushteti Ekzekutiv në sistemin presidencial gëzon mbështetjen direkte të popullit, ai vlerësohet më dominues nga regjimet e tjera për të ndërtuar një qeverisje të fuqishme dhe më demokratike. Duke qenë se në këtë regjim Ekzekutivi ka një strukturë të centralizuar, ai rezulton një sistem politik dinamik, i aftë të mobilizohet shumë lehtësisht dhe me kapacitet për të prodhuar zgjidhje më të shpejta dhe më efektive në krahasim me atë parlamentar, i cili ka jo vetëm struktura shtetërore të rënda e statike, por edhe rezistencën e burokracisë. Sistemi presidencial është gjithashtu më dominues sesa ai parlamentar në aspektin e stabilitetit dhe funksionalitetit. Megjithatë sistemi presidencial ka edhe disa të meta: Bart potencialin për krizë ndërmjet Legjislativit dhe Ekzekutivit, është më i ngurtë dhe mund të përvetësojë pushtetin. Nga ana tjetër, një avantazh i sistemit parlamentar kundrejt atij presidencial është elasticiteti i tij, pra, mundësia për të shkaktuar polarizime është më e vogël.

Trajtuar në këndvështrimin historik, populli turk në 60 vitet e fundit të republikës ka dëshmuar me dhjetëra herë “dhimbjet” e sistemit parlamentar. Krizat ekonomike dhe puçet ushtarake, të cilat janë shkaktuar si pasojë e qeverive të koalicionit dhe paqëndrueshmërisë së prodhuar prej tyre, nuk janë fshirë nga kujtesa e thellë e këtij populli. Prandaj termi “stabilitet politik” është bërë një koncept vazhdimisht i theksuar në historinë politike turke. Në të vërtetë, ndryshimi kushtetues i vitit 2007 për zgjedhjen e presidentit drejtpërsëdrejti nga populli është një pikë kthese e rëndësishme për të ndërtuar një mënyrë të re qeverisjeje. Sepse, për shkak të situatave aksidentale të lartpërmendura, praktika e sistemit qeverisës të Turqisë ka devijuar dukshëm nga origjinaliteti i parlamentarizmit duke filluar nga ajo datë. Aq sa, sipas disa politologëve, regjimi qeverisës në Turqi është transformuar në sistem gjysmëpresidencial madje dhe me gjendjen aktuale.

Pluset dhe minuset e sistemit presidencial për Turqinë mund t’i diskutojmë gjatë e gjerë, madje dhe duhet të trajtohen më tepër gjatë këtyre ditëve. Mirëpo edhe pa llogaritur fare pluset dhe minuset e tij, ne lehtësisht mund të themi se sistemi presidencial nuk do të shkaktojë ndonjë papajtueshmëri të gjakut (inkompatibiliteti i rezusit) për Turqinë. Populli dhe shteti i Turqisë mund të adaptohen shumë më shpejt me këtë regjim, sesa me sistemin parlamentar. Ndërkohë, populli turk është mësuar plotësisht tashmë me kompetencat presidenciale, që Kushtetuta e 1982-shit i jep kreut të shtetit. Megjithatë kreu i shtetit me kompetenca gati-presidenciale në Turqi nuk ka fuqi politikëbërëse; e njëjta gjë vlen pak a shumë edhe për kryeministrin, i cili ka një aritmetikë parlamentare të fuqishme. Mjafton ta shikojmë çështjen vetëm në këtë suazë dhe tranzicioni në sistemin presidencial apo në regjimin me kryetar shteti partiak do të nënkuptonte transformimin e situatës faktike në status ligjor. Thënë ndryshe, nëse do të kalojë në zbatimin e sistemit presidencial, Turqia nuk do të përvetësojë një regjim qeverisës krejtësisht të huaj, por një të tillë që aktualisht praktikohet në shumë drejtime.

Përgjigjja e pyetjes se cili është sistemi qeverisës më i përshtatshëm për Turqinë duhet menduar në kontekstin e dobive dhe kostove. Zgjedhjet politike duhet të vlerësohen duke marrë parasysh shanset dhe kërcënimet, anët e forta dhe ato të dobëta të çdonjërës prej tyre. Sistemi parlamentar dhe ai presidencial kanë avantazhet (shanset) dhe kërcënimet (defektet) e tyre karakteristike. Për shembull; sistemi presidencial është më dominues sesa ai parlamentar në aspektin e stabilitetit, kurse një avantazh i sistemit parlamentar kundrejt atij presidencial është elasticiteti i tij, pra, nuk shkakton polarizime. Turqia po kacafytet me probleme shumë të ndërlikuara dhe urgjente në politikën e brendshme dhe atë të jashtme. Prandaj, krahasuar në aspektin e dobive dhe kostove, sistemi presidencial garanton një vendimmarrje më të shpejtë në politikën e brendshme dhe atë të jashtme duke mundësuar një bazë mjaft solide për të përforcuar efikasitetin, influencën dhe fuqinë e Turqisë. Sistemi presidencial, gjithashtu më adapt me demokracinë për sa i takon llogaridhënies dhe shumë drejtimeve të tjera, mund të kontribuojë pozitivisht jo vetëm në zgjidhjen e nyjave gordiane, të cilat kanë shkaktuar jo pak herë në historinë politike të Turqisë përplasjen e Legjislativit me Ekzekutivin dhe bllokimin e qeverisë, por edhe në frenimin dhe ekuilibrimin e pushteteve me njëri-tjetrin.

Përfundimisht, sistemi presidencial ka potencial të mjaftueshëm për t’u ofruar zgjidhje problemeve ekonomike, sociale dhe politike bazë, me të cilat Turqia ballafaqohet që prej 80 e kusur vitesh. Është e domosdoshme që sistemit presidencial t’i jepet shansi për të zgjidhur këto probleme të shtresëzuara në procesin parlamentar. Nga kjo do të varet hapja e rrugës së Turqisë në çdo aspekt.

 

Autor: Prof. dr. Haci Mustafa Eravci

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme