Zv/kryeministri turk: Sulmi terrorist në Stamboll, mashë e luftërave të deleguara

“Duket ashiqare që kemi të bëjmë me një operacion të kryer nga një mashë, e cila shfrytëzohet si një pjesë e luftërave të deleguara”, deklaroi zv/kryeministri turk, Numan Kurtulmus, në lidhje me sulmin terrorist të dyfishtë në Stamboll...

629393
Zv/kryeministri turk: Sulmi terrorist në Stamboll, mashë e luftërave të deleguara

Zv/kryeministri dhe zëdhënësi i ekzekutivit turk, Numan Kurtulmus, deklaroi se mesazhet e solidaritetit, të cilat i erdhën Turqisë nga bota pas sulmit terrorist të dyfishtë mbrëmjen e të shtunës në Stamboll, janë pozitive, por njëherësh të pamjaftueshme.

Numan Kurtulmus informoi gazetarët dhe iu përgjigj pyetjeve të tyre të hënën në darkë gjatë një konference shtypi në Pallatin “Çankaya”, ndërkohë që në të njëjtat ambiente vijonte edhe mbledhja e Këshillit të Ministrave nën drejtimin e Kryeministrit Binali Yildirim.

Ai theksoi se në mbledhjen e kabinetit qeveritar janë rishikuar aktivitetet e realizuara pas sulmit terrorist të dyfishtë në Stamboll dhe janë marrë në shqyrtim ato se çfarë do të bëhen këtej e tutje në lidhje me luftën kundër terrorizmit.

Kurtulmus tërhoqi vëmendjen se ky sulm terrorist, i cili u kuptua menjëherë se është kryer nga anëtarë të organizatës separatiste e terroriste PKK, ka demonstruar edhe një tjetër herë se Turqia është një vend objektiv i politikës së terrorizmit ndërkombëtar.

Zëdhënësi i qeverisë turke vuri në pah se Turqia ka qenë edhe më parë në shënjestër të kësisoj sulmeve të PKK-së, DAESH-it dhe organizatave terroriste të tjera.

“Ata, që shpërthyen bombat mbrëmjen e të shtunës, ndoshta ishin me të vërtetë elementë brenda një organizate terroriste; por, nëse e shikojmë në tërësi ngjarjen e atjeshme, duket ashiqare që kemi të bëjmë me një operacion të kryer nga një mashë, e cila shfrytëzohet si një pjesë e luftërave të deleguara”, u shpreh ai.

Zv/kryeministri turk nënvizoi se do të kërkojnë llogari deri në fund për sulmet terroriste në vendin e tij dhe vijoi me këto fjalë: “Qëllimi i organizatave të tilla është të mbjellin frikë, panik dhe dëshpërim në masë. Së pari, për sa kohë që ne do të vazhdojmë të shfaqim këtë qëndrim kombëtar të përbashkët, të gjithë le ta dinë që ne s’do të dorëzohemi ndonjëherë përballë kësaj politike, e cila përpiqet të frikësojë dhe dëshpërojë njerëzit. Kurrë s’do të mësohemi me terrorin dhe nuk do të biem në gjunjë përballë tij si komb e popull. Së dyti, kjo përpjekje dhe kjo luftë kundër terrorizmit do të fitohet përfundimisht nga kombi dhe populli ynë. Ne do t’i eliminojmë të gjitha organizatat terroriste nga ky vend, do t’i neutralizojmë ato, do t’i bëjmë këto masha krejtësisht të papërdorshme e jofunksionale.”

Pas sulmeve terroriste – shtoi ai – duam të shohim që në çastin e parë se kush janë miqtë apo armiqtë tanë.

“Më duhet të them se mesazhet e solidaritetit, të cilat na janë dërguar gjatë këtyre ditëve, i vlerësojmë pozitive, por edhe të nënvizoj se ato nuk janë të mjaftueshme. Këtej e në vijim, miqtë tanë në ato vende, të cilat kanë dërguar mesazhe solidarizimi, duhet të vazhdojnë me sinqeritet një partneritet transparent me Turqinë në luftën kundër terrorizmit”, sqaroi zv/kryeministri turk në lidhje me mesazhet ndërkombëtare të solidaritetit.

Duke dhënë si shembull aktivitetet e PKK-së në shtetet evropiane, Numan Kurtulmus potencoi se kërkojnë të shohin një qëndrim, i cili do të kufizonte apo të ndalonte plotësisht aktivitetet e kësaj organizate terroriste në Evropë.

Pasi rikujtoi se PYD-ja dhe YPG-ja janë organizata terroriste dhe megjithatë ka ende nga ata, që thonë me këmbëngulje se ato bëjnë pjesë në koalicionin, i cili lufton kundër DAESH-it në Siri dhe Irak; zëdhënësi i Ankarasë zyrtare tërhoqi vëmendjen se sulmi terrorist i dyfishtë në Stamboll shpalosi edhe një tjetër herë realitetin që ndërmjet PYD-së, YPG-së dhe PKK-së nuk ka asnjë dallim.

“Në këtë aspekt, të gjithë janë të vetëdijshëm se një sasi mjaft serioze e armëve dhe municioneve, të cilat ndoshta u jepen këtyre organizatave nga atje (vendet perëndimore – shënim i përkthyesit), bien në duart e PKK-së”, përfundoi zv/kryeministri Kurtulmus.



Lajme të ngjashme