Eker për BBC: Turqia respekton integritetin territorial të vendeve fqinje

Zv/kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK) në pushtet, Mehdi Eker, deklaroi mbrëmjen e të martës se Turqia është e kënaqur me kufijtë e saj aktualë dhe respekton integritetin territorial të vendeve fqinje...

Eker për BBC: Turqia respekton integritetin territorial të vendeve fqinje

Zv/kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK) në pushtet, Mehdi Eker, deklaroi mbrëmjen e të martës se Turqia është e kënaqur me kufijtë e saj aktualë dhe respekton integritetin territorial të vendeve fqinje.

Në kryeqytetin Londër të Britanisë së Madhe për një sërë kontaktesh me përfaqësues të shoqërisë civile, të institucioneve të mendimit (think tank), të forcave politike dhe të qeverisë, Mehdi Eker ishte i ftuar special në debatin televiziv “Newsnight”, që transmetohet në kanalin shtetëror britanik “BBC Two”.

I pyetur “nëse Turqia i pranon si të qëndrueshëm kufijtë e saj të sotëm për një të ardhme të parashikueshme”, në kontekstin e operacionit për çlirimin e Mosulit në Irak, nënkryetari i Partisë AK u përgjigj me këto fjalë: “Ne jemi të kënaqur me kufijtë tanë. Kemi respekt të madh për integritetin territorial të vendeve fqinje. Në rajon, në Siri dhe në Irak jemi duke luftuar kundër DAESH-it.”

Më tej, në përgjigje të një pyetjeje mbi vlerësimet e Presidentit Recep Tayyip Erdogan duke aluduar me Traktatin e Lozanës, Eker theksoi se kreu i shtetit turk nuk i referohet vetë paktit të nënshkruar në Lozanë të Zvicrës, por rrethanave historike të periudhës kur është firmosur ai.

“Çështja reale, me të cilën po ballafaqohemi sot, është terrorizmi, DAESH-i, PKK-ja dhe organizata terroriste guleniste (FETO), e cila tentoi të bëjë grushtin e shtetit më të përgjakshëm të historisë sonë të afërt dhe aktuale. Ne po luftojmë kundër të gjitha këtyre së bashku. Ushtria turke është sot më e gatshme se kurrë që bëhet pjesë e një koalicioni, që lufton kundër DAESH-it”, siguroi numri 2 i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim.

Sa i takon pranisë ushtarake turke në qytezën irakiane të Bashikas, Mehdi Eker sqaroi se Turqia ka shkuar në atë zonë për të mbështetur qeverisjen rajonale në veri të Irakut duke trajnuar forcat peshmerge, të cilat luftojnë kundër organizatës terroriste DAESH.

“Deri tani janë trajnuar mbi 3 mijë e 500 trupa, që luftojnë aktivisht kundër DAESH-it. Prandaj ne jemi të pranishëm atje. Kjo është një çështje që ka të bëjë gjithashtu me sigurinë tonë kombëtare”, vlerësoi ai.

Në fund, Eker rikujtoi se aktualisht në Irak ka forca ushtarake të së paku 60 shteteve dhe nënvizoi se Kampi Bashika i Turqisë është ngritur me dijeni e pëlqim të qeverisë qendrore në Bagdad dhe të administratës rajonale kurde në veri të Irakut.



Lajme të ngjashme