“Bloomberg News”, intervistë ekskluzive 360 gradë me Presidentin Erdogan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, realizoi të premten një intervistë ekskluzive gjithëpërfshirëse me kryeredaktorin e “Bloomberg News”, John Micklethwait...

575854
“Bloomberg News”, intervistë ekskluzive 360 gradë me Presidentin Erdogan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të premten se nuk është e drejtë që një organizatë terroriste të luftohet duke mbështetur një tjetër organizatë terroriste.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për sesionin 71. të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Presidenti Erdogan priti në takim biznesmenin dhe filantropin Michael Bloomberg, ish-kryetar i Bashkisë së Nju-Jorkut dhe pronar i kanalit televiziv ekonomik që mban mbiemrin e tij, si dhe realizoi një intervistë me kryeredaktorin e “Bloomberg News”, John Micklethwait.

Gjatë kësaj interviste, kreu i shtetit turk u përqendrua veçanërisht mbi çështjen e Sirisë.

“As SHBA-ja dhe as Rusia nuk janë më afër se ne me Sirinë. Ne kemi një vijë kufitare prej 911 km me Sirinë. Nënshtetasit tanë në disa qytete e fshatra përgjatë kufirit kanë lidhje farefisnore me popullin sirian, që jeton në zonën kufitare me Turqinë. Megjithatë Siria tani ndodhet në një situatë të trazuar. Mos vallë vetëm Siria? Sigurisht që jo, po ashtu edhe Iraku. E çfarë thuhet? Thuhet se duhet eliminuar DAESH-i. Si do ta eliminojmë? Po të dëgjojmë Amerikën, thotë se do ta eliminojë me PYD-në dhe me YPG-në. Kurse ne themi se ‘edhe këto janë një organizatë terroriste’. Vallë a mund të eliminohet një organizatë terroriste me një tjetër organizatë terroriste?”, u shpreh ai.

Po bëhen gabime – vijoi lideri turk – sepse ju po i fuqizoni këta elementë kërcënues duke u dhënë armë atyre.

“Pas sulmit kamikaz me bombë në Gaziantep, ne vendosëm të hyjmë në veri të Sirisë. Hymë në Jarabulus bashkë me opozitarët dhe tani po përparojmë drejt qytetit Al-Bab. Zona në fjalë duhet pastruar dhe ne këtë do ta bëjmë pa marrë parasysh nëse miqtë tanë e kuptojnë apo jo”, shtoi Erdogan.

Më tej, ai u pyet rreth kandidatit që mbështet në zgjedhjet presidenciale të muajit nëntor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Unë respektoj vullnetin e popullit amerikan, por nuk mund të shpreh mbështetje tani. Vlerësimin në lidhje me këtë e bëjmë pas zgjedhjeve. Kam 14 vite në detyrë dhe as që mund të bëhet fjalë për një shkëputje tonën me SHBA-në, pasi vazhdimësia është esenciale në politikë”, tha Presidenti i Republikës së Turqisë.

Erdogan iu përgjigj edhe kritikëve ndaj procesit gjyqësor, që ka nisur në Turqi kundër përkrahësve të terrorizmit.

“Kur në SHBA një gazetar apo korrespondent merret brenda (ndalohet apo arrestohet – shënim i përkthyesit), unë nuk mund të fajësojë SHBA-në. Ky është një vendim gjyqësor. Mos vallë gazetarët kanë imunitet dhe s’mund të kryejnë krime? Kurrsesi, edhe ata mund të bëjnë krime. Nëse mbështesin tentativën për grusht shteti, atëherë duhet të japin llogari dhe të paguajnë për këtë. Kur politikani bën krim, ai jep llogari dhe paguan koston”, sqaroi ai.

Në vijim të intervistës me kryeredaktorin e “Bloomberg News”, John Micklethwait, Presidenti Erdogan foli edhe për ekonominë turke duke nënvizuar se ajo vazhdon të rritet.

“Edhe pse rritja ekonomike nuk është në nivelin e dëshiruar për shkak se jemi fokusuar në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë, ne kapën shkallën 3,8% pas tentativës për grusht shteti. Turqia vazhdon të regjistrojë rritje ekonomike që prej 29 tremujorësh. Nivelin e rritjes ekonomike turke nuk e kanë as vendet, që thonë ‘unë’. Nëse lira turke vijon të ruajë vlerën e saj, atëherë edhe ekonomia e Turqisë do të vazhdojë të rritet”, tha Erdogan.

Ai gjithashtu theksoi se agjencitë ndërkombëtare të klasifikimit kreditor bëjnë vlerësime politike në lidhje me Turqinë.

“Kjo është jashtëzakonisht e gabuar. Rezervat në valutë të Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë (TCMB) janë 123 miliardë dollarë. Ne shpresojmë që këto të rriten edhe më shumë. Agjencitë ndërkombëtare të klasifikimit kreditor bëjnë deklarata politike. Japin nota të larta për vendet ekonomikisht të rrënuara dhe ngrijnë apo përpiqen të ulin sadopak vlerësimin për shtetet solide. Ato nuk duhet të veprojnë kurrsesi politikisht, por duhet të deklarojnë atë që duhet. I ftoj ato në sinqeritet. E përsëris edhe një tjetër herë: Shikoni ekonomitë e shkatërruara, ato i vlerësojnë lartë; ndërsa Turqinë e ngrijnë edhe pse nuk ka probleme. Kjo nuk është as e drejtë dhe as e sinqertë. Megjithatë ekonomia turke është mjaft e fuqishme pavarësisht sesa të sinqertë mund të jeni ju”, saktësoi Presidenti Erdogan.

Sa i takon pyetjes në lidhje me uljet e normave të interesit nga Banka Qendrore e Republikës së Turqisë, Erdogan ka tërhequr vëmendjen se vendimin në fjalë e shikon si një ulje të qëndrueshme, të kujdesshme dhe se ky është një sinjal i rëndësishëm kryesisht për investirorët.

“Uroj që edhe bankat e tjera të vendit t’i kushtojnë rëndësi e vëmendje këtij sinjali të Bankës Qendrore dhe të hapet rruga për investitorët”, përfundoi kreu i shtetit turk.



Lajme të ngjashme