Koment – Vrulli i investimeve në Lindje dhe Juglindje të Turqisë

Analizë nga as. prof. dr. Huseyin Karamelikli, në lidhje me vrullin e investimeve në zonat lindore dhe juglindore të Turqisë, si një ndër detajet e projekteve të zhvillimit rajonal në vend...

Koment – Vrulli i investimeve në Lindje dhe Juglindje të Turqisë

Siç theksuam edhe në analizën e javës së kaluar, garantimi i zhvillimit ekonomik si një i tërë është një çështje e rëndësishme për ndërtimin e një ekonomie të shëndoshë jo vetëm në këndvështrimin e vendeve në zhvillim, por edhe në atë të shteteve të industrializuara. Përqendrimi i sektorit të prodhimit në zona të caktuara të një shteti dëmton zhvillimin e baraspeshuar të ekonomisë. Në veçanti, emigracioni në kërkim të punës nga krahinat e tjera të vendit drejt zonave të investimeve shkakton jo vetëm rritje intensive të popullsisë dhe urbanizim të paplanifikuar në disa qytete e provinca, por edhe prapambetje ose nivel të ulët zhvillimi në zonat emigruese. Shtetet, që përpiqen të kenë një zhvillim të ekuilibruar, duhet të marrin në konsideratë dallimet zhvillimore ndërmjet zonave të ndryshme të vendit dhe të paraqesin një sërë stimulimesh. Për të arritur këtë synim, organet qeveritare përkatëse duhet të nxjerrin në pah potencialet e zonave, që prodhojnë emigracion, si dhe të mundësojnë subvencione për lloje të ndryshme investimesh.

Turqia ka një popullsi dinamike të re në moshë dhe renditet mes 20 ekonomive më të zhvilluara të botës. Objektivi i saj zhvillimor parashikon që vendi të klasifikohet në mesin e 10 ekonomive më të fuqishme deri në vitin 2023, që përkon me 100-vjetorin e themelimit të republikës. Në këtë kontekst, gjatë 15 viteve të fundit janë realizuar shumë projekte zhvillimore dhe janë hapur me qindra-mijëra vende të reja pune. Javën e kaluar folëm për detajet e projektit të quajtur “qendrat tërheqëse”, me qëllim mundësimin e një zhvillimi total në Turqi, njoftuar kohëve të fundit nga autoritetet zyrtare të Ankarasë. Ndërsa pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, që u mbajt pak ditë më parë, Kryeministri Binali Yildirim bëri me dije se do të ketë një vrull investimesh urgjente në zonat lindore dhe juglindore të Turqisë. Detyra e  financimit dhe implementimit të këtij vrulli investimesh, që ka për qëllim profesionalizimin dhe grupimin në fusha të caktuara, i është ngarkuar Bankës për Zhvillim të Turqisë. Kurse ministri turk i Zhvillimit Kombëtar, Lutfi Elvan, theksoi se kjo paketë investimesh, përgatitur nga ekspertë të dikasterit të drejtuar prej tij, është mjaft më ndryshe nga pararendëset e hartuara deri më sot. Në kuadër të projektit në fjalë – saktësoi Lutfi Elvan – do të jetësohet një mekanizëm, puna e të cilat nis me idenë për investim dhe vijon me mbështetjen e të gjitha proceseve që nga hartimi i projektit, strukturimi i investimit, subvencionimi i sipërmarrjes e deri në fazën përfundimtare të marketingut.

Më tej, ministri Elvan e shpjegoi mbështetjen e investimeve me një shembull nga provinca lindore e Erzurumit.

“Një biznesmen, që jeton në Erzurum, fillimisht do t’i kërkojë Bankës për Zhvillim që të analizojë nëse ideja e tij ia vlen apo jo të shndërrohet në investim. Banka për Zhvillim do të kryejë këtë procedurë falas në emër të biznesmenit dhe, në rast se e shikon të arsyeshme, do t’i japë atij kredi pa interes për makineritë dhe aparaturat e nevojshme për hapjen e fabrikës. Ndërsa shlyerja e borxhit do të nisë 12 muaj pas kreditimit dhe do të përfundojë brenda 4 viteve të vijim. Po ashtu, 8% e interesit të kredive, që bizneset do mund të marrin nga bankat e tjera, do të mbulohet nga shteti duke garantuar kështu edhe një stimulim shtesë për sipërmarrjet”, siguroi ministri turk i Zhvillimit Kombëtar.

Përmes këtij vrulli investimesh, në zonat lindore dhe juglindore të Anadollit synohet të hapen çdo vit 200 mijë vende të reja pune. Rritja e investimeve dhe e punësimit do të kontribuojë ndjeshëm si për zhvillimin ekonomik të zonave në fjalë ashtu edhe për atë të vendit në përgjithësi.

Si përfundim, mbështetja e investimeve dhe stimulimi i projekteve të zhvillimit rajonal janë nisma të rëndësishme, që japin kontribut pozitiv për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e baraspeshuar të ekonomisë së vendeve. Turqia është një shtet i formuar mbi shumë zona me veçori gjeografike dhe klimatike të ndryshme. Në këtë aspekt, industria është e zhvilluar në zona të caktuara dhe më pak e tillë në pjesët e tjera të vendit duke shkaktuar rrjedhimisht edhe dallime rajonale. “Vrulli i investimeve në zonat lindore dhe juglindore të Anadollit”, një projekt zhvillimor i njoftuar pak ditë më parë nga Kryeministri Binali Yildirim dhe ministri i Zhvillimit, Lutfi Elvan, mendohet se do të kontribuojë përmes kanaleve të ndryshme në rimëkëmbjen ekonomike të këtyre zonave dhe në rritjen e përgjithshme të mirëqenies së vendit. Me anë të stimulimeve të reja, që përfshijnë 27 qytete turke, planifikohet mbështetja e investitorëve dhe rritja e punësimit. Si rezultat i këtij vrulli investimesh, që pritet të krijojë çdo vit 200 mijë vende të reja pune, rritja ekonomike e Turqisë do të përshpejtohet edhe më tepër gjatë periudhës në vijim.

 

Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli - Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk", Karabyk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme