Yildirim: Ashtu si FETO-n, do të qërojmë edhe terroristët e PKK-së

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, deklaroi të dielën në mbrëmje se pas 15 korrikut, pjesëtarët e organizatës terroriste guleniste (FETO) po qërohen nga të gjitha institucionet shtetërore dhe se tani është radha e terroristëve të PKK-së...

Yildirim: Ashtu si FETO-n, do të qërojmë edhe terroristët e PKK-së

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, deklaroi të dielën në mbrëmje se pas 15 korrikut, pjesëtarët e organizatës terroriste guleniste (FETO) po qërohen nga të gjitha institucionet shtetërore dhe se tani është radha e simpatizantëve të organizatës terroriste e separatiste PKK.

Binali Yildirim u takua në një darkë pune në Diyarbakir me liderë të opinionit dhe përfaqësues të shoqërisë civile të provincave lindore dhe juglindore të Turqisë.

Shefi i Ankarasë zyrtare theksoi se populli mbështet fuqishëm qeverinë në luftën kundër terrorizmit.

“Ashtu si vepruam me FETO-n pas 15 korrikut duke vazhduar qërimin e saj nga të gjitha organet shtetërore dhe duke u vënë drynin të gjitha firmave, institucioneve arsimore, atyre shëndetësore, shoqatave, fondacioneve dhe sindikatave të lidhura me të, ashtu do të veprojmë tani edhe me organizatën terroriste e separatiste PKK. Nuk do të ketë më kryetarë dhe bashkëkryetarë bashkie, të cilët marrin urdhra nga Kandili (baza e PKK-së në veri të Irakut) dhe vijnë e presin fatura dhe vendosin rregulla sipas qejfit duke pirë gjakun e popullit. S’do të ketë më grabitje. Do të kërkojmë llogari nga të gjitha ata, që synojnë të fusin dorë në xhepin e popullit tonë”, u shpreh ai.

Yildirim vuri theksin mbi vendosmërinë e Ankarasë në lidhje me luftën kundër terrorizmit dhe shtoi se lufta kundër organizatës terroriste PKK do të intensifikohet çdo ditë e më shumë në zonat rurale, ato urbane dhe gjithandej, derisa të thajnë plotësisht burimet financiare dhe të marrin fund të tëra aktivitete kriminale dhe çnjerëzore të saj.

Tani – vijoi kryeministri – e dimë shumë më mirë sesi do të veprojmë; nuk do të presim sulmet e tyre të pabesa, por do t’i ndjekim dhe asgjësojmë terroristët deri në brimat e tyre më të thella.

“Kemi dëshmorë dhe na dhemb shpirti, por mbrojtja e vatanit dhe e unitetit kombëtar e ka një çmim”, tha Binali Yildirim dhe nënvizoi se s’do të bëjnë kurrë hap prapa përballë terrorizmit.

Ai siguroi se dalëngadalë po dalin në pah edhe rezultatet e luftës efektive kundër terrorizmit.

“Për ne janë terroristë dhe separatistë të gjitha ata, që kërkojnë të përçajnë këtë vendin, të ulin flamurin e tij dhe të copëtojnë territoret e këtij vatani. Thelbi i çështjes është i qartë: Një atdhe, një komb, një flamur, një shtet. Cilido qoftë ai kundërshtar i këtij thelbi, pa marrë parasysh sektin apo përkatësinë e tij, është terrorist e separatist”, nënvizoi kryeministri.

Tjetër pikë në agjendën e shefi të Ankarasë zyrtare ishte dhe operacioni ushtarak “Mburoja e Eufratit”, që filloi më 24 gusht për spastrimin e organizatave terroriste nga veriu i Sirisë.

Yildirim potencoi se linja kufitare 91 km e gjatë nga Azezi në Jarabulus rezulton tashmë një zonë plotësisht e sigurt dhe shtoi: “Misioni ynë atje është të spastrojmë elementët terroristë të DAESH-it, PYD/YPG-së dhe PKK-së nga zona, të pengojmë që ata të vijnë në Turqi dhe të na lëndojnë, të garantojmë sigurinë e kufijve tanë dhe atë të jetës e pronës së qytetarëve të Republikës së Turqisë.”

“Kjo është e drejta jonë më legjitime”, vlerësoi ai.



Lajme të ngjashme