Koment – Besimi i konsumatorit në Turqi

Analizë nga as. prof. dr. Huseyin Karamelikli, në lidhje me besimin e konsumatorit në Turqi...

Koment – Besimi i konsumatorit në Turqi

Pjesa më e madhe e ekonomive të vendeve në zhvillim dhe atyre të industrializuara formohet nga mallrat e shërbimet, që shiten brenda vendit. Ndërsa pjesa dërrmuese e vetë kësaj tregtie të mallrave dhe shërbimeve përbëhet nga shpenzimet e konsumatorit. Besimi i qytetarëve në ekonominë e vendit të tyre, sidomos atje ku ekonomia është e lidhur ngushtë me kërkesën për mallra e shërbime, përcakton edhe kërkesën e atyre shteteve për mallra. Në gjendje lufte dhe krize ekonomike kombëtare apo ndërkombëtare, konsumatori redukton kërkesën dhe bën kursim duke shkaktuar rrjedhimisht ngadalësim të rritjes ekonomike dhe rritje të papunësisë në vend. Kur qytetarët mendojnë se ecuria ekonomike e vendit është e mirë, atëherë ata kërkojnë më shumë mallra dhe shërbime. Rritja e kërkesës për mallra e shërbime shton investimet; shtimi i investimeve krijon vende të reja pune dhe kontribuon pozitivisht në rritjen ekonomike të vendit. Ndërsa vetë rritja ekonomike nënkupton më shumë mirëqenie për qytetarët e atij shteti. Po ashtu, në ato vende, ku besimi i konsumatorit është i lartë, sipërmarrësit e huaj janë më të vullnetshëm dhe ambiciozë për të bërë më tepër investime.

Ekonomia turke në zhvillim renditet mes atyre 20 më të mëdhave në botë, që njihen gjerësisht si G20. Në Republikën e Turqisë, një shtet me prodhim e konsum të lartë falë popullsinë 80-milionëshe në moshë të re dhe dinamike, një numër i madh sipërmarrësish vendas dhe të huaj vazhdojnë të investojnë fuqishëm duke u frymëzuar nga potenciali i vendit. Si pasojë e tentativës tradhtare të 15 korrikut, mbi ekonominë turke u krijua një trysni e pjesshme. Megjithatë, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave të Turqisë (TUIK), besimi i konsumatorit është rritur me shpejtësi në nivelin përpara tentativës për grusht shteti dhe kjo falë qëndrimit të popullit në lidhje me këtë çështje. Vlerat e indeksit të besimit të konsumatorit, përllogaritur në bazë të rezultateve të sondazheve mbi tendencat e konsumatorit që realizohen nga TUIK në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë (TCMB), gjatë muajit gusht 2016 u rritën me 11,1% në krahasim me korrikun. Pas kësaj rritjeje, vlera e indeksit të besimit të konsumatorit në Turqi ka arritur në 74,44 pikë përqindje në gusht, nga 67,03 që ishte një muaj më parë. Një tjetër vlerë e publikuar gjithashtu nga TUIK ka të bëjë me perspektivën ekonomike dhe të priturat për situatën ekonomike kombëtare. Indeksi i të priturave mbi gjendjen e përgjithshme ekonomike në Turqi shënonte 89,82 pikë përqindje në muajin korrik, ndërkohë që në gusht ai është rritur në nivelin 101,95 pikë përqindje. Kjo rritje tregon që konsumatorët turq mendojnë se gjendja ekonomike e vendit do të jetë më e mirë në 12 muajt e ardhshëm. Duke qenë se qytetarët kanë besim në ekonominë e vendit, ata do të vazhdojnë të shpenzojnë dhe të japin kontribut në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë turke.

Si përfundim, pjesa më e madhe e ekonomive të vendeve në zhvillim dhe atyre të industrializuara formohet nga kërkesa e konsumatorit për mallra dhe shërbime. Biznesmenët, të cilët synojnë të plotësojnë kërkesën e qytetarëve për mallra dhe shërbime, bëjnë investime dhe hapin vende të reja pune. Falë kësaj, rritja e konsumit ka efekte pozitive mbi rritjen ekonomike të vendit. Pakë ditë më parë, Instituti i Statistikave të Turqisë publikoi vlerat e indeksit të besimit të konsumatorit dhe treguesit të besimit ekonomik për muajin gusht 2016, të dhëna këto që pasqyrojnë besimin e konsumatorit në tregje pas tentativës për grusht shteti në Turqi, ndërmarrë më 15 korrik nga organizata terroriste guleniste (FETO). Krahasuar me një muaj më parë, vlerat në rritje tregojnë se besimi i konsumatorit turk për ekonominë e vendit është shtuar gjatë gushtit. Rritja në fjalë tregon gjithashtu se konsumatori beson në ekonominë e Turqisë dhe nuk mendon që të reduktojë kërkesën gjatë periudhës në vijim. Në të njëjtën kohë, rrija dhe vazhdimësia e kërkesës së konsumatorit për mallra e shërbime do të stimulojë edhe sipërmarrësit për të bërë investime të reja, gjë kjo që do të sjellë rrjedhimisht reduktimin e papunësisë në vend. Shkurtimisht, mirëqenia e qytetarëve të Republikës së Turqisë do të rritet edhe gjatë periudhës në vijim.

 

Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli - Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk", Karabyk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme