Komisioni Evropian ndryshon progresraportin për Turqinë

Për shkak të grushtit të dështuar të shtetit, Komisioni Evropian po e shkruan nga e para progresraportin për Turqinë, që ka në plan ta publikojë në muajin tetor.

554626
Komisioni Evropian ndryshon progresraportin për Turqinë

Në tekstin e deritanishëm të progresraportit, i cili përditësohet në mënyrë të rregullt që nga nëntori i 2015-s e këtej, i kushtohej një vend i veçantë marrëveshjes së arritur për refugjatët (mars 2016), liberalizimit të vizave dhe ligjit për antiterrorizmin.

Sipas raportimeve që bëjnë burime pranë Bashkimit Evropian (BE) boshtin kryesor të raportit të ri për progresin e Turqisë (në negociatat e anëtarësimit), që do të publikohet në tetor do ta përbëjë tentativa për grusht shteti e organizatës terroriste guleniste struktura paralele në shtet (FETO/PDY) në 15 korrik, përpjekja me këtë organizatë si dhe gjendja e jashtëzakonshme (OHAL), që është shpallur për 90 ditë pas kësaj tentative të dështuar.

Progresraporti i Komisionit Evropian shkruan se Turqia është përballur me një tentativë për grusht shteti dhe pas kësaj në vend është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.

Në paragrafin lidhur me zbatimin gjendjes së jashtëzakonshme raporti shkruan se Turqia, ashtu si në shembullin e Francës, ka pezulluar përkohësisht zbatimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas të njëjtave burime raporti cilëson se tentativa e grushtit të shtetit është kryer nën drejtimin e elementëve të FETO-s të infiltruar brenda në ushtri, ndërsa thekson se zinxhiri komandues i ushtrisë nuk është përfshirë në këtë tentativë.

Raporti nënvizon se populli turk e kundërshtoi këtë tentativë për grusht shteti dhe doli në rrugë për të reaguar ndaj puçistëve.

Autoritetet e Bashkimit Evropian (BE), të cilat vazhdojnë të debatojnë lidhur me atë se është apo jo FETO një organizatë terroriste, bëjnë të ditur se çështja do të trajtohet në takimin informal të ministrave të jashtëm, që do të mbahet në datat 2-3 shtator në Sllovaki.

Parashikohet që ministri i Jashtëm, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu), i cili në këtë ministerial do të marrë pjesë në emër të Turqisë, t"u paraqesë homologëve evropianë një dosje gjithëpërfshirëse për FETO-n.



Lajme të ngjashme