TIKA, letër rreth 60 institucioneve ndërkombëtare për të shpjeguar 15 korrikun

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) u ka dërguar rreth 60 institucioneve ndërkombëtare një letër, që shpjegon tentativën për grusht shteti në Turqi dhe procesin pas saj...

TIKA, letër rreth 60 institucioneve ndërkombëtare për të shpjeguar 15 korrikun

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) u ka dërguar rreth 60 institucioneve ndërkombëtare një letër, që shpjegon tentativën për grusht shteti në Turqi, ndërmarrë më 15 korrik nga organizata terroriste guleniste (FETO), si dhe procesin pas saj.

Pasi vihet theksi mbi rezistencën e popullit turk për demokraci në tentativën e 15 korrikut për grusht shteti, në letrën e TIKA-s sqarohet se pas kësaj përpjekjeje të dështuar për grusht shteti, e cila shkaktoi 240 dëshmorë dhe mbi 2 mijë të plagosur në radhët e civilëve, policisë dhe ushtrisë turke, janë shkarkuar nga detyra shumë nëpunës civilë, prokurorë, gjykatës, policë dhe ushtarakë të lidhur me grushtin e shtetit.

Letra në fjalë rikujton se tentativa për grusht shteti në Turqi u organizua nga FETO, njohur edhe si struktura paralele në shtet (PDY), e cila është një organizatë terroriste jashtëzakonisht e rrezikshme, që ndër vite është përpjekur për t’u infiltruar ilegalisht në të gjitha organet shtetërore turke – përfshi këtu gjyqësorin, policinë dhe ushtrinë – me qëllimin e vetëm për të shtënë në dorë kontrollin e shtetit.

Në këtë proces, nënvizon letra e TIKA-s, të gjitha forcat politike të përfaqësuara në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë (TBMM) u renditën në krah të qeverisë dhe kushtetutës demokratike të vendit; ndërkohë që i gjithë populli turk, nën lidershipin e fuqishëm të Presidentit Recep Tayyip Erdogan, qëndroi heroikisht përpara tankeve dhe çoi në dështim këtë tentativë për grusht shteti.

“E angazhuar maksimalisht me krizën humanitare në Siri, Turqia lufton njëkohësisht edhe kundër organizatave terroriste të tilla si PKK-ja, DAESH-i dhe FETO-ja. Megjithatë populli turk do t’u bëjë ballë me përkushtim dhe vendosmëri të gjitha këtyre vështirësive”, thuhet në fund të letrës dërguar nga TIKA rreth 60 institucioneve ndërkombëtare.



Lajme të ngjashme