Një gjykatë turke vendos për konfiskimin e pasurisë së Fethullah Gulenit

Gjykata 2. e Krimeve të Rënda në qytetin jugor Adana të Turqisë vendosi sot për konfiskimin e të gjithë pasurisë së të dyshuarit në arrati, Fethullah Gulen, si pjesë e procesit gjyqësor kundër organizatës terroriste guleniste...

Një gjykatë turke vendos për konfiskimin e pasurisë së Fethullah Gulenit

Gjykata 2. e Krimeve të Rënda në qytetin jugor Adana të Turqisë vendosi sot për konfiskimin e të gjithë pasurisë së të dyshuarit në arrati, Fethullah Gulen, si pjesë e procesit gjyqësor për hetimet kundër organizatës terroriste guleniste/struktura e shtetit paralel (FETO/PDY).

“Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme të Adanasë për Hetimet Tekniko-Terroriste dhe Krimet e Organizuara ka ngritur padi për 17 të pandehur në Gjykatën 2. të Adanasë për Krimet e Rënda, mbështetur në aktakuzën për financimin e FETO/PDY-së nëpërmjet mbivlerësimit ilegal, përmes ndryshimeve të parregullta në planet e urbanistikës, të pasurive të patundshme të individëve dhe organizatave të lidhura me FETO/PDY-në”, sqarohet në një komunikatë me shkrim të Prokurorisë së Përgjithshme të Adanasë.

Komunikata e lartpërmendur rikujton se në gjyqin, ku Fethullah Gulen procedohet si i dyshuar kryesor për “tentativë për të rrëzuar rendin kushtetues”, trupi gjykues ka vendosur për ndalimin dhe arrestimin e Gulenit dhe të dyshuarve të tjerë në arrati: Omer Ekinci, Kemal Elibal e Cemal Soncu.

Po ashtu, gjykata ka marrë vendim për procedimin e 4 të dyshuarve në gjendje arratie, bën me dije komunikata me shkrim e Prokurorisë së Përgjithshme të Adanasë dhe vijon me këto fjalë:

“Bazuar në nenin 278/1 të Kodit të Procedurës Penale, Gjykata 2. e Adanasë për Krimet e Rënda vendosi për konfiskimin e të gjitha pasurive të dyshuarve Fethullah Gulen, Omer Ekinci, Kemal Elibal dhe Cemal Soncu, të cilët janë shpallur persona në kërkim, pasi qëndrojnë në shtete të huaja për të zvarritur proceset gjyqësore ndaj tyre dhe penguar vendosjen e drejtësisë. Përmes këtij vendimi, Gjykata ngrin të gjitha pasuritë e patundshme, mjetet e transportit tokësor-detar-ajror, çdolloj përfitimi dhe pretendimi, letrat me vlerë, aksionet e bizneseve dhe kompanive, stoqet në kasafortat e pajtuara dhe llogaritë bankare, që të dyshuarit e arratisur kanë në Turqi.”

Në kuadër të procesit gjyqësor, seanca e parë e të cilit u mbajt më datë 2 maj 2016, për Fethullah Gulenin, i cili akuzohet për “tentativë për të rrëzuar rendin kushtetues”, kërkohet dënimi me burgim të përjetshëm të rënduar; ndërsa për ish-nënkryetarin e Bashkisë Metropolitane të Adanasë, Zihni Aldirmaz, i cili është gjithashtu një ndër 17 të pandehurit dhe akuzohet për “anëtarësim në organizatë terroriste, falsifikim të dokumenteve zyrtare, kundërvajtje ndaj Ligjit për Luftimin e Financimit të Terrorizmit, si dhe krime të jakave të bardha”, kërkohet dënimi deri në 35 vite heqje lirie.

Sa u përket të pandehurve të tjerë, organet hetuese kërkojnë dënimin e tyre nga 5 deri në 27 vite burgim.

Aktualisht asnjë prej të pandehurve në këtë proces gjyqësor nuk është në gjendje arresti. Ndaluar nga forcat e sigurisë gjatë një operacioni më 13 janar të këtij viti, 5 nga të pandehurit po gjykohen në gjendje të lirë; ndërkohë që për 3 të pandehur në arrati është lëshuar urdhër ndalimi.



Lajme të ngjashme