Koment – Puçet armike të vullnetit popullor në Lindjen e Mesme: Përvojat e Turqisë dhe Egjiptit

Një analizë në lidhje me puçet ushtarake dhe grushtet e shtetit në vendet e Lindjes së Mesme, të cilësuara si armike të demokracisë dhe të vullnetit popullor, si dhe përvojat e Turqisë dhe Egjiptit në këtë aspekt.

Koment – Puçet armike të vullnetit popullor në Lindjen e Mesme: Përvojat e Turqisë dhe Egjiptit

Trazirat në rajonin e Lindjes së Mesme nuk kanë të ndalur që pas zhvillimeve, që u “pagëzuan” e emrin Pranvera Arabe. Destabiliteti politik, që vazhdon të rritet si të ishte ortekë, po bëhet çdo ditë e më shumë një realitet i të gjitha vendeve të rajonit. Në Siri, Libi dhe Jemen kemi të bëjmë me një gjendje lufte të mirëfilltë. Për më tepër, në tri vitet e fundit kemi dëshmuar gjithashtu puçin ushtarak të korrikut 2013 në Egjipt dhe tentativën e 15 korrikut 2016 për grusht shteti në Turqi.

Zhvillimet në Egjipt dhe në Turqi mund të përmblidhen shkurtimisht me këto 3 pika:

  1. Në janar 2011, ish-presidenti egjiptian, Hosni Mubarak, u rrëzua si pasojë e një kryengritjeje popullore; por procesi i demokratizimit të vendit filloi të implementohej nën tutelën ushtarake. Po ashtu, tutelës ushtarake iu shua edhe tutela gjyqësore. Kurse në Turqi, pesha e ushtrisë mbi regjimin politik është reduktuar në mënyrë të vazhdueshme që prej ardhjes në pushtet të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK), në vitin 2002. Madje mund të flitet për një eliminim të plotë të tutelës ushtarake. Nisma të këtij lloji janë ndërmarrë edhe për të thyer tutelën gjyqësore. Duke qenë se përparësi iu kushtua neutralizimit të tutelës ushtarake, e cila ishte një manovër me rëndësi jetike, reforma në drejtësi dhe ajo në gjyqësor është paksa e vonuar. Megjithatë është eliminuar në vija të përgjithshme potenciali i saj për të bllokuar e vetme sistemin.
  2. Administrata e Presidentit egjiptian, Mohamed Morsi, e para e zgjedhur me votë të lirë dhe demokratike në këtë vend, nuk arriti që brenda një kohe të shkurtër rreth 1 vit të fitojë pushtetin e mjaftueshëm kundër rendit të vjetër në Egjipt. Kundër tij u pozicionua jo vetëm ushtria, por edhe e gjithë policia e shtetit, bota e biznesit dhe mediat. Avantazhi i vetëm i Morsit ishte se ai përfaqësonte vullnetin popullor. Puna e parë, që puçistët bënë përpara se të ndërmerrnin grushtin e shtetit, ishte ndjekja e një plani për të sheshuar këtë terren ligjshmërie të Morsit. Si rezultat i këtij plani, u sigurua mobilizimi politik i një pjese të rëndësishme të shoqërisë egjiptiane kundër administratës Morsi. Sa i përket Turqisë, juntës puçiste i mungonte mbështetja e popullit. Tentativa e tyre nuk kishte bazë mbi themelet e shoqërisë. Përkundrazi, ata gjetën përballë tyre liderin karizmatik të një lëvizjeje politike, votat e të cilës janë rritur në çdo zgjedhje, me një përjashtim të vetëm. Populli turk u është përgjigjur menjëherë thirrjeve, qoftë të Presidentit Recep Tayyip Erdogan, qoftë dhe të përfaqësuesve të qeverisë. Sa hap e mbyll sytë, miliona qytetarë të Republikës së Turqisë vërshuan në rrugë e sheshe për t’i dalë zot vullnetit popullor.
  3. Ushtria në Egjipt veproi si një trup i vetëm kundër të zgjedhurve. Kreu i ushtrisë, Abdel Fattah el-Sisi, ishte njëherësh edhe ministër i Mbrojtjes së qeverisë Morsi. Për më tepër, në harmoni të plotë me ushtrinë lëvizi edhe policia egjiptiane, e cila ia vlen të thuhet se është një organ mjaft i fuqishëm. Ndërsa grupi puçist, që ndërmori tentativën e 15 korrikut në Turqi, veproi në kundërshtim me zinxhirin komandues të ushtrisë turke. Ata jo vetëm që nuk kishin mbështetje nga komandantët e forcave, por në mesin e tyre s’kishte as edhe një ushtarak në nivel komandant armate apo me gradën gjeneralarmate. Puçistët ishin elementë të infiltruar brenda shtetit nga organizata terroriste guleniste/struktura paralele në shtet (FETO/PDY), një lëvizje me fasadë fetare dhe me lidhje të jashtme të errëta. Prapëseprapë ata nuk ishin dominues në ushtri, edhe pse kishin arritur të infiltroheshin në postet kyçe të Forcave të Armatosura të Turqisë. Nga ana tjetër, puçistëve iu desh të përballen edhe me policinë turke, një tjetër element i rëndësishëm i shërbimeve të sigurisë në vend.

Mirë, po cila ishte sprova që bota iu nënshtrua lidhur me këto përvoja të Egjiptit dhe të Turqisë?

Pas shtypjes së tentativës për grusht shteti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e paralajmëruan Turqinë për rivendosjen e dënimit me vdekje dhe për mënyrën sesi duhet të veprojë në lidhje me ndalimet apo arrestimet; kur në fakt që të dyja “ngelën në klasë” pas grushtit të shtetit në Egjipt. Qoftë SHBA-ja, qoftë BE-ja, dukeshin sikur mbështesnin grushtin e shtetit në Egjipt. Paralajmërimet e këtyre dy strukturave për mënyrën sesi duhet të vepronte Turqia pas tentativës për grusht shteti ishin një shembull konkret i papërgjegjësisë. Ajo çfarë ata nuk arrijnë të kuptojnë është se mosbesimi historik, që ekziston në Turqi karshi vendeve perëndimore, do të thellohet edhe më shumë për shkak të këtyre qëndrimeve dhe sjelljeve të papërgjegjshme.

Për më tepër, i gjithë populli turk nuk ka as dyshimin më të vogël se pas tentativës së dështuar për grusht shteti qëndron organizata terroriste e drejtuar nga Fethullah Gulen.

Zyrtarët turq kanë njoftuar se tentativa për grusht shteti është sprapsur, megjithatë ata theksojnë se rreziku dhe kërcënimi nuk ka kaluar ende plotësisht.

 

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme