Turqi-Këtë javë pritet hapja e kapitullit të 33-të të negociatave me BE-në

Në bisedime për kapitullin e 33-të do të negociohet në lidhje me temën “Dispozitat financiare dhe buxhetore”.

Turqi-Këtë javë pritet hapja e kapitullit të 33-të të negociatave me BE-në

Në bisedimet e Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), këtë javë do të hapet kapitulli 33 me titull “Dispozitat financiare dhe buxhetore” që njëkohësisht është kapitulli i dytë brenda gjashtë muajve.

Në Konferencën Ndërqeveritare që do të mbahet ditën e enjte në Bruksel me rastin e hapjes së kapitullit, do të marrin pjesë Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë Mevlut Çavushoglu, Ministri i Integrimit Evropian dhe Kryenegociatori Omer Çelik dhe Ministri i Financave Naci Agbal.

Dispozitat Financiare dhe Buxhetore, krahas anëtarësimit, përfshijnë edhe rregulla në lidhje me burimet e nevojshme financiare për fondet që do të sigurohen për buxhetin e BE-së. 

Përfaqësuesi i Përhershëm i Turqisë në BE, ambasadori Selim Yenel, duke theksuar se kapitulli 33 në thelb është kapitull i hapur në një kohë afër anëtarësimit në BE, tha se hapja e kapitullit është e rëndësishme në aspektin e vijimësisë së bisedimeve.

Duke u shprehur se me hapjen e kapitullit 33 këtë javë do plotësohet hapja e kapitullit të 16-të në total, Yenel tha se “Ende qëndrojnë pesë kapitujt të cilët grekët i pengojnë. Nëse shënohet përparim në çështjen e Qipros, nëse mund të arrijmë në një rezultat përfundimtar, atëherë këta kapituj mund të hapen në mënyrë shumë të shpejtë, ndërsa bisedimet për anëtarësim mund t’i kthehen rrjedhës normale.”

Yenel bëri të ditur se me rastin e hapjes së kapitullit, këtë javë në Bruksel do të qëndrojnë Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë Mevlut Çavushoglu, Ministri i Integrimit Evropian, Kryenegociatori Omer Çelik dhe Ministri i Financave Naci Agbal. Ai vlerësoi më tej se “Krahas kësaj, ka disa kritere që nuk janë plotësuar në kuadër të liberalizimit të vizave. Kishte pesë kritere. Në lidhje me këto, ministri jonë i BE-së dhe ministri i jashtëm do të zhvillojnë një takim me Zëvendësin e Parë të Presidentit të Komisionit Evropian Frans Timmermans pas Konferencës Ndërqeveritare. Do të diskutohet rreth pesë kritereve të ngelura. Në drejtim të kësaj, do të hartohet një udhërrëfyes dhe qëllimi ynë do të jetë që sa më parë ta fitojmë liberalizimin e vizave.”

Në lidhje me largimin e Britanisë nga BE-ja, Yenel tha se “Britania gjithsesi kishte pozitë prioritare në BE. Nuk ishte në Schengen dhe në Eurozonë, e nuk ishte subjekt edhe i një sërë dispozitash të tjera. Gjithsesi, ajo e kishte ndarë veten nga shumë vende. Duke qenë kështu, Britania ishte në pozitën e një anëtari me prioritet. Tani po heq dorë nga kjo.” 



Lajme të ngjashme