MPJ turke i bën thirrje Rusisë për dialog

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke, Tanju Bilgiç, ka përsëritur thirrjen që tensionet aktuale mes Rusisë dhe Turqisë të zgjidhen nëpërmjet dialogut.

MPJ turke i bën thirrje Rusisë për dialog

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke, Tanju Bilgiç, ka përsëritur thirrjen që tensionet aktuale mes Rusisë dhe Turqisë të zgjidhen nëpërmjet dialogut.

Bilgiç, i është përgjigjur pyetjes në lidhje me deklaratat e Ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov për shkeljen e hapësirës ajrore turke. Duke thënë se "deklaratat e publikuara në agjencinë Sputnik duke iu referuar Lavrovit, mbartin qëllimin për shtrembërimin e problemit të dalë si pasojë e shkeljes së hapësirës ajrore turke", Bilgiç ka theksuar se çështja nuk ka asnjë lidhje me veprimet e koalicionit në Siri dhe është vetëm në lidhje me shkeljen e hapësirës ajrore turke nga avionët e Rusisë.

Ndër të tjera ai ka theksuar se që nga 24 nëntori pas ngjarjes së rrëzimit të avionit për shkak të shkeljes së hapësirës ajrore turke e deri tani Rusia po mban një qëndrim kontradiktor dhe mohues ndaj të vërtetave të cilat dihen nga e gjithë bota.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke shprehet më tej se: "Federata Ruse edhe pas shkeljes së fundit më 29 janar ka ndjekur të njëjtën taktikë. Pretendimet në shprehjet e Ministrit Lavrov se Turqia nuk ka shkëmbyer informacione janë krejtësisht të pavërteta. Pas shkeljes së hapësirës sonë ajrore atasheu ushtarak i Federatës Ruse në Ankara është thërritur nga institucionet tona ushtarake të cilat në lidhje me çështjen i kanë dhënë informacion dhe kanë kryer paralajmërimet e nevojshme. Ambasadës së Federatës Ruse në Ankara iu shprehën qartë paralajmërimet se reagimet kundër shkeljes së hapësirës tonë ajrore, marrja e masave dhe kundërpërgjigja, janë e drejta jonë sovrane që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare. Vazhdimi i shkeljeve të hapësirës ajrore turke do të çojë në rezultate konkrete dhe e gjithë përgjegjësia është mbi Federatën Ruse. Në çdo rast ne që nga 24 nëntori e deri tani pavarësisht fushatës së njollosjes dhe provokimeve nga ana e Moskës ruajmë qëndrimin gjakftohtë të cilin e kemi treguar që nga fillimi i problemit e deri tani. Me këtë rast ne përsërisim edhe një herë thirrjen tonë që tensionet aktuale të zgjidhen nëpërmjet dialogut".

Lavrov në deklaratën e tij të publikuar në Sputnik kishte mbrojtur idenë se Washingtoni është përgjegjës për të gjitha veprimet e koalicionit ndërkombëtar nën udhëheqjen e SHBA-ve në të cilin bën pjesë edhe Turqia.



Lajme të ngjashme