Erdogan: Ia shtypim kokën PKK-së qoftë dhe 1.000 herë

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi sot (08.12.2015) se edhe sikur PKK-ja të bëjë 1.000 kryengritje Turqia është një vend i fuqishëm dhe i aftë që t’ia shtypë kokën 1.000 herë kësaj organizate terroriste.

Erdogan: Ia shtypim kokën PKK-së qoftë dhe 1.000 herë

“Teksa ne përpiqemi për të restauruar xhamitë, që janë trashëgimi e të parëve tanë në Ballkan, si dhe për të lartësuar zërin e ezanit në të katër anët e botës; kjo organizatë, e cila dogji xhaminë (Fatih Pasha) në Diyarbakir dhe pushoi zërin e ezanit, nuk ka vend në të kaluarën tonë të përbashkët dhe as që mund të ketë vend në të ardhmen tonë të përbashkët”, tha kreu i shtetit turk.

Erdogan vlerësoi djegien e xhamisë 500-vjeçare “Fatih Pasha” të Diyarbakirit nga terroristët e PKK-së, gjatë një takimi me të zgjedhurit lokalë (myftarët – shënim i përkthyesit) në Pallatin Presidencial.

“Ky akt është mbi të gjitha sulm ndaj kulturës, historisë dhe qytetërimit të vëllezërve tanë kurdë. Lufta e organizatës terroriste PKK nuk synon që t’u japë të drejtat vëllezërve tanë kurdë, por që t’i shkëpusë ata nga rrënjët e tyre. Njëherazi, kjo është tentativë për gjenocid kulturor”, u shpreh lideri turk.

Gjatë fjalimit, Presidenti Erdogan iu drejtua edhe banorëve të zonës. Ai theksoi se tashmë të gjithë duhet ta kenë kuptuar se organizata terroriste dhe separatiste nuk asgjë të përbashkët me këtë vend, me këtë popull dhe veçanërisht me vlerat e banorëve të zonës, duke kërkuar nga ata që të ndihmojnë shtetin për ta likuiduar këtë organizatë terroriste, që është plotësisht produkt i një projekti, si dhe për t’i pastruar mbeturinat e tyre nga të gjitha rrugët, lagjet dhe qytezat e vendit.

Shteti ynë, nënvizoi Erdogan, nuk do t’ju braktisë në vetmi dhe do të jetë përherë pranë jush kudo, sepse ne kemi për detyrë të mbrojmë sigurinë dhe qetësinë tuaj nga kanosjet.

Pjesëtarë të organizatës terroriste PKK sulmuan mëngjesin e të hënës Xhaminë “Fatih Pasha” në qytezën Sur të Diyarbakirit, juglindje e Turqisë, duke i vënë zjarrin objektit 500-vjeçar të kultit islam.

Kjo është xhamia e parë e ndërtuar nga Perandoria Osmane në Diyarbakir.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme