Erdogan: Izraeli po ndez një fitil të ri në Lindjen e Mesme

Kreu i shtetit turk, Recep Tayyip Erdogan, vlerësoi rendin e ditës gjatë një transmetimi ekskluziv për Korporatën e Radios dhe Televizionit të Turqisë, TRT.

Erdogan: Izraeli po ndez një fitil të ri në Lindjen e Mesme

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se grupet mediatike dhe ato të kapitalit, që mbështesin terrorin dhe aktet terroriste, si dhe rrethet, të cilat u japin atyre mbështetje të brendshme dhe të jashtme, herët a vonë do ta paguajnë koston e këtyre.

Kreu i shtetit turk vuri në pah se përpjekje të ngjashme si ato për “zonat e çliruara” nuk do të lejohen absolutisht.

Erdogan vlerësoi rendin e ditës në një reportazh ekskluziv për TRT-në.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha se kanë konstatuar që organizata terroriste, pavarësisht të gjitha masave të sigurisë, që ishin marrë në procesin e zgjedhjeve të 7 qershorit, kishte arritur të siguronte orientimin e votave drejt partisë së mbështetur prej saj me anë të kërcënimeve.

Në përgjigje të një pyetjeje, Erdogan sqaroi se gjatë Procesit të Zgjidhjes, veçanërisht prefektët në zonat e Anadollit Lindor dhe Juglindor, bazuar në direktivat që u ishin dhënë, nuk kishin ndërmarrë operacione si ato aktuale kundër organizatave terroriste, qoftë PKK apo DAESH.

“Menduam se ndoshta do të mblidhnin veten, mbase nuk do të vazhdonin më kështu; por fatkeqësisht nuk i thirrën mendjes, përkundrazi, gjatë këtij procesi, për fat të keq nisën një fazë përgatitore. Dhe këtë ne e pamë gjithashtu në zgjedhjet e mëparshme të 7 qershorit, e pamë në Lindje, në Juglindje të vendit”, u shpreh Presidenti Erdogan.

“Grupet terroriste sulmojnë me armë të rënda banesat kolektive të shtetit dhe këtë e bëjnë sepse nuk pranojnë kurrë forcën zyrtare të sigurisë së shtetit”, theksoi kreu i shtetit turk.

Sepse, shtoi Erdogan, synimi i këtyre është tjetërkund, pra “zonat e çliruara”. Por këtyre nuk do t’iu japim kurrë një shans të tillë brenda këtij vendi. Megjithatë bëj thirrje edhe nga këtu që grupet mediatike që i përkrahin, grupet financiare që i mbështesin ata, të gjithë ata, që u sigurojnë mbështetje të brendshme dhe të jashtme, herët apo vonë kanë për ta paguar koston e kësaj, që po bëjnë. Jam i bindur se Shteti i Republikës së Turqisë, ky komb, populli turk me të gjithë popujt e vendit, qëndrimin dhe përgjigjen e vetë përballë këtyre zhvillimeve do ta japë në formën më të mirë, brenda kornizës ligjore dhe në një klimë demokratike.

Ndërsa në lidhje me vandalizmin e Izraelit në Xhaminë al-Aksa dhe shkeljet e tij në dëm të palestinezëve, Presidenti turk tha se ky zhvillim do të ketë pasoja shumë serioze në Lindjen e Mesme.

“Uroj që kjo çështje të zgjidhet sa më parë të jetë e mundur, përkundrazi, kjo ecuri nuk është një shenjë e mirë. Pra, për mendimin tim, administrata izraelite do bën një hap shumë të gabuar në këtë rast. Nëpërmjet këtij hapi, fatkeqësisht, Izraeli gati sa nuk e provokon botën islame në mënyrë të hapur; ai është shumë pranë ndezjes së këtij fitili të ri në Palestinë dhe Lindjen e Mesme. Dhe më duket se do të shkaktojë dëme tepër serioze në këtë rajon”, u prononcua Erdogan rreth qëndrimit të Izraelit për Xhaminë al-Aksa.

Sa i takon pyetjes mbi dramën e refugjatëve apo krizën e emigrantëve, që buron kryesisht nga lufta civile në Siri, Presidenti Erdogan tërhoqi vëmendjen se Turqia nuk i mbyll kampet e saj për të ardhurit nga ky shtet; Turqia nuk bën atë, që po bëjnë aktualisht vendet perëndimore.

“Kur kryetarët e shteteve apo qeverive të huaja, si dhe ministrat e tyre të Punëve të Jashtme, kanë vizituar e parë kampet e refugjatëve në Turqi, na kanë përgëzuar për këndvështrimin tonë ndaj njerëzve, duke thënë edhe se nuk kanë parë kampe më të bukura e funksionale se këto në botë. Deri më sot, në Siri kanë humbur jetën mbi 300.000 njerëz dhe përballë kësaj situate ne kemi vendosur që të zbatojmë politikën e portave të hapura”, saktësoi ai.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan theksoi se një tjetër kërcënim në rajon është edhe DAESH-i, duke shtuar se “lufta e Turqisë ndaj kësaj organizate terroriste vazhdon me vendosmëri”.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme