Erdogan: Dënimi i Morsit çon demokracinë në gijotinë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka reaguar sërish në lidhje me dënimin me vdekje të ish-presidentit egjiptian, Muhammed Morsi, rrëzuar me grusht shteti nga junta ushtarake e Sisit.

Erdogan: Dënimi i Morsit çon demokracinë në gijotinë

“Heshtja e botës ndaj kësaj padrejtësie do të thotë të mohosh vetveten. Ata nuk do ta ekzekutojnë dot Morsin”, ka thënë Erdogan drejtuar turmës së entuziazmuar, që ishte tubuar për ceremoninë e përurimit kolektiv në Provincën Kajseri.

“I bëj thirrje të gjithë botës. U bëj apel të gjitha institucioneve ndërkombëtare. Përse u renditët përkrah Sisit? Përse nuk ndërmorët sanksione?”, vijoi ai.

Duke theksuar se dënimi me vdekje i Muhammed Morsit është krejtësisht i papranueshëm, lideri turk vuri në pah se heshtja e botës ndaj kësaj padrejtësie do të thotë të mohosh vetveten.

“Bota perëndimore ngre në rend të ditës vazhdimisht retorizmin e demokracisë. Por vendimi për dënim kapital ndaj Morsit çon në gijotinë demokracinë dhe vullnetin kombëtar”, shtoi Erdogan.

Në vijim, Presidenti turk pati një takim me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, ku bëri një tjetër vlerësim të dënimit me vdekje të ish-presidentit egjiptian.

“Në shënjestër të këtij vendimi nuk është vetëm ish-presidenti Morsi, por i gjithë populli egjiptian, që i ka varur shpresat, kërkesat dhe të priturat tek politika legjitime. Ky vendim është dekret për ekzekutimin e demokracisë së Egjiptit. Ky është një plumb kundër shpresës për demokraci, drejtësisë, paqes dhe qetësisë në Egjipt”, u shpreh Presidenti Erdogan.

Ndaj dënimit kapital për Morsin ka reaguar edhe Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, duke i cilësuar autorët e këtij dënimi me vdekje si “faraonë modernë”.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme