Çavusoglu: Turqia në koordinim me BE për Libinë dhe emigrantët

Shefi i diplomacisë turke, Mevlut Çavusoglu, bëri një vlerësim të Samitit të Ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s, që vijon punimet në Antalia, provincë turistike në jug të Turqisë.

Çavusoglu: Turqia në koordinim me BE për Libinë dhe emigrantët

Mevlut Çavusoglu bëri me dije se në sesionet e ndryshme të samitit u trajtuan çështje të rëndësishme si Afganistani, Ukraina, luftëtarët e huaj dhe problemi i emigrantëve, mënyrat sesi mund të vendoset siguria e vendeve anëtare të NATO-s përballë kërcënimit të terrorit, si dhe eliminimi i plotë i kanosjes në fjalë.

Pasi theksoi se zhvillimet në Ukrainë janë shndërruar në një kërcënim serioz për sigurinë e Evropës dhe të gjithë rajonit, Ministri Çavusoglu tërhoqi vëmendjen se Turqia është në favor të tërësisë territoriale të Ukrainës dhe se problemi duhet të zgjidhet me rrugë diplomatike. “Këtë qëndrim ia përcolla personalisht edhe homologut ukrainas, Pavlo Klimkin, gjatë një takimi kokë më kokë", shtoi ai.

Ndërsa zhvillimet rajonale dolën në plan të parë veçanërisht në takimin e kryediplomatit turk me sekretarin britanik të Shtetit për Punët e Jashtme dhe Komonuelthin, Philip Hammond.

Çavusoglu vuri në pah se problemet në Siri, duke u nisur nga çështja e luftëtarëve të huaj, u interesojnë të gjitha vendeve dhe veçanërisht Britanisë së Madhe e Australisë.

“Edhe pse bashkëpunimi ndërmjet shërbimeve informative është rritur ndjeshëm për sa i takon luftëtarëve të huaj, Turqia e konsideron ende të pamjaftueshëm nivelin aktual", nënvizoi ai.

Sakaq, pikat në krye të agjendës së vendeve të Mesdheut ishin Libia dhe emigrantët.

Ministri Çavusoglu u rikujtoi vendeve mesdhetare, të shqetësuara thellësisht nga zhvillimet në Libi dhe çështja e emigrantëve të jashtëligjshëm, se Turqia punon në koordinim të plotë me BE-në për sa i takon çështjes në fjalë.



Lajme të ngjashme