Erdogan: Bota islame të bashkohet e luftojë për të drejtat në OKB

"U bëj thirrje vendeve myslimane që të bashkohen dhe kërkojnë të drejtat e tyre, që askush nuk do t'ua japë nëse nuk ngrihen dhe luftojnë vet për to", ka deklaruar Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë Konferencës X të PUOICM, në Stamboll.

Erdogan: Bota islame të bashkohet e luftojë për të drejtat në OKB

“Zëri i 56 vendeve islame anëtare të Kombeve të Bashkuara nuk dëgjohet në këtë organizatë, prandaj u bëri thirrje shteteve në fjalë që të bashkohen dhe të kërkojnë të drejtat e tyre, që askush nuk do t'ua japë nëse nuk ngrihen dhe luftojnë vet për to”, ka deklaruar Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Konferenca X e Unionit Parlamentar të Vendeve Anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (PUOICM) po zhvillon punimet në Stamboll.

Gjatë fjalimit të tij në këtë takim të nivelit të lartë, Presidenti Erdogan është ndalur mbi situatën aktuale dhe problemet në botë, duke vënë theksin tek nevoja e ristrukturimit të OKB-së dhe rolit më aktiv të vendeve islame në zgjidhjen e çështjeve me rëndësi rajonale dhe globale.

Në fillim të fjalës së tij, lideri turk u ka rikujtuar të pranishmëve se Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë është themeluar në prill të vitit 1920 dhe se motoja e themelimit të këtij organi ishte një ajet nga Kurani Fisnik: "Ata punën e vet e bëjnë duke u konsultuar me njëri-tjetrin."

Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI) dhe Unioni Parlamentar i Vendeve Anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (PUOICM) duhet veprojë sipas këtij parimi, ka vijuar Erdogan, sepse në këtë mënyrë do të ishin më efikas në sheshimin e problemeve aktuale.

Kreu turk i shtetit ka nënvizuar se ky takim i zyrtarëve të vendeve islame është një shans madhor për bisedime dhe konsultime të hapura, pa asnjë kompleks e frikë, rreth problemeve më të rëndësishme të kësaj pjese të botës.

"Ne vërtetë mund të flasim gjuhë të ndryshme, mund të vijmë nga vende të ndryshme, mund t'iu përkasim grupeve etnike dhe sekteve të ndryshme, por ato, që dëgjohen sot nga kjo foltore, janë ligjërata fryt i ndërgjegjes dhe mendimit tonë të përbashkët. Të gjithë jemi pasues të Kuranit Famëlartë dhe flamurtarë të paqes së profetit tonë Muhamed. Ekzistojnë pyetje të tilla kur të gjithë heshtin, ndërsa vetëm Kurani flet. Ekzistojnë probleme të tilla kur të gjithë s’pipëtijnë, ndërsa buçasin vetëm thëniet (hadithet) e vërtetuara të Profetit Muhamed. Ka ngjarje pikëlluese dhe prekëse kur të gjitha vendet duhet t'i vendosin interesat e tyre në plan të dytë, t'i tejkalojnë dallimet ndërsektare, t’i harrojnë të gjitha keqkuptimet, kufijtë artificialë, kur bëhet fjalë për të ngjallur frymën e unitetit dhe vëllazërisë", ka thënë Erdogan.

Duke tërhequr vëmendjen mbi atë se bota islame po përjeton ngjarje serioze, ku myslimanet vriten mes tyre dhe derdhin gjakun e njëri-tjetrit, Presidenti Erdogan ka thënë se e gjithë kjo tregon se myslimanët janë ndoshta duke u larguar nga vlerat e tyre dhe shtoi se kjo është një periudhë kritike, në të cilën myslimanët duhet t'iu kthehen vlerave të vëllazërisë dhe zgjidhjes së përbashkët të problemeve, si dhe të anashkalojnë të gjitha debatet dhe ngatërresat.

Po ashtu, Erdogan ka thënë se në Palestinë ndodhin tragjedi pothuajse për ditë dhe gjatë tërë shekullit, ndërsa shtoi se vlerësimi i këtyre tragjedive përmes prizmit të ideologjive, sekteve dhe partive politike nuk është as islamike dhe as e justifikuar. Duke vënë në pah dramat e miliona myslimaneve në Siri, Irak, Egjipt, Afganistan dhe vende të tjera myslimane, Presidenti turk ka thënë se është koha që të gjithë myslimanët të mendojnë sërish mirë, "sepse, shumë thejsht, në Ditën e Gjykimit të gjithë do të japin llogari për veprat e tyre".

A na çliron nga përgjegjësia solidarizimi me vuajtjet e Palestinës për shkak të vrasjeve të fëmijëve? A çlirohemi nga përgjegjësia kur vetëm tronditemi nga lajmet për qindra të vrarë, miliona të zhvendosur në Siri dhe për vdekjet e fëmijëve të uritur dhe të mardhur në kampet e refugjatëve? A jemi çliruar nga çdo përgjegjësi kur në rastet e vrasjeve ndërvëllazërore në Irak konstatojmë vetëm se janë konflikte ndërsektare?, janë këto disa nga pyetjet, që Erdogani u ka drejtuar të pranishmëve.

Presidenti turk ka folur edhe për organizatën terroriste ISIS, duke theksuar se ajo nuk ka aspak lidhje me vlerat islame, por në emër të myslimanëve kryen masakra të tmerrshme dhe vret pikërisht myslimanët.

Erdogani ka potencuar se myslimanët duhet t’i zgjidhin vet problemet e tyre dhe jo ta presin atë nga të huajt, të cilët abuzojnë me të; siç është rasti me Libinë, një vend i varfër, por me pasuri të mëdha, që përfundojnë në Perëndim.

"Ne duhet të bisedojmë, madje nuk kemi nevojë as për përkthyes, sepse ne flasim me gjuhën e zemrës, ashtu si besimtarët që drejtohen kah Qabesë. Së bashku mund të kemi ndikim në zgjidhjen e çështjeve rajonale, madje dhe globale. Kur autoritetet e botës islame qëndrojnë duarkryq, atëherë mejdani u mbetet të huajve, në mesin e të cilëve ka edhe komplotistë edhe terroristë edhe "Lawerence" modern (referim për Laurencin e Arabisë – shën. përkth.). Theksoj se vendimet për Sirinë, ku për ditë vdesin vëllezërit tanë, nuk i marrim ne, por të huajt. Për të ardhmen e Sirisë nuk bisedoni ju dhe nuk merrni vendime ju, që ndodheni në këtë sallë, apo parlamentet tuaja, por fuqi, grupe dhe qarqe të tjera", ka thënë Erdogan.

Sa i takon pozicionit të vendeve islame në Kombet e Bashkuara, lideri turk është shprehur se kjo organizatë dhe mekanizmi i Këshillit të Sigurimit sot është konceptuar në atë mënyrë që zëri i myslimanëve as mos të dëgjohet edhe as mos të kalojë brenda këtyre qarqeve. Pasi ka theksuar se fjalën e fundit në OKB e thonë pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, Erdogani vuri në pah se pikërisht këto vendosin edhe për situatën në Iran, Irak, Palestinë, Siri dhe në vendet e tjera myslimane. 

"Tani po e them hapur edhe këtu se bota është më e madhe se pesë. Vëllezër, a ka ndonjë vend mysliman në mesin e këtyre pesë shteteve anëtare të përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së? Parë nga aspekti i përfaqësimit kontinental, ato vende përfaqësojnë Evropën, Amerikën dhe Azinë, por çfarë bëhet me të tjerët? A është dorëzuar bota në duart e këtyre pesë vendeve? Politikanët duhet të rifreskojnë jetët e tyre. Pa këtë rifreskim të politikës nuk ka as qeveri të suksesshme. Në këtë kontekst, e nevojshme është edhe ristrukturimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së", ka përfunduar Presidenti Erdogan.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme