Ahmet Çalik merr nga Shqipëria çmimin e Solidaritetit Social 2014

Ministria shqiptare e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nderoi të premten me çmimin e Solidaritetit Social 2014, Ahmet Çalik, President i Çalik Holding, me motivacionin për "vëmendje dhe kontribut të veçantë të kompanive Çalik Holding në Shqipëri".

Ahmet Çalik merr nga Shqipëria çmimin e Solidaritetit Social 2014

Ceremonia e dorëzimit të çmimit u zhvillua në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë, në prani edhe të ambasadorit të Republikës së Turqisë në Shqipëri, Hidayet Bayraktar.

Në fjalën e tij, ministri Erion Veliaj falënderoi z. Ahmet Çalik për kontributin social, që kompanitë e tij kanë dhënë në Shqipëri, duke nënvizuar se ky është një shembull i mirë për t’u ndjekur. "Ajo, që z. Çalik dhe grupin e tij e bën të madh në sytë e fëmijëve në nevojë, nuk është suksesi ekonomik, financiar, apo i biznesit, por dashuria e madhe me të cilën kanë ndërtuar një kinema të re për ta, si kjo në shtëpinë e fëmijës. Ky investim është një nga shumë investimet, që Çalik Holding ka bërë në disa nga shtëpitë e fëmijës", tha Veliaj.

Çalik tha se ky çmim u shkon punonjësve të kompanive, që operojnë në Shqipëri. "Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë. Unë jam i gëzuar që grupi më i madh i telekomunikacionit në Shqipëri ka kontribuar për fëmijët", u shpreh ai.

Gjatë këtij viti, kompanitë Albtelecom, Eagle Mobile dhe BKT kanë kontribuar në rinovimin e mobiljeve të Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë; restaurimin e Shtëpisë së Fëmijës në Vlorë, Qendrës Sociale të Velipojës, sallës së kinemasë të Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallullit”; kanë dhuruar pajisje mjekësore për sektorin e shëndetësisë; internet falas për Shtëpitë e Fëmijës në Shkodër, etj.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme