Cavusoglu-Ban, takim në Nju-Jork për situatën në Lindje të Mesme

Në kuadër të kontakteve të tij në Nju-Jork, ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Cavusoglu, realizoi një takim me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon.

Cavusoglu-Ban, takim në Nju-Jork për situatën në Lindje të Mesme

Kreu i OKB-së theksoi se fushata e kandidaturës për anëtarësim të përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuar ishte e drejtë dhe se Turqia mund të bëhet pjesë e Këshillit të Sigurimit herën tjetër.

Ban Ki-Moon sqaroi se shoqëria ndërkombëtare vuan nga mungesa e një strategjie për luftën kundër organizatës terroriste ISID, ndërsa vuri në pah se problemet në Irak dhe rajon mund të zgjidhen vetëm nëpërmjet bashkëpunimit dhe një strategjie të drejtë dhe mirëstudiuar.

Kurse ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, u shpreh se në zgjedhjet për anëtarësim të përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka fituar demokracia dhe se Turqia do t’i vijojë më vrullshëm punimet e saj në kuadrin e Kombeve të Bashkuara.

Po ashtu, shefi i diplomacisë turke tërhoqi vëmendjen se në vitin 2016, Turqia do të mirëpresë Samitin Humanitar Botëror në Stamboll dhe do të vijojë më fuqishëm nismat e saj për ta bërë këtë metropol një qendër të OKB-së.

Duke vënë theksin mbi domosdoshmërinë e arritjes së një paqeje të qëndrueshme në Palestinë, Cavusoglu tha se Turqia ka premtuar 200 milionë dollarë për rindërtimin e Rripit të Gazës.

Në takim, ministri i Jashtëm turk i shpjegoi kreut të OKB-së gjithashtu se vendi i tij ka shpenzuar deri më tani 4,5 miliardë dollarë për refugjatët sirianë dhe se në Turqi kanë ardhur në jetë mbi 33 mijë foshnja siriane vetëm gjatë vitit të kaluar.

Mevlut Cavusoglu potencoi në prani të Ban Ki-Moonit se nuk është e mundur që Turqia të veprojë si të ishte Organizata e Kombeve të Bashkuara, duke kërkuar nga shoqëria ndërkombëtare që të demonstrojë më shumë ndjeshmëri dhe solidaritet në lidhje me këtë çështje.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme