SHBA - Erdoan mban fjalim në Këshillin e Marrëdhënieve të Jashtme

Presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan, mbajti të hënën një fjalim përpara Këshillit të Marrëdhënieve të Jashtme, një institucion mendimi nga më prestigjiozët në SHBA.

SHBA - Erdoan mban fjalim në Këshillin e Marrëdhënieve të Jashtme

Presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan, vijon kontaktet në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku shkoi të dielën për të marrë pjesë në punimet e Sesionit të 69-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Kontaktet e Presidentit Erdoan nisën të hënën me një fjalim përpara Këshillit të Marrëdhënieve të Jashtme, një institucion mendimi nga më prestigjiozët në SHBA.

Erdoani, i cili gjatë fjalimit të tij bëri një vlerësim të zhvillimeve rajonale e globale, deklaroi se Turqia, falë përvojës dhe akumulimit të jashtëzakonshëm të saj, të cilat ka trashëguar nga historia, do të vazhdojë të kontribuojë me çdo mënyrë për paqen rajonale dhe globale.

“Ashtu si dhe deri më sot, politika e jashtme e Turqisë do të vijojë të përparojë në themelet e paqes, solidaritetit, ligjeve ndërkombëtare dhe drejtësisë. Me anë të standardeve demokratike, që zotëron dhe përmirëson në mënyrë të vazhdueshme, Turqia do të mbrojë vetinë e të qenit një shembull i suksesshëm për paqen rajonale dhe botërore”, theksoi ai.

Në vijim, lideri turk pati një takim me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun.

Pikat kryesore, që u trajtuan gjatë takimit Erdoan-Ban, ishin lufta antiterror, refugjatët sirianë, zona e ndalimfluturimit, çështja e Qipros, Gaza, Ukraina, ndihmat humanitare në Somali, Aleanca e Qytetërimeve, ndryshimi i klimës dhe epidemia Ebola.

Po ashtu, kreu i OKB-së përshëndeti Turqinë për shpëtimin shëndoshë e mirë të qytetarëve turq, që ishin marrë peng në Mosul të Irakut nga ISID-i.

Kurse Presidenti Erdoan vuri në pah se Iraku dhe Siria duhen vlerësuar si një fushëveprimi e vetme për sa i takon luftës kundër terrorit dhe se është me rëndësi jetike që të hidhen hapa, të cilat do të mundësojnë shkatërrimin e terrenit prej nga ushqehen vatrat e terrorit.

Sakaq, Erdoani organizoi në Shtëpinë Turke në Nju-Jork edhe një recepsion me rastin e Sesionit të 69-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Në fund të ditës së hënë, Presidenti Rexhep Tajip Erdoan dhe Zonja e Parë Emine Erdoan, morën pjesë në darkën e shtruar për nder të tyre nga Mixha Ertegyn, bashkëshortja e biznesmenit të ndjerë turko-amerikan, Ahmet Ertegyn.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme