Debate paszgjedhore në Partinë CHP

Disa deputetë të partisë kërkojnë dorëheqjen e kryetarit Këllëçdarollu dhe organizimin e kongresit të jashtëzakonshëm.

Debate paszgjedhore në Partinë CHP

Në Partinë Republikane Popullore, CHP, e cila në zgjedhjet presidenciale doli me kandidat të përbashkët, kanë filluar edhe debatet paszgjedhore.

Deputetja e partisë në fjalë nga Ankaraja, Emine Ylker Tarhan në një konferencë për shtyp të organizuar së bashku me një grup tjetër të deputetëve kërkoi dorëheqjen e kryetarit të partisë Kemal Këllëçdarollu dhe organizimin e kongresit të jashtëzakonshëm të partisë.

Edhe deputeti Muharrem Inxhe kreu i grupit parlamentar në një mesazh të publikuar në rrjetin social Twitter rezultatet e zgjedhjeve i cilësoi si humbje dhe se kjo gjendje është e papranueshme.

Partia kryesore opozitare CHP së bashku me partinë tjetër opozitare të Lëvizjes Nacionaliste, MHP, në zgjedhjet presidenciale si kandidat kishin paraqitur ish-kreun e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, Ekmeleddin Ihsanollun.

Krahas CHP dhe MHP kandidati i përbashkët u përkrah edhe nga ana e 12 partive tjera jashtë parlamentit.

Në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 10 gusht kandidati i Partisë në pushtet, AK, Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan fitoi 51,79% të votave.

Ndërsa kandidati i përbashkët i partive opozitare, Ekmeledin Ihsanollu mori 38,44% të votave.

Rezultatet e zgjedhjeve në Partinë CHP ndezën debatin e mosparaqitjes së kandidaturës së ndonjë kandidati nga ana e vet partisë por vendosja e një kandidati nga jashtë.

Kryetari i partisë, Kemal Këllëçdarollu la derën hapur në lidhje me organizimin e kongresit të partisë.

Në deklaratën e tij të bërë për një gazetë, Këllëçdarollu në pyetjen se “A nxisin rezultatet e zgjedhjeve debatin e kreut të partisë në CHP?” ishte përgjigjur me fjalët: “Jo nuk do ti nxisin, por do të isha i lumtur sikur ti nxisin këto debate. Paraqiten kandidatët për kryetarë dhe bëhet një garë demokratike. Në qoftë se bëhet ftesë për kongres atëherë do ta respektojmë”.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme