Shtypi botëror 17.02.2016

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat botërore këtë javë.

Shtypi botëror 17.02.2016

Rusi – “Ria Novosti": “Ankaraja paralajmëron Moskën për sulmet e reja ajrore"

Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë e ka akuzuar edhe një herë Rusinë për marrjen në shënjestër të civilëve duke e cilësuar këtë si “krim lufte". Gjithashtu ministria e Jashtme turke thekson se në rast se Rusia nuk i ndërpret menjëherë sulmet, atëherë do të jetë e pashmangshme përballja e saj me pasoja edhe më serioze. “Në mbledhjen e Grupit Ndërkombëtar për Përkrahjen e Sirisë" mbajtur më 11 shkurt në Mynih të Gjermanisë u mor vendimi për ndërprerjen e përleshjeve në Siri. Vetëm se pavarësisht një vendimi të tillë Rusia vazhdon të godasë civilët, shkollat dhe spitalet në Siri", - shkruhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë. “Dënojmë me forcë këto sulme, të cilat janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe njëherësh krim lufte. Do të jetë e pashmangshme përballja e Rusisë me pasoja edhe më të mëdha dhe serioze në qoftë se nuk u jep fund urgjentisht sulmeve", vijon komunikata.

Radioja Ndërkombëtare e Kinës (China Radio International-CRI): “Vendet e OPEC-ut arrijnë në marrëveshje"

Vendet anëtare të OEPC-ut (Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës), ku bën pjesë edhe Arabia Saudite, kanë rënë dakord për të mbajtur në nivelin aktual prodhimin e naftës. Në takimin e realizuar në kryeqytetin e Katarit, Doha, me pjesëmarrjen e Ministrit Saudit të Naftës Ali al-Naimi, Ministrit të Energjisë së Rusisë Aleksander Novak dhe Ministrit të Naftës së Venezuelës Eulogio Del Pino, u mor vendimi për të “ngrirë" në nivelin aktual kuotën e prodhimit të naftës. Iraku kërkoi të marrë pjesë në marrëveshjen në fjalë të limitimit, e firmosur ndërmjet vendeve prodhuese të naftës, kurse Azerbajxhani nuk iu afrua. Çmimi për një fuçi naftë bruto, që do të dorëzohet në muajin prill, për Kontratat e Transaksioneve me Maturim për naftën e tipit Brend me seli në Londër, në orët e para të mëngjesit të së martës u rrit në nivelin e 35,55 dollarëve. Por pak më vonë çmimet e tregut ranë sërish në 34 dollarë për fuçi për shkak të shqetësimeve se në grupin e vendeve që duan të limitojnë kuotat do të hyjë edhe Irani .

Deutsche Welle" (DW): “Thatësira vrasëse në Afrikë"

Afrika po përballet me thatësirën më të keqe të viteve të fundit. Thatësira kërcënon 14 milionë njerëz të këtij kontinenti. Në krye të vendeve afrikane që pritet të ndikohen më shumë qëndron Etiopia. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB) më shumë se 10 milionë njerëz në Etiopi presin mbërritjen e ndihmave urgjente ushqimore. Për një kohë shumë të shkurtër kjo shifër mund të dyfishohet. Gjendja nuk ndryshon shumë edhe në vendet e tjera të Afrikës. Në Zimbabve, Afrikën e Jugut dhe në Malav e shumë vende të tjera afrikane të prekura nga thatësira, të korrat dhe prodhimet nuk mjaftojnë. Mendohet se thatësira në këtë kontinent buron nga dukuria natyrore El Nino.

Agjencia iraniane e lajmeve FHA: “Bankat iraniane lidhen me sistemin ndërkombëtar SWIFT"

Drejtori i Kabinetit të Presidentit të Iranit, Muhamed Nihavendian, ka deklaruar se Banka Qendrore e Iranit bashkë me 15 banka të tjera iraniane janë lidhur në mënyrë direkte me sistemin SWIFT (Society for Worldwide Interbank Financial Telecommunication), i cili siguron standardin e transferimit elektronik të fondeve ndërmjet bankave në botë. –“Në fakt kjo lidhje është e drejtpërdrejt, përndryshe më herët në mënyrë indirekte bankat iraniane me sistemi SWIFT ishin lidhur një ditë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes bërthamore Bercam. Tani është bërë e mundur edhe fillimi i procedurave në vendet evropiane për të marrë garanci bankare, Letër Kredie-LC (Stand-By Letter of Credit)", sqaroi Nihavendian.



Lajme të ngjashme