Futbollisti turk ndjehet i diskriminuar, lë kombëtaren e Gjermanisë

Në një deklaratë që ka bërë në median sociale, Mesut Ëzil (Özil) theksoi se i ka dhënë fund karrierës së tij në ekipin kombëtar të Gjermanisë, me të cilin nga 2009 ka luajtur 92 ndeshje dhe ka shënuar 23 gola.

Futbollisti turk ndjehet i diskriminuar, lë kombëtaren e Gjermanisë

Futbollisti gjerman me origjinë turke Mesut Ëzil (Özil) njoftoi se është larguar nga ekipi kombëtar i Gjermanisë.

Në një deklaratë që ka bërë në llogaritë e tij në median sociale, Mesut Ëzil shkruan se i ka dhënë fund karrierës së tij në ekipin kombëtar të Gjermanisë, fanellën e të cilit e ka veshur 92 herë dhe ka shënuar 23 gola nga viti 2009 e këtej.

Vendimin e tij futbollisti me origjinë turke, Mesut Ëzil, i cili në kombëtaren gjermane ka fituar kupën botërore FIFA 2014 dhe ka zënë vendin e tretë në botë në 2010-n, e ka shprehur me këto fjalë:

"Nuk mund ta përfaqësoj më Gjermaninë në nivel ndërkombëtar teksa ndjehem i ekspozuar ndaj racizmit dhe mosrespektimit. Fanellën e Gjermanisë e kam veshur me krenari dhe ngazëllim, por tashmë nuk i ndjej më të njëjtat gjëra. Ka qenë e vështirë për ta marrë këtë vendim, sepse kam dhënë gjithçka për shokët e ekipit, trajnerët dhe popullin gjerman. Por fakti që drejtuesit e lartë të Federatës Gjermane të Futbollit nuk respektojnë origjinën time turke dhe më kthyen në një mjet të propagandës politike bënë që gjërat të arrijnë deri në një pikë të padurueshme. Për këtë arsye nuk mund të luaj futboll. Nuk mund të rri ashtu kot duke mos bërë asgjë. Diskriminimi është i papranueshëm".

Futbollisti 29-vjeçar kritikoi për qëndrim të padrejtë edhe Presidentin e Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), Reinhard Grindel, i cili e kishte akuzuar atë dhe një tjetër futbollist gjerman me origjinë turke, Ilkaj Gyndoan (İlkay Gündoğan) për instrumentalizim të zgjedhjeve (presidenciale dhe parlamentare të 24 qershorit në Turqi) duke iu referuar takimit që kishin pasur ata me Presidentin Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan).

“Për njerëz si Grindeli, kur fitojmë unë jam gjerman, kur humbim jam emigrant. Shoqëria gjermane nuk më pranon dhe vazhdon të më trajtojë ndryshe pavarësisht se unë i paguaj taksat në Gjermani, jap donacione për shkolla, fitoj Kupën e Botës me kombëtaren gjermane. A ka ndonjë kriter të nevojshëm për të qenë gjerman dhe të cilin nuk e kam unë? Nuk kam dëgjuar që lojtarët e tjerë të ekipit, Lukas Podolski dhe Miroslav Klose të cilësohen si polako-gjerman. Atëherë përse unë thirrem e përkufizohem si turko-gjerman. Për atë që jam me origjinë turke? Që jam mysliman?”, shkruan Mesuti në reagimin e tij, ku kritikon edhe qëndrimin e medias gjermane.

“Mund ti pranoj kritikat ndaj futbollit tim, por nuk mund ta pranoj që media gjermane të më kritikojë mua për dynënshtetësinë dhe të ma faturojë mua ecurinë e keqe të ekipit në Kampionatin Botëror (Rusi 2018) duke u nisur nga një fotografi e imja (me Erdoanin)”, shtoi ai.

 


Lajme të ngjashme