Rio 2016 - Majlinda fiton medaljen e parë të artë për Kosovën

Xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi ka hyrë në histori duke fituar në Lojërat Olimpike Rio 2016 në xhudo në kategorinë deri në 52 kilogramë medaljen e parë të artë për Kosovën.

Rio 2016 - Majlinda fiton medaljen e parë të artë për Kosovën

Majlinda Kelmendi ka hyrë në histori duke fituar në Lojërat Olimpike Rio 2016 në xhudo në kategorinë deri në 52 kilogramë medaljen e parë të artë për Kosovën.

Në finale Majlinda Kelmendi mundi italianen Odette Giuffrida, e cila ka fituar medalje argjendi.

Për këtë fitore historike kanë reaguar edhe drejtuesit më të lartë të shtetit të Kosovës, si Presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri Isa Mustafa dhe kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.

"Krenar dhe përplot emocion me suksesin e Majlindës. Flamurin e Kosovës, para miliona shikuesve anekënd botës e flakëroi në ar. Si askush tjetër, Majlinda personifikon historinë e re të sportit dhe suksesit ndërkombëtar të Kosovës. Ne erdhëm si fitues në Rio dhe po kthehemi sërish fitues në Kosovë. Me këtë fitore, Majlinda shënoi ipon për politikën e jashtme të Kosovës. Urime të gjithëve", shkruan Thaçi në profilin e tij në Facebook.

Gjithashtu ka reaguar edhe Kryeministri Isa Mustafa, ku në profilin e tij në Facebook shkruan: "Atë që shumë shtete nuk kanë arritur ta bëjnë gjatë dhjetëra vjet pjesëmarrjeje në Lojërat Olimpike, Kosova jonë e dashur, me heroinën e saj brilante, Majlinda Kelmendin, e bëri që në olimpiadën e parë. Kosova fitoi sot medaljen e parë olimpike si shtet i pavarur dhe sovran dhe jam i bindur se medaljet do të jenë të pandalshme për sportistët tanë në vitet në vijim. T’i gëzohemi së bashku këtij momenti historik. Majlinda është e Artë, Kosova është e Artë".

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, në Facebook shkruan: "Majlinda Kelmendi bëri historinë. Ajo sonte në mënyrë brilante, siguroi medaljen e parë olimpike për Republikën e Kosovës. Majlinda rrëmbeu emocionet tona duke dhënë dëshmi se ajo me të rinjtë tanë dhe përkushtimin e trajnerëve dhe institucioneve, mund të regjistrojnë suksese që gjenerata të tëra i ëndërruan. Fitove për ne, faleminderit kampione. Tani fito për vete dhe për ne."

Edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Kujtim Shala ka uruar xhudisten Majlinda Kelmendi, për suksesin e arritur në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, e cila u kurorëzua me medaljen e artë në xhudo në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Në një njoftim nga MKRS, duke uruar triumfin historik të xhudistes nga Kosova, thuhet se ministria në fjalë do të vazhdojë të përkrahë sportin e Kosovës

"Majlinda me talentin dhe suksesin e saj ka shkruar historinë e re të sportit të vendit tonë ngase sjellë medaljen e parë të artë olimpike për shtetin e Kosovës dhe fitorja e saj në Lojërat Olimpike 'Rio 2016' është një dëshmi e sukseseve për sportin e shtetit tonë. I dëshiroj suksese të mëtejme në rrugën e saj në sportin e xhudos. Ngadhënjimi i Majlindës dëshmon për cilësitë që ka sportistja jonë që njëherësh është edhe krenaria e shtetit tonë. Dhe, suksesi i saj në Rio, na bën të gjithëve që të ndihemi krenarë", u shpreh ministri Shala.


Fjalët Kyçe: Rio 2016 , Majlinda Kelmendi

Lajme të ngjashme