Serie A - Java e 21-të me mjaft të papritura

Pretendentët kryesorë, Roma dhe Juventus, janë mjaftuar me nga 1 pikë. Kryeqytetasit ngecën në “Olimpico”, ndaj Empolit, ndërsa bardhezinjtë u bllokuan në një barazim pa gola në “Friulli”, ndaj Udinezes të drejtuar nga Stramacioni...

Serie A - Java e 21-të me mjaft të papritura

Napoli i vendit të tretë fitoi ndaj Chievos në Verona. Djemtë e Benitez tashmë e shohin veten katër pikë larg nga Roma, duke kërcënuar verdhekuqtë për vendin e dytë. Rezultat surprizë dhe që çeli zyrtarisht krizën në shtëpinë zikaltër ishte humbja e Interit përballë Sassuolos në “Mapei Stadium”, ku zigjelbërit mbizotëruan përgjatë gjithë lojës, duke vënë në hije Shaqirin dhe Podolskin.

Gjermani duhet theksuar se ishte dhe lojtari më i dobët i takimit, ndërsa shqiptaro-zviceriani arriti të godiste njëherë shtyllën, por jo më shumë se kaq. Golin e vetëm për djemtë e Mançinit e shënoi Icardi në minutën e 83. Ky gol ishte më shumë meritë e mbrojtësve të Sassuolos, të cilët u keqkuptuan me njëri-tjetrin dhe i lanë topin Icardid, i cili i vetëm përballë portierit, ngushtoi rezultatin në 2-1, ku Zaza dhe Sanssone shënuan dy supergola pjesën e parë.

Golin e fundit të takimit e shënoi Berardi nga pika e bardhë e 11-të metërshit në minutën e 93’, duke i dhënë humbjes së Interit formën përfundimtare. Vërshëllima treshe e gjyqtarit të takimit jo vetëm që çeli zyrtarisht krizën në shtëpinë zikaltër, por ngriti në skenë një debat të nxehtë të dyshes Guarin-Icardi në drejtim të tifozëve. Të dy amerikano latinët në fund të takimit për të qetësuar tifozët e tyre i dhuruan bluzën e tyre, e cila iu rikthye nga tifozët si një copë lecke dhe më tej nisën dhe ofendimet reciproke mes tifozëve dhe lojtarëve në fjalë. Ndërhyrja e Ranochias, kapitenit të Interit qetësoi gjendjen.

Në orën 15:00, Juventus kryesues zbriti në “Friulli” për të marrë një trepikësh i cili do ta ngjiste 9 pikë larg Romës, që barazoi 1-1 në “Olimpico” me Empolin, ku verdhekuqtë zyrtarizuan barazimin e katërt radhazi dhe 6-in në tetë ndeshjet e fundit. Djemtë e Massimiliano Allegrit iu rikthyen skemës 3-5-2, me Caceres në krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërsa Lichteiner anësor i djathtë në mesfushë, ndërsa Pogba-Pirlo dhe Perreria në mesin e fushë dhe Llorente-Tevez në sulm.

“Nxituam për të gjetur golin dhe kjo na nervozoi dhe solli dhe mungesën e qetësisë para portës”, do të thoshte Allegri në fund të takimit të mbyllur 0-0, ku Juventus veç qarkullimit të topit nuk dhuroi asnjë rast për t’u shënuar. Në mbrëmje u luajt ndeshja Milan-Parma, ku Inzaghi hodhi në fushë nga minuta e parë Matia Destron, i cili edhe pse nuk shënoj debutoj me një fitore tek kuqezinjtë. Skuadra e Inzagit pas një seri rezultatesh negative arriti një fitore të merituar, duke zhytur Parmën edhe më tej në vendin e fundit.

Hero i takimit ishte Menez, që me një dopjetë të tij nënshtroi emilianët në “San Siro”, ndërsa Zakardo mbylli llogaritë. Pjesa e parë përfundoi 1-1, golit të shënuar nga Menez iu përgjigj Noçerino. Në pjesën e dytë ishin vetëm vendasit ata që kontrolluan gjithçka. Javës tjetër është supersfida mes Juventusit dhe Milanit.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme