Blatter fajëson indirekt UEFA-n për ngjarjen në Beograd

Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, fajësoi indirekt UEFA-n për incidentet, që ndodhën në ndeshjen Serbi-Shqipëri.

Blatter fajëson indirekt UEFA-n për ngjarjen në Beograd

Numri një i trupës qeverisëse të futbollit botëror, me diplomacinë e tij, u shpreh se UEFA duhet të kishte evituar përfshirjen e dy përfaqësueseve në të njëjtin grup, ndërsa preku temën e incidenteve, që ndodhën gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, gjatë një interviste të gjatë dhe shumëplanëshe për televizionin rus "Russia Today".

Sipas "KosovaPress", në studion e gazetares, Sophie Shevarnadze, gjatë një bashkëbisedimi, ku tema kryesore ishte Botërori i vitit 2018, që do të luhet në Rusi, shefi i FIFA-s u pyet dhe mbi çështjen e bojkotit të propozuar nga disa vende për Kupën e Botës, që do të zhvillohet pas 4 viteve, si përgjigje ndaj politikës së jashtme të Rusisë.

Blatter u përgjigj se "FIFA nuk ka asnjë dyshim që Botërori do të zhvillohet në Rusi", duke u shprehur kundër idesë së bojkotit.

Blatter arsyetoi se politika nuk duhet të abuzojë me futbollin, por mund ta ndihmojë duke sjellë si shembull faktin se FIFA po përpiqet që Izraeli dhe Palestina të luajnë ndeshje ndërmjet tyre dhe në këtë pikë politika mund të ndihmojë, duke sjellë dhe reagimin e gazetares ruse, që preku temën e ndeshjes Serbi-Shqipëri me pyetjen:

Ju sapo përmendët Izraelin dhe Palestinën. Është interesante, pasi shpesh, kur dy vende rivale garojnë në sport, nuk sjellin rezultatin më të mirë. Ne pamë Serbinë dhe Shqipërinë. Unë nuk po iu kërkoj ju të bëni një deklaratë mbi të, por thjesht po ju them: Gjëra të tilla ndodhin. Kështu që nuk janë vetëm politikanët, janë gjithashtu edhe sportistët, kur takohen përfshihen në zënka. Si mund të ndodhë kjo?

Blatter: Jo, sportistët nuk e bëjnë këtë, por ata janë provokuar. Ka gjithmonë një provokim. Përndryshe ju e dini, në futboll skuadrat përfaqësuese janë ambasadorët më të mirë të vendeve, ndaj duhet të jesh shumë i kujdesshëm kur vjen puna te garat dhe duhet të përpiqesh që të mos kesh ndeshje, ku që në fillim ti e di se mund të ketë një konflikt.

Pyetje: Si Azerbajxhani apo Armenia për shembull, ato nuk kanë luajtur kurrë bashkë…

Blatter: Po, në garat e FIFA-s, ne nuk i vendosim Armeninë dhe Azerbajxhanin në të njëjtin grup për të evituar problemet.

Pyetje: Pra ju nuk e shihnit se çfarë po vinte me Shqipërinë dhe Serbinë?

Blatter: Kjo nuk është një çështje e FIFA-s, por unë mendoj se tani të gjithë janë vënë në alarm për të evituar situata të tilla në të ardhmen, pasi ne nuk duhet të krijojmë situata, ku politikanët mund të abuzojnë platformën e futbollit. Ne thjesht duhet të bëjmë të kundërtën, pasi futbolli është aty për të lidhur njerëzit.

Edhe pse i shprehur në mënyrë të kujdesshme, qëndrimi i Blatter në një pikë është i qartë: UEFA nuk duhet të kishte lejuar Shqipërinë dhe Serbinë në të njëjtin grup. Ky qëndrim vjen në një kohë, kur vendimi i Komisionit të Etikës dhe Disiplinës në UEFA ka shkaktuar në të njëjtën kohë habi dhe pakënaqësi në mbarë opinionin ndërkombëtar me vendimin e tij për t’i hequr tri pikë përfaqësueses së Shqipërisë, që ishte pala e dëmtuar në Beograd, ku u bë objekt i dhunës dhe fyerjeve raciste deri në thirrjet kolektive për gjenocid ndaj shqiptarëve gjatë ndeshjes me Serbinë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme