Federata Shqiptare e Futbollit reagon për ndeshjen me Serbinë

Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar mbrëmë qëndrimin e saj në lidhje me ndeshjen Serbi – Shqipëri, të ndërprerë pa u mbyllur pjesa e parë e ndeshjes.

Federata Shqiptare e Futbollit reagon për ndeshjen me Serbinë

Sipas FSHF-së, autobusi i kombëtares shqiptare është goditur gjatë udhëtimit për në stadium. Mjetit lëvizës iu gjuajtën tre gurë, të hedhur nga tifozët serbë.

Para fillimit të nxjemjes nga ana e ekipit kuqezi, një pjesë e delegacionit zyrtar shqiptar, e drejtuar nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është goditur me një copë betoni, e cila është marrë në dorëzim nga ana e delegatit të UEFA-s, thekson FSHF.

Në çdo dalje të ekipit shqiptar apo individëve të tij, në fushën e lojës gjithçka bëhej agresive dhe tejet acaruese nga ana e tifozerisë vendase.

Pas përfundimit të nxjehjes, lojtarët janë goditur me një breshëri monedhash, çakmakësh dhe sendesh të tjera të forta, përpara se të futeshin në tunelin e hyrjes në stadium.

Për të gjithë periudhën, që u zhvillua nxjehja zyrtare përpara ndeshjes, koret fyese prej afro 30.000 zërash me fjalët “vritini shqiptarët” apo “vdekje shqiptarëve” ishin mbizotëruese.

Në rrethimin anësor të tribubës së majtë, mbi kangjella ishin me dhjetra tifozë serbë, të cilët, në sytë e policisë, vazhduan të qëndroin të paprekur deri në fund të minutave, që u luajtën.

Përpara fillimit të ekzekutimit të himneve, banda frymore ekzekutoi një marsh nacionalist, i cili nuk ishte i përfshirë në programin zyrtar dhe krijonte një emocion të jashtëzakonshëm nacionalist në stadium.

Himni Kombëtar i Shqipërisë është vërshëllyer masivish, aq sa ishte i padëgjueshëm për të pranishmit në tribuna dhe TV.

Në fushë janë hedhur gurë, sende të forta, çakmakë dhe fishekzjarrë, të cilat kanë ndikuar për keq në atmosferën e lojës dhe janë evidentuar nga pamjet filmike. Tre lojtarët, që dolën në nxjehje pas fillimit të ndeshjes, u goditën me sende të forta, aq sa zyrtarët e ndeshjes u detyruan që të ndërronin pozicionin e zhvillimit të saj.

Në fushë kanë hyrë civilë dhe kanë goditur lojtarët shqiptarë me grushta dhe karrige. Për më shumë, lojtarët tanë janë goditur edhe nga personeli i sigurisë.

Gjatë tunelit, që të çon në dhomat e zhveshjes, futbollistët shqiptarë janë goditur vazhdimisht nga tifozë, forca e sigurisë në stadium dhe policë.

Gjithashtu, para se futbollistët shqiptarë të lejoheshin të dilnin nga stadiumi, me urdhër të Prokurorit të Beogradit (sipas deklaratës së policisë) i gjithë stafi dhe lojtarët e ekipit kombëtar u kontrolluan fizikisht një për një, së bashku me sendet personale.

FSHF-ja është e mendimit se të gjitha veprimet e renditura më lart nuk i kanë shërbyer mbarëvatjes dhe zhvillimit normal të ndeshjes, e cila nuk arriti të përfundonte, thuhet në deklaratën e Federatës Shqiptare të Futbollit.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme