SHBA – Bernie Sanders premton të mos fshehë informacionet për UFO-t nëse zgjidhjet president

Kandidati demokrat për garën presidenciale të vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bernie Sanders, senator i Vermontit, ka premtuar se nuk do të fshehë asnjë informacion për objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO) nëse zgjidhet president.

SHBA – Bernie Sanders premton të mos fshehë informacionet për UFO-t nëse zgjidhjet president

Siç bën të ditur kanali informativ “Fox News”, duke folur në një radio lokale gjatë së martës, i pyetur nga gazetari nëse do të publikojë të dhëna rreth jashtëtokësorëve nëse votuesit amerikanë i besojnë postin e presidentit, Sanders është përgjigjur pozitivisht.

“Më lejoni t’ju them se gruaja ime do të kërkonte që ju ta dini”, ka thënë ai me humor.

Por gazetari i ka insistuar sërish që ai të premtonte në lidhje me këtë çështje dhe Sanders ia ka kthyer me fjalët: “Në rregull, do t’ju tregoj.”

Bernie Sanders konsiderohet si njëri prej emrave kryesorë për të marrë kandidaturën presidenciale të Partisë Demokratike në SHBA. Megjithatë në krye të sondazheve për momentin qëndron Joe Biden, i cili ka shërbyer edhe si ndihmëspresident në administratën Obama.

Presidenti aktual i SHBA-së, Donald Trump, gjatë një emisioni televiziv të kanalit “ABC” në muajin qershor, pati theksuar se kishte marrë një informatë të shkurtër rreth disa objekteve qiellore lëvizëse, të cilat pilotët ushtarakë amerikanë pretendonin t’i kishin parë gjatë viteve 2014-2015 në brigjet lindore të vendit, duke shtuar se nuk u besonte UFO-ve.

Astronomi Seth Shostak nga Instituti për Kërkime të Inteligjencës Jashtëtokësore (SETI) shpjegon se kjo mund të jetë shkaktuar nga disa probleme teknike, të cilat hasen pas çdo përmirësimi apo azhurnimi në sistemet e radarëve.

Në qershor të këtij viti, Departamenti amerikan i Mbrojtjes (Pentagon) pati informuar në lidhje me këtë çështje ndihmëspresidentin e Këshillit të Senatit për Shërbimet e Inteligjencës, Mark Warner, senator i Virgjinias, por çështja qe trajtuar në kuadër të sigurisë dhe jo të pranisë jashtëtokësore.

Kurse ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, gjatë një interviste për gazetën “The Conway Daily Sun” në kuadër të fushatës elektorale për garën presidenciale të vitit 2016, qe shprehur se jashtëtokësorët mund ta kenë vizituar botën tonë me qindra herë dhe se do të përpiqej të mësonte gjithçka mbi çështjen e UFO-ve.



Lajme të ngjashme