Vizita e ministrit Gashi në TRT

Në kuadër të një vizite zyrtare në Turqi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Kujtim Gashi zhvilloi një vizitë edhe në Radiotelevizonin Shtetëror të Turqisë, TRT.

Kujtim Gashi në TRT

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Kujtim Gashi ndodhet për një vizitë zyrtare dyditore në Turqi.

Të mërkurën ministri Gashi u prit në takim nga Ministri i Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Numan Kurtullmush (Numan Kurtulmuş). Pas takimit të dy ministrat nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës. Ministri turk theksoi se marrëveshja e nënshkruar do të forcojë marrëdhëniet mes Turqisë dhe Kosovës në fushën e kulturës duke shtuar se Kosova është shtet shumë i afërt me Turqinë për sa i përket strukturës shoqërore, përvojës kulturore dhe trashëgimisë historike. Kurse ministri Gashi nga ana e tij falënderoi Turqinë si për marrëveshjen e bashkëpunimit, ashtu edhe për mbështetjen në të gjitha fushat.

Kurse të enjten paradite ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi bashkë me delegacionin që e shoqëronte vizitoi Radiotelevizionin Shtetëror të Turqisë (TRT), ku u prit në takim nga Drejtori i Përgjithshëm, Ibrahim Eren. Ministri Gashi vizitoi edhe ambientet e Departamentit të Transmetimeve të Jashtme, ku u bashkëbisedoi me gazetarët e Redaksisë së Gjuhës Shqipe të Radios Zëri i Turqisë.

Ndërsa pasdreke Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi u prit në takim nga Ministri i Sportit dhe Rinisë i Republikës së Turqisë, Osman Ashkën Bak (Osman Aşkın Bak), i cili tha se Turqia do ta mbështesë sportin e Kosovës, në të gjitha drejtimet, edhe në zhvillimin e infrastrukturës fizike. Ministri Gashi e falënderoi homologun turk për pritjen dhe i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e deritashme që Republika e Turqisë ka dhënë për sportin e Kosovës, sidomos në procesin e ndërkombëtarizimit të tij, por edhe në fushat tjera.

 

 

Fjalët Kyçe: Kujtim Gashi , bashkëpunim kulturor , infrastruktura fizike e sportit , Kosovë , Ibrahim Eren