Turqia filloi në Shqipëri projektin humanitar “Ramazan 2020”

Edhe pse në kushtet e një situatë të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë, e cila po trondit të gjithë botën, shoqata “Istanbul” ka nisur  shpërndarjen e 600 pakove ushqimore për muajin e shenjtë të Ramazanit.

Shpërndarja e ndihmave ushqimore për muajin e Ramazanit

Shpërndarja e ndihmave ushqimore për muajin e Ramazanit, është  projekt i përvitshëm, i cili zbatohet gjatë këtij muaji të bekuar për të gjithë myslimanët. Këtë vit shpërndarja po bëhet në prag të Ramazanit, me qëllim që t’u vihet në ndihmë edhe kategorive në nevojë, të cilat po vuajnë pasojat e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19.

Ndihmat mundësohen falë kontributit të fondacionit "Aziz Mahmud Hudayi", në Turqi dhe mbështetjes së vazhdueshme të bamirësit dhe dijetarit të mirënjohur, Osman Nuri Topbaş.

Përfituan nga ky projekt, 600  familjarë dhe individë në nevojë të Qarkut Shkodër, në rrethet Shkodër, Pukë, Malësi e Madhe, si dhe disa familje në rrethin e Mamurrasit, të prekura nga tërmeti i nëntorit 2019.

Duke përcjellë edhe një mesazh në kuadër të këtij projekti, kryetari i shoqatës z. Seferaj shprehet se kontributi dhe shërbimi ndaj shtresave në nevojë duhet të vazhdojë pavarësisht situatës që po kalojmë, duke theksuar se: “Për momentin na duhet të respektojmë normat e distancimit fizik, por kurrë nuk duhet të distancohemi nga humanizmi dhe bamirësia”.

Ndihmuan për realizimin e shpërndarjes në përputhje me masat e sigurisë ndaj Covid-19, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe strukturat e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.


Fjalët Kyçe: Shoqata Istanbul , ndihma ushqimore , Shqipëri , ndihmat turke , Ramazan 2020