Shtypi turk 14.10.2021

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e enjte, 14 tetor 2021:

1719653
Shtypi turk 14.10.2021

“Yeni Şafak”Çavusoglu: Ne do të bëjmë ç'të jetë e nevojshme

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, u dha mesazhe të forta Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë në lidhje me sulmet e PKK-së në Siri. “SHBA-ja dhe Rusia nuk i mbajtën premtimet e tyre ndaj nesh. Ne do të bëjmë ç'të jetë e nevojshme për të pastruar terroristët (në Siri)”, deklaroi Çavusoglu gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Ankara pas takimit të tij me ministrin e Jashtëm të Nikaraguas, Denis Moncada Colindres. Ai gjithashtu vlerësoi si të pasinqertë deklaratën e ngushëllimit të SHBA-së për forcat turke të sigurisë që u martirizuan në Siri.

“Star”Rusia hap rubinetet e gazit përmes Turqisë

Presidenti rus, Vladimir Putin, bëri me dije se vendi i tij ka shtuar dërgesat e gazit në Evropë përmes rrugëve të ndryshme. “Ne po rrisim dërgesat e gazit nëpërmjet Turqisë, me Rrymën Blu e Rrymën Turke, si edhe përmes Ukrainës”, theksoi ai. “Nëse na kërkohet të rrisim më shumë dërgesat e gazit, ne jemi gati t'i rrisim ato”, shtoi Putin.

“Hürriyet”Mesazh ngushëllimi nga Turqia për Nepalin

Turqia i dërgoi një mesazh ngushëllimi popullit dhe qeverisë së Nepalit për 32 personat që humbën jetën në aksidentin me autobus në Mugu. “Ne kemi mësuar me trishtim që 32 persona humbën jetën dhe 17 të tjerë u plagosën në aksidentin e autobusit, në rajonin Mugu të Nepalit. U përcjellim ngushëllimet tona të sinqerta familjeve të atyre që humbën jetën në këtë aksident tragjik, gjithashtu popullit dhe ekzekutivit miqësor të Nepalit, si dhe u urojnë shërim të shpejtë të plagosurve”, thuhet në komunikatën e shkruar të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Vatan”Pakistani lë Francës dhe bie dakord me Turqinë

Mediat arabe kanë ngritur në rend të ditës deklaratat e kreut të industrisë turke të mbrojtjes, Ismail Demir, në lidhje me modernizimin e nëndetëseve të klasës “Agosta 90B” të Komandës së Forcave Detare të Pakistanit. Sipas shtypit arab, Ismail Demir është shprehur me këto fjalë: “Ka presione politike në industrinë e mbrojtjes. Ne po i thyejmë ato. Për shembull, francezët ushtruan presion të madh për tenderin e modernizimit të nëndetëseve që Pakistani ka blerë nga Franca, por atë e fitoi Kompania Turke e Inxhinierisë dhe Tregtimit të Teknologjive të Mbrojtjes (STM).”

“Haber Türk”Vaksina vendase “Turkovac” do të aktivizohet

Ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, njoftoi se një studim i fazës 3. vazhdon në mënyrë që vaksina kombëtare “Turkovac”, e zhvilluar kundër llojit të ri të koronavirusit (COVID-19), të aplikohet si një dozë përforcuese mbi vaksinat e tjera. Ministri Koca i ftoi qytetarët të bëhen vullnetarë në studimet për “Turkovac”.



Lajme të ngjashme