Shtypi turk 29.01.2021

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e premte, 29 janar 2021:

1573808
Shtypi turk 29.01.2021

“Sabah”Turqia e vendosur për të mbrojtur të drejtat e saj në Egje, Mesdheun Lindor dhe Qipro

Këshilli i Sigurisë Kombëtare (MGK) u mblodh të enjten nën drejtimin e Presidentit Recep Tayyip Erdogan, në Kompleksin Presidencial në Ankara. Në komunikatën e publikuar pas takimit u theksua se në këtë mbledhje të MGK-së u shqyrtuan hapat e ndërmarra për t'i dhënë fund pranisë së organizatave terroriste në territoret e fqinjëve të kufirit jugor të Turqisë, të cilat janë burimi kryesor i paqëndrueshmërisë në rajon, si dhe u theksua se u është bërë ftesë të gjithë aktorëve ndërkombëtar të interesuar që të përmbushin obligimet e tyre. Gjithashtu, duke u bërë e ditur se Turqia para së gjithash është për diplomaci dhe dialog në çdo platformë për zgjidhjen e çështjeve të Egjeut, Mesdheut Lindor dhe Qipros, në komunikatë shkruhej: "Nga ana tjetër, është theksuar edhe një herë se vendi ynë është i vendosur të mbrojë të drejtat dhe interesat e tij që burojnë nga e drejta dhe traktatet ndërkombëtare”. Në komunikatë duke u dënuar ngjarjet e terrorit dhe dhunës veçanërisht në Somali, Afrikë dhe hapësira të tjera gjeografike, u theksua gjithashtu se Turqia do të vazhdojë të përmbushë përgjegjësitë e saj për paqen.

“Vatan”Mbërrin në Stamboll pjesa e dytë me 3,5 milionë doza të vaksinës

Në Turqi ka mbërritur pjesa e dytë e partisë së dytë të vaksinave inaktive “CoronaVac”, produkt i kompanisë farmaceutike kineze “Sinovac Biotech”. Avioni që transportonte pjesën e dytë të 10 milionë dozave të vaksinës kundër COVID-19 të porositura nga Kina, u ul në Aeroportin e Stambollit. Kujtojmë se më 30 dhjetor 2020 në Turqi erdhi partia e parë me 3 milionë doza të vaksinës kineze dhe më 14 janar nisi fushata e imunizimit me vaksinimin e personelit shëndetësor. Kurse më 25 janar mbërriti edhe pjesa e parë e partisë së dytë të vaksinave kineze antiCOVID me 6,5 milionë doza.

“Yeni Şafak”Vaksina e Turqisë do të ketë besueshmëri më të lartë

Këshilli i Kërkimeve Shkencore dhe Teknologjike të Turqisë (TUBITAK) njoftoi të enjten se vaksina vendase e zhvilluar nga shkencëtarët turq do të ketë efikasitet e besueshmëri më të lartë ndaj llojit të ri të koronavirusit shkaktar të sëmundjes COVID-19. “Këto vaksina do të jenë ndryshe nga ato të zhvilluara jashtë vendit, me efikasitet dhe besueshmëri më të lartë ndaj virusit”, deklaroi presidenti i TUBITAK-ut, Hasan Mandal.

“Star”Britania e vendosur për të bashkëpunuar me Turqinë

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Ankara, Dominick Chilcott, bëri me dije se vendi i tij është mjaft i vendosur për të bashkëpunuar me Turqinë në sektorin e mbrojtjes dhe për të vazhduar shkëmbimet ndërmjet industrive të mbrojtjes së të dyja vendeve. Kreu i misionit diplomatik britanik në Turqi theksoi gjithashtu se kompanitë dhe konsumatorët e të dyja vendeve kanë aspirata të forta për të blerë produktet e njeri-tjetrit.

“Haber Türk”Shpallet lista e qyteteve më të sigurta në botë, 6 nga Turqia

Firma kërkimore “Numbeo” publikoi të enjten listën e qyteteve më të sigurta të botës. Në këtë renditje, ku janë përfshirë 6 qytete nga Turqia, Eskisehiri ka zënë vendin e 8-të me 82,45 pikë. Qytetet e tjera turke në këtë listë janë Antalia, Bursa, Izmiri, Ankaraja dhe Stambolli.



Lajme të ngjashme