Shtypi turk 18.08.2020

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e martë, 18 gusht 2020:

1474974
Shtypi turk 18.08.2020

“Sabah”: Risi për Evropën, do të inaugurohet nga Presidenti Erdogan në 19 gusht

Në kuadër të politikave energjetike për një Turqi të pavarur po vihet në jetë një investim tjetër gjigand i energjisë. Fabrika e parë vendore e paneleve diellore të integruara do të çelet në kryeqytetin Ankara nga ana e Presidenti Recep Tayyip Erdogan më 19 gusht. Në fabrikën me kapacitet të prodhimit të paneleve 500 megavat në vit, të gjitha fazat e prodhimit do të jenë nën një çati të vetme. Kjo nuk ka shembull tjetër në Evropë.    

“Yeni Şafak”: Pas anijeve “Fatih” dhe “Yavuz” në Mesdhe pritet të niset edhe “Kanuni”

Për anijen “Kanuni”, që u ble shtesë për të intensifikuar punimet për kërkimin e hidrokarbureve krahas anijeve “Fatih” dhe “Yavuz”, në portin “NATO” të qytetit Mersin ka filluar procesi i mirëmbajtjes, përditësimit (pasurimit) dhe zhvillimit (përmirësimit) të anijes. Kjo anije zotëron aftësinë për të bërë sondim në 11 mijë e 400 metra thellësi dhe 3 mijë metra shpim. Ajo njihet edhe si anije e ultra sondazheve në det e gjeneratës së gjashtë.   

“Hürriyet”: 7 kompani turke ndër gjigandët botërorë të mbrojtjes

Kompanitë turke të industrisë së mbrojtjes, ndërkohë që kohët e fundit kanë thyer rekorde me xhirot e bëra, kanë hyrë në radhët e sipërme të listës ku krahasohen kompanitë e mëdha ndërkombëtare. Në listën "Defense News Top 100", që cilësohet si lista më prestigjoze në botë në fushën e industrisë së mbrojtjes dhe botohet në revistën «Defense News», që bën publikime ushtarake me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këtë vit numri i kompanive turke nga 5 është rritur në 7.

“Haber Türk”: Postimi i Shën-Sofisë nga Amber Heard

Ylli amerikan i kinematografisë që disa ditë më parë erdhi në Turqi, Amber Heard vazhdon turin e Stambollit. Këtë herë ajo shëtiti “Kapaliçarshinë”, xhaminë “Aja-Sofja” dhe xhaminë “Sulejmanije”. Duke postuar pamje edhe nga shëtitja e saj në Stamboll ajo shkroi “rashë në dashuri me këtë qytet” dhe vendosi një foto nga “Shën-Sofia” në llogarinë e saj që ndiqet nga 4 milionë përdorues. Aktorja 34-vjeçare nuk harroi të bëjë Pazar tek dyqanet e erëzave në “Kapaliçarshi”.  

“Vatan”: Rritje historike në shitjet e banesave në Turqi

Në muajin korrik shitjet e banesave në të gjithë Turqinë kanë thyer rekord dhe krahasuar me korrikun e vitit të kaluar (2019) janë rritur me 124,3% duke u shitur gjithsej 229 mijë e 357 banesa. Ministri i Thesarit dhe Financave, Berat Albayrak në një postim që ka bërë në llogarinë e tij në «Twitter» thotë se vazhdon mobilizimi i sektorit të ndërtimit, i cili vë në lëvizje 250 nënsektorë. “Shitjet e banesave në korrik arritën shifrat më të mira të të gjitha kohërave dhe thyen rekord historik”, ka shkruar ministri Albayrak.

Dëgjuat një pasqyrë të shkurtër të shtypit të sotëm turk, vazhdoni të qëndroni me ne në emisionin e Radios Zëri i Turqisë, të cilin e realizojmë nga studioja 11 këtu në Ankara.



Lajme të ngjashme