Shtypi turk 14.12.2017

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore që janë publikuar në mediat e shkruara turke për sot, e enjte, 14 dhjetor 2017:

868287
Shtypi turk 14.12.2017

“Yeni Safak”: Vendim historik nga OBI: Jerusalemi Lindor shpallet kryeqytet i Palestinës

Liderët e vendeve islame, të cilët reaguan ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për të njohur Jerusalemin si “kryeqytet të Izraelit”, u takuan dje në Stamboll. Samiti i jashtëzakonshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) u mbajt me ftesë të Presidentit Recep Tayyip Erdogan. Në samit morën pjesë 48 vende në mesin e të cilëve 16 u përfaqësuan në nivel presidencial. Erdogan, i cili e shpalli të paligjshëm vendimin e ShBA-së tha se “Izraeli është një okupator dhe në të njëjtën kohë është një shtet terrorist”. Samiti u shënua me thirrjen e Presidentit Erdogan për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet i Palestinës, ndërkaq nga samiti doli një vendim historik. OBI e njohu Jerusalemin Lindor si kryeqytet të Palestinës.

“Hurriyet”: Reagim i ashpër nga Ankaraja ndaj këshilltarit të Trumpit: Pretendime të çuditshme dhe të pabaza

Ministria e Jashtme e Turqisë reagoi ashpër ndaj pretendimeve të H. R. McMaster, këshilltarit për siguri kombëtare të Presidentit, Donald Trump, , i cili ka thënë se “Turqia dhe Katari janë sponsorë të rinj të ideologjive radikale”. Në deklaratën e bërë nga Ministria e Jashtme turke thuhet se këto pretendime janë “të çuditshme, të pabaza dhe të papranueshme”.

“Haberturk”: ASELSAN dhe TAI ngjiten për 5 shkallë në shitje të armëve

Shitja e armëve në botë, për herë të parë pas vitit 2010 shënoi rritje këtë vit. Sipas raportit të Institutit Ndërkombëtar për Studime të Paqes në Stockholm (SIPRI), 100 kompani më të mëdha të botës në vitin 2016 bënë shitje të armëve, pajisjeve ushtarake dhe shërbime në vlerë 374,8 miliardë dollarë. Sipas të dhënave të SIPRI, kompanitë turke shënuan rritje me 27,6%. Në këtë raport në mesin e 100 kompanive të para ndodhen dy kompani turke. Nga këto kompania ASELSAN është ngjitur për 5 shkallë dhe radhitet në vendin e 67-të, ndërsa kompania TAI ndodhet në vendin e 76-të. Gjatë kësaj periudhe ASELSAN bëri xhiro 1 miliardë e 220 milionë dollarë, ndërsa TAI 1 miliardë e 120 milionë dollarë.

“Sabah”: Të huajt gjejnë shërim në Turqi

Turqia, e cila është vënë në veprim viteve të fundit në turizmin shëndetësor, në 11 muajt e këtij viti theu të gjitha rekordet. Sipas të dhënave të Këshillit të Turizmit Shëndetësor të Turqisë, gjatë periudhës janar-nëntor vendin e vizituan  751 mijë turistë të shëndetësisë. Këshilli për Zhvillimin e Turizmit Shëndetësor të Turqisë (THTC) bëri të ditur se janë kapërcyer shifrat për periudhën e njëjtë të vitit 2015. Kryetari i këtij këshilli, Emin Çakmak deklaroi se “Në objektivin e këtij viti ishin 750 mijë turistë të shëndetësisë dhe e tejkaluam këtë. Parashikojmë që deri në fund të vitit do të arrijmë në 760 mijë turistë, ndërsa të ardhurat do të dalin në mbi 7 miliardë lira turke”. Ai gjithashtu shtoi se në vitin e ardhshëm synojnë të mirëpresin 800 mijë turistë dhe 7,5 miliardë lira turke të ardhura.

“Star”: 35 mijë orë roje nga Bayraktar-i

Avioni i telekomanduar i tipit Bayraktar, i cili 100% prodhim dhe dizajn vendor, është njëra prej elementeve kryesore të Forcave të Armatosura të Turqisë në luftën kundër terrorit. Modeli “Bayraktar TB2” i mbushi plotë 35 mijë orë të fluturimit duke shërbyer në këtë drejtim.



Lajme të ngjashme