Analiza e javës - Kriza e Idlibit

Si mund të zgjidhet kriza e Idlibit kur Evropa interesohet vetëm me anën migratore e ShBA-ja bën vetëm deklarata politike dhe rreth 1 milion njerëz janë nisur drejt kufirit të Turqisë?!

Analiza e javës - Kriza e Idlibit

Analiza e javës - Kriza e Idlibit

*Nga prof. asc. Murat YESILTAS

Për një kohë të gjatë Idlibi ka qenë një ndër frontet më të nxehta të krizës siriane. Rusiadhe regjimi i Esadit vazhdojnë të përparojë duke marrë në shënjestër opozitarët dhe civilët në Idlib, pavarësisht marrëveshjes së arritur në Soçi mes Moskës dhe Ankarasë në shtator të 2018-ës. Regjimi qëllimin e tij e projektoi në këtë mënyrë: Dobësimi ushtarakisht i opozitarëve duke i shtrënguar ata në Idlib dhe shpallja kështu e fitores ushtarake [nga regjimi] në luftën civile të Sirisë. Dhe si pengesë e vetme përpara këtij qëllimi konsiderohej Turqia. Kështu regjimi ndoqi një strategji në drejtim të thyerjes së rezistencës së Ankarasë duke e provokuar atë në pikat e vrojtimit të saj që i ka në jug të Idlibit. Dhe që nga data 3 shkurt regjimi sirian i avancoi në një fazë të re sulmet e tij në Idlib dhe mori direkt në shënjestër ushtarët turq duke shkaktuar 8 të vdekur (turq). Dhe kjo situatë paralajmëron se kriza në Idlib ka kaluar në një fazë të re.

Zhvillimet e fundit në Idlib nuk përbëjnë ndonjë surprizë për ata që e ndjekin nga afër çështjen. Për një kohë të gjatë Rusia dhe regjimi sirian kanë vënë në jetë hap pas hapi strategjitë e tyre për Idlibin. Ka disa shkaqe të vogla e të mëdha që kanë ndikuar në jetësimin e këtyre strategjive. E para nga këto kishte të bënte me atë që elementët opozitarë në Idlib duhet të dështonin për të qenë të bashkuar mes tyre. Dhe si përfundim, kjo bëri që grupet radikale si Komiteti për Çlirimin e Damaskut [Hayat Tahrir al-Damask-HTS] të fitojnë epërsi në terren. Kurse shkaku i dytë ishin hapat e hedhur nga Rusia për të rritur kapacitetin luftarak të regjimit [të Esadit]. Autoritetet ushtarake në Rusi regjimin [sirian] e mbështetën jo vetëm ushtarakisht, por i mësuan atij edhe si të luftojë kundër grupeve të parregullta. Patjetër që si shtesë e këtyre, strategjia e ofensivës ajrore të Rusisë ka qenë mjaft e pamëshirshme. Sulmet ajrore ruse, që kanë përvetësuar modelin Grozni, në fillim i shpopullojnë qytetet duke i bombarduar ato dhe pastaj për ta pastruar plotësisht qytetin nga grupet opozitare e bëjnë atë të pajetueshëm deri në zhbërjen në masë të madhe të tij. Kurse e treta është se koniunktura rajonale kishte krijuar një terren më të lirshëm për Rusinë dhe regjimin e Sirisë. Regjimi [i Esadit] e pa si okazion neglizhencën në shkallë rajonale ndaj krizës siriane dhe kaloi në veprim për ta vendosur nën kontrollin e vet të gjithë Idlibin.

Mirëpo, a mund të themi se pas ngjarjes së 3 shkurtit në Idlib është kaluar në një fazë të re? Përgjigjja e kësaj pyetjeje është me të vërtetë e rëndësishme dhe përmban në vetvete elementë që do të ndikojnë të ardhmen e krizës. Këtu ka shume rëndësi se si do të veprojë Turqia pas kësaj, pasi Idlibi për Turqinë nuk është vetëm një çështje sigurie. Një dyndje e re emigrantësh që do të vinte nga Idlibi mund ta fuste Turqinë në një situatë edhe më të vështirë. Sipas Presidentit Erdoan rreth 1 milion refugjatë janë nisur drejt kufirit të Turqisë. Për këtë arsye, Turqisë i duhet ta vlerësojë edhe një herë tablonë aktuale që është krijuar në Idlib për të penguar lëvizjen e këtyre emigrantëve drejt kufirit të saj.

Në mesin e alternativave të Turqisë dalin në pah dy zgjedhje. E para është ndërtimi i një pozicioni ushtarak shkëshillues kundër regjimit për të penguar thellimin edhe më shumë të situatës aktuale. Në fakt, pas martirizimit të ushtarëve turq Turqia dha një kundërpërgjigje ushtarake të tillë që shkaktoi neutralizimin e 70 ushtarëve nga radhët e regjimit, sipas ministrit turk të Mbrojtjes. Vetëm se kjo  zgjedhje nuk është e qëndrueshme dhe mund të tronditë thellë marrëdhëniet Turqi-Rusi. Kurse zgjedhja e dytë është krijimi i një marrëveshje të re për Idlibin mes Turqisë dhe Rusisë duke u nisur nga situata aktuale. Pasi as Rusia e as Turqia nuk duan që t’i prishin marrëdhëniet. Të dy aktorët janë të vetëdijshëm se kjo në vend të përfitimit do të sillte humbje. Për këtë arsye kriza e Idlibit është në cilësinë e një testi në aspektin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ndërkaq ana humanitare e krizës së Idlibit ka zënë vend sërish në agjendën e shoqërisë ndërkombëtare. Evropa interesohet vetëm me anën migratore të krizës dhe është larg një qasjeje që do t’ia lehtësonte punën Turqisë dhe do të parandalonte dramën njerëzore. Kurse ShBA-ja bën vetëm deklarata politike në mbështetje të Turqisë. Ata që vuajnë me të vërtetë nga kjo krizë janë civilët, ku bëjnë pjesë fëmijët, gratë dhe të moshuarit. Nëse do të kemi thellim të krizës së Idlibit atëherë kostoja do të jetë shumë më e madhe jo vetëm për Turqinë, por edhe për Evropën. Kështu që Idlibi nuk duhet parë si të ishte një çështje vetëm e Turqisë dhe për ta zgjidhur atë duhet qëndruar pranë Turqisë.

* Drejtor i Studimeve të Sigurisë pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) në Ankara.

 


Lajme të ngjashme