Kurbani: Afrimi në përkushtim, parim e virtyt

Kurbani nuk është vetëm një ndarje materiale me njëri-tjetrin, por në të njëjtën kohë është edhe një ndarje ndjenjash.

Kurbani: Afrimi në përkushtim, parim e virtyt

Kurbani: Afrimi në përkushtim, parim e virtyt

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Jeta është një maratonë e gjatë, një nxitim intensiv. Është një përpjekje e vazhdueshme, është shqetësimi për të arritur dhe pasur “sukses” në diçka. Në jetë mbase jemi të suksesshëm në shumë gjëra, por në shpirt na mbet gjithmonë një dridhje. Ndërkohë që vazhdojmë gjithmonë të vrapojmë me presionin për sukses, ndonjëherë duam të qëndrojmë dhe të fokusohemi tek ato që kemi lënë pas dore. Kush prej nesh nuk do ti përcjellë të ardhmes/fëmijëve ato që kemi humbur gjatë ritmit modern, post-modern e post-truth? Kush prej nesh nuk do ti kujtojë ato vlera që na kanë bërë të jemi ata që jemi sot dhe të mbushemi përsëri me këto vlera?

Ja pra, kohë të tilla janë Bajramet. Janë kohë të qëndrimit në kryelartësinë e jetës, kthjelltësisë dhe dëlirësisë...

Kurbani është një traditë 4-mijë vjeçare. Prapë dhe përsëri jetojmë javën e një kurbani dhe të një Bajram Kurbani. Burimet klasike rrëfejnë se Hz. Ibrahim, që pranohet si profet nga të tre fetë hyjnore; hebraike, krishterimi dhe islami, ka jetuar në vitet 2000 para erës sonë. Ibrahimi, për të treguar besnikërinë e tij, kishte dashur të flijojë të birin, Ismailin për Allahun. Kur u pa besnikëria e Ibrahimit, që nga therja e dashit të parë për kurban, kjo traditë vazhdon prej 4 mijë vjetësh. Sa lumturi për atë dash, ose bagëtitë e tjera që janë bërë kurban, që përtej të qenurit ordiner, jetët e tyre kanë shërbyer për traditën mbase më të lashtë, më të bekuar të botës, për parimin, virtytin dhe mirësinë.

Kurbani është ndarje me njëri tjetrin, është ndihmë. Është një traditë e atillë si një ritual shoqëror në nivel global që në bajramet e kurbanit, mishi i prerë ndahet për njerëzit në nevojë. Edhe në periudha të tjera (përveç Bajramit) nxitet prerja e kurbanit si një shprehje mirënjohjeje dhe ndarja e mishit për njerëzit në nevojë. Në një epokë kur njeriu modern, në mënyrë hedoniste, rend pas kënaqësive personale dhe kur mendimi për të jetuar edhe për të tjerët dhe ndarja me të tjerët të atyre gjërave që ke fituar perceptohet sikur i përket të shkuarës, duket se kurbani është një thirrje përtej epokave.   

Kurbani është të kujtosh, është lidhje farefisnore. Kurbani nuk është vetëm një ndarje materiale me njëri-tjetrin, por në të njëjtën kohë është edhe një ndarje ndjenjash. Ndërkohë që nga njëra anë kurbani është kujtimi i Allahut pasi i dedikohet atij, nga ana tjetër me dimensionin e bajramit kujtohen bashkëshortët, miqtë, prindërit dhe njerëzit e dashur për ne që janë ose nuk janë në jetë. Bajrami është kalimi i kohës me njerëzit tanë të shtrenjtë, të cilët i kemi neglizhuar gjatë nxitimit në jetën moderne. Ata që janë brenda një jete aktive mund të mos e kujtojnë se sa e vyer është të kujtosh. Po ata që përgjatë gjithë vitit kanë pritur që dikush të kujtohet për ta dhe ti trokasë derës së tyre? Po ata që i kanë lindur e i kanë rritur dhe presin që të kthehen e t’u puthin dorën? A mund të llogaritet vlera e bajrameve për ata?

Kurbani duhet të jetë dikush për ata që s’kanë askënd. Padyshim që me përmasën e ndarjes me njëri-tjetrin dhe bajramin, kurbani fillon nga rrethi i afërt. Por mbarimi nuk ka kufi. Sepse edhe shpirti nuk ka kufi. Fillon me vizitat tek të moshuarit e tek jetimët e zgjatet deri tek dërgimi i mishit të kurbanit në vendet e largëta dhe afrimin me hallet e tyre. 

Kurbani është një pastrim, një qasje me mirësi e meritë në përkushtim. Kuptimi i fjalës kurban është afrim, shprehje e ndjenjave të mirënjohjes, dhuratë, dedikim. Kurbani është një mundësi për t’u afruar tek Allahu. Kjo shprehet shumë bukur në ajet: “Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre (kurbanëve), por tek Ai arrin devotshmëria juaj. Kështu që mishi i kurbaneve u dha në shërbimin tuaj, që të njihni madhështinë e Allahut pasi iu tregoi rrugën e duhur. Sihariq atyre që bëjnë mirësi”. 

A nuk janë këto nevojat e sotme më themelore të njerëzimit në Lindje e Perëndim? Të veprosh me parim, vlerë, virtyt, të ndash, të qëndrosh pranë virtytit, me bonsens, çiltërsi e përgjegjësi? Sa shumë domethënie ka kurbani nga aspekti material dhe shpirtëror për njeriun që ‘përpëlitet’ në skamje në shoqëritë e Lindjes; për njeriun që ka humbur mes kamjes në shoqëritë e Pendimit; për njeriun që ka rënë në zbrazëtirë, që ndjehet i vetmuar.  

Kurbani është një largim dhe një braktisje. Përtej të gjitha atyre që sipër përmendëm, Kurbani është të flijosh gjithçka, kur është e nevojshme edhe pasurinë e jetën. Afrimi tek Allahu nuk nënkupton vetëm afrimin tek Ai. Nënkupton afrimin tek çdo gjë që të çon tek Ai, largimin dhe braktisjen e çdo gjëje që të largon prej tij. Pra largimi dhe braktisja ndaj çdo gjëje që e mban larg njeriun nga drejtësia, mirësia, bukuria, ndarja, altruizmi dhe njeriu...   

Kurbani është llogaritje, ndërgjegje dhe mundësi. Çdo gjë nuk mund të shpjegohet me jetë materiale, përfitim dhe interes. Jeta është përgjigje ndaj një zëri të përtejshëm, një drejtësi e përtejshme është ta shohësh atë me ndërgjegje dhe mundësi.

Dhe kurbani krijon një dorëzim. Ajo çka është e rëndësishme për njeriun është të veprojë në përputhje me atë që është e ligjshme, hallall dhe e pranuar. Sepse çdo gjë që është e ligjshme mund të mos jetë e drejtë, çdo gjë që është e drejtë mund të mos jetë hallall, çdo gjë që është hallall mund të mos jetë e pranuar. Në drejtësi kërkohet ligjshmëri, në shoqëri kërkohet e drejta, në islam kërkohet hallalli, në shpirt/ndërgjegje kërkohet pranim. Por në jetën e përditshme shpeshherë mbajmë tendencën e kundërt. Të dorëzohemi tek drejtësia, mirësia, virtyti shpeshherë e kemi të vështirë. Sado e rëndë, e dhimbshme e padurueshme të jetë, nëse do të mund të dorëzoheshim tek të gjitha këto pa u lënduar, nuk e di nëse do të mbeste ndonjë problem i pazgjidhshëm për ne si një familje njerëzore.   

Ndërkohë që kurbanet tona i dorëzohen urdhrit hyjnor prej 4 mijë vjetësh, sa mirë do të ishte sikur edhe ne ti dorëzoheshim të Drejtit...

Poeti Abdurrahim Karakoç në poezinë “Mos lëndo” sa mirë shprehet për flijimin përpara të gjitha këtyre bukurive dhe drejtësisë.

Rrugët janë të gjata, rrugët janë të ngushta.

Rrugët shkurtohen kur vjen dashuria.

Shtrihu e bëhu kurban si Ismaili.

Thika prej teje të mos lëndohet.

Me dëshirën dhe lutjen që ti bëheni kurban (qëndroni pranë, qëndroni afër) parimit, vlerave, përkushtimit, që ti dorëzoheni të vërtetës dhe ta përjetoni deri në thellësi ndjenjën e njeriut, ju uroj Gëzuar Bajramin. Hallet zvogëlohen kur ndahen, lumturia rritet kur ndahet me njëri-tjetrin. Uroj një bajram ku zvogëlohen dhimbjet e familjes njerëzore, rritet paqja dhe shpirtrat shpëtojnë. 

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara



Lajme të ngjashme