Një histori e vjetër: Në kërkim të një Volteri mysliman

Fakti që myslimanët nuk kanë një Volter s’do të thotë se ata nuk dinë asgjë rreth arsyetimit kritik, sikurse fakti që Perëndimi nuk ka një Rumi s’do të thotë se nuk di asgjë rreth dashurisë.

936406
Një histori e vjetër: Në kërkim të një Volteri mysliman

Ibrahim Kalın*

Perëndimorët që kanë një njohuri sipërfaqësore të Islamit dhe modernistët myslimanë që kanë një njohuri sipërfaqësore të modernizmit perëndimor, nuk lodhen kurrë së bëri thirrje për reformë në Islam. Megjithatë ne s’mendojmë se ky është një debat i ri; për këtë mjafton të kujtojmë diskutimet e shekullit XIX mbi Islamin, reformën, traditën, modernizmin dhe iluminizmin. Dijetarët dhe intelektualët myslimanë në atë periudhë u ndeshën me të njëjtat pyetje të shfaqura në diskutimet bashkëkohore të marrëdhënieve Islam-Perëndim dhe të së ardhmes së botës moderne sot. Disa prej përgjigjeve të tyre duhet t’i kishin dhënë zgjidhje debatit, por nuk është kështu.

Ata që vajtojnë se një Volter mysliman nuk doli kurrë, duhet ta studiojnë më seriozisht historinë. Nocionit të tyre të Islamit të reformuar, çfarëdo që të nënkuptojë, i mungon legjitimiteti fetar, autoriteti moral dhe thellësia historike. Agjenda e tij politike është e qartë dhe nuk kërkon shtjellim të hollësishëm. Por dështimi i tij është mjaft i qartë dhe duhet kuptuar drejt që të mos përsërisim të njëjtat gabime.

Inteligjencia osmane kishte një interes të veçantë për këtë debat dhe kontribuoi me një numër përgjigjesh stimuluese, të cilat nevojitet t’i dimë sot e kësaj dite.

Bashkë me Rusonë, Volteri ishte mbase filozofi më popullor evropian në mesin e mendimtarëve osmanë të shekullit XIX. Vepra e tij u përkthye dhe u bë e njohur nga një numër intelektualësh, shtetarësh dhe gazetarësh të spikatur. Ata përfshijnë Munif Pashën (1830-1910), që shërbeu si ministër i Arsimit gjatë qeverisjes së Abdyl Hamitit II; Ahmet Vefik Pashën (1823-1891), që përktheu në turqisht “Mikromegën” e Volterit; Ahmet Mid’hat Efendiun (1844-1912), i cili botoi një roman të titulluar “Volteri në të 20-at ose dashuria e tij e parë” (Voltaire 20 Yaşında Yâhud İlk Muaşakası); si dhe Beshir Fuadin (1852-1887), që njihet si natyralisti dhe pozitivisti i parë osman. Mes të tjerash, Fuadi ishte promotori numër një i Volterit në rrethet intelektuale osmane, me librin e tij 139-faqësh mbi filozofin francez, përpara se të vetëvritej në moshë të re.

Volteri ishte një ikonathyes (ikonoklats - kundërshtues i besimeve ekzistuese) i kohës së tij. Kjo, e jo ndonjë prej ideve të tij specifike, duket ta ketë pushtuar imagjinatën e intelektualëve myslimanë në shekullin XIX. Ai ishte duartrokitur si një novator i mendimit të lirë, shkencës, progresit dhe humanizmit. Komentet e tij antiosmane dhe antiislame qenë vendosur brenda kontekstit sociopolitik të kohës së tij dhe, në këtë mënyrë, ishin bërë më të buta, më elastike. Ai madje u paraqit si një mbrojtës me gjykim të shëndoshë i Islamit kundër paragjykimeve të rrënjosura thellë të qarqeve intelektuale dhe fetare evropiane. Antipatia për Krishterimin institucional dhe mbrojtja e deizmit ishin parë si një rrjedhojë e natyrshme e luftës së tij me autoritetin papnor dhe dogmatizmin skolastik. Tekefundit, kjo ishte një çështje e brendshme për intelektualët evropianë. Islami nuk ishte objektivi i kritikës së tillë, sepse qe pranuar gjerësisht se ai kishte një teologji dhe strukturë institucionale shumë të ndryshme.

Në një artikull të gjatë mbi Volterin, Ahmet Mid’hat Efendiu e interpreton në një dritë shumë ndryshe dramën e famshme të Volterit, “Fanatizmi ose Profeti Muhamed”. Ai e pranon se drama ka një qasje tejet denigruese ndaj Islamit dhe profetit të tij, por nuk e sheh këtë si një sulm mbi Islamin, në vetvete. Ai, përndryshe, mendon se Volteri e përdor retorikën antiislame si një taktikë letrare për të kritikuar përvojën perëndimore të religjiozitetit. Çfarë Volteri nuk mund ta thotë drejtpërsëdrejti për Krishterimin, e thotë për Islamin; por objektivi i tij parësor mbetet Kisha Katolike. Fakti që ai ia paraqiti këtë dramë papës, mbart një mesazh të hollë.

Por Ahmed Mid’hati vë theksin te një argument tjetër, më interesant, se askush nuk duhet të pretendojë të jetë një Volter mysliman, sepse rrethanat që çuan në spikatjen e tij në Evropë nuk ekzistojnë në botën islame. Islami nuk ka një pozicion si papati, as ka patur diçka të ngjashme me inkuizicionin. Luftërat midis katolikëve dhe protestantëve nuk mund të krahasohen me marrëdhënien midis myslimanëve sunitë dhe shiitë. Volteri kërkon ta sjellë Evropën e krishtere aty ku qytetërimi islam është tashmë duke besuar në Zot dhe moral, ndërsa e përdor plotësisht arsyen, vëzhgimin, eksperimentimin, mendimin e lirë dhe hulumtimin shkencor pa barërat e religjionit institucional. Volteri është i dobishëm në tregimin e rrugës në shekullin e 19-të për një sintezë të re të besimit dhe arsye, shkencës dhe moralit, bashkësisë dhe lirisë. Por nuk është e nevojshme të imitohen metodat e tij për të skicuar një drejtim të ri intelektual dhe shkencor në botën islame. Islami nuk ka nevojë për reformë, por myslimanët nevojitet të përditësojnë veten. Volteri shërben në Stamboll, Kajro dhe Damask si një mendimtar i idealizuar për t’u sjellë në mendje myslimanëve detyrën e tyre thelbësore, për t’u zgjuar!

Ashtu si shumë nga bashkëkohësit e tij, përfshi këtu Namik Kemalin dhe Xhemaledin Afganin, edhe Ahmet Mid’hati besonte se evropianët bënë një hap të madh falë veprave të shkencëtarëve dhe filozofëve të tyre. Kjo është ajo çfarë duhet të bëjnë myslimanët tani; pra, të mëkëmbin traditën e tyre intelektuale ndërsa nuk e heqin vështrimin nga çka po ngjet në Evropë. Ai i nxit lexuesit e tij t’i studiojnë si shkencat e Lindjes dhe të Perëndimit.

Të pyesësh se pse myslimanët nuk kanë një Volter, është si të pyesësh pse perëndimorët nuk kanë një Rumi apo një Ibni Arabi. Fakti që myslimanët nuk kanë një Volter s’do të thotë se ata nuk dinë asgjë rreth arsyetimit kritik, sikurse fakti që Perëndimi nuk ka një Rumi s’do të thotë se nuk di asgjë rreth dashurisë.

Ata që i njohin shkencat tradicionale islame duhet ta mësojnë dijen e re të Perëndimit dhe ata që i njohin kulturën dhe mendimin perëndimor duhet të njihen me trashëgiminë intelektuale të botës islame; qëndro i rrënjosur në traditën tënde, por mbaj një horizont të hapur për botën. Njihni veten dhe trashëgiminë tuaj, por jini gjithashtu të hapur për të mësuar nga të tjerët. Kjo është ajo çka myslimanët nevojitet të bëjnë në vend të kërkimit hutueshëm për një Volter mysliman.

Kjo është ajo çfarë mendonin shumë intelektualë osmanë në shekullin XIX. Është e trishtueshme dhe shqetësuese që debati nuk ka bërë shumë përpara vërtet pas një shekulli e gjysmë dhe që vijon të sillet rreth të njëjtave dikotomi të rreme. Është koha t’i vihet veshi historisë dhe të nxirren mësime prej saj.

 

*Zëdhënës dhe nënsekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme