Koment – Barometri Ballkanik 2017

Krahasimi i Turqisë dhe Ballkanit në aspektin e treguesve socio-ekonomikë.

Balkan Barometresi_2017_kurumlara güven.jpg
Balkan Barometresi_2017_02.jpg
Balkan Barometresi_2017_Arnavutluk2.png
Balkan Barometresi_2017_03.jpg

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), i cili vepron në drejtim të zhvillimit të bashkëpunimit shumëpalësh midis vendeve të Ballkanit, ka publikuar raportin lidhur me një sondazh publik që ka realizuar nën emrin "Barometri i Ballkanit 2017". Ky studim përbëhet nga dy publikime të ndara, “Anketa e Opinionit Publik” dhe “Anketa e Kompanisë”, dhe paraqet të dhëna për çështje të ndryshme që lidhen me shtatë vendet e Ballkanit dhe Turqinë, në një farë mënyre studimi ka matur pulsin e rajonit. Në programin e kësaj jave, do të flasim për rezultatet e hulumtimit lidhur me opinionin e përgjithshëm publik në Ballkan.

Rezultatet e “Barometrit Ballkanik 2017”, i cili u ka drejtuar pyetje mbi 8000 njerëzve në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni, Serbi dhe Turqi, tregojnë se qytetarët turq nuk kanë njohuri të mjaftueshme mbi Ballkanin, 40% e të anketuarve nuk janë në gjendje të bëjnë dot një vlerësim mbi gjendjen e përgjithshme të Ballkanit. Kur u pyetën për të zgjedhur një vend në Ballkan, ku mund të jetohet dhe punohet, 84% e të anketuarve nga Turqia nuk ishin në gjendje ti përgjigjeshin kësaj pyetjeje. Vetëm 4% e pjesëmarrësve në sondazh nga Turqia i kishin vizituan vendet e Ballkanit në vitin 2016. Gjysma e tyre kishte shkuar në Bosnjë-Hercegovinë dhe një e treta (1/3) kishte vizituar Maqedoninë.

 

Rezultatet e “Barometrit Ballkanik 2017” treguan se papunësia dhe gjendja e përgjithshme ekonomikejanë problemet kryesore të vendeve të Ballkanit. Në përgjigje të pyetjes se “Cilët janë dy problemet më të mëdha në vendin tuaj?” sipas mesatares rajonale (të përgjigjeve) 67% e njerëzve si problem më të madh shikojnë papunësinë, 46% situatën ekonomike, 32% korrupsionin dhe 16% kriminalitetin. Kurse në Turqi, përgjigjet për të njëjtën pyetje janë të ndryshme. Konkretisht, në lidhje me pyetjen mbi dy problemet më të mëdha të vendit, 48% e të anketuarve në Turqi si probleme kryesore në vend të parë rendisin çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë dhe terrorizmin, 44% si problem të madh shikojnë papunësisë, 37% tregojnë gjendjen ekonomike dhe për 14% problem përbëjnë refugjatët. Vetëm 15% e popullsisë në Turqi dhe 12% në Ballkan mendojnë se ardhja e refugjatëve do të jetë një gjë e mirë për vendin.

Në një mënyrë të ngjashme edhe me situatën në vendet e Ballkanit, njerëzit në Turqi janë më shumë të kënaqur me gjendjen financiare të familjes së tyre sesa me situatën aktuale në ekonomi. Përqindja e atyre që janë të kënaqur me gjendjen financiare të familjeve në Turqi është 39%, kurse në Ballkan është 27%. Rreth 27% e të anketuarve, si në Turqi ashtu edhe në Ballkan, thanë se presin që gjendja e tyre financiare të përmirësohet në vitin 2017. Megjithatë, përqindja e atyre që shqetësohen për humbjen e vendit të punës në periudhën e ardhshme është 36% në Turqi dhe 21% në vendet e Ballkanit. 43% e njerëzve në të shtatë vendet e Ballkanit dhe 67% e popullsisë në Turqi preferojnë të punojnë në institucione shtetërore. Kjo tregon që sektori privat nuk është mjaft i besueshëm.

Sipas Barometrit Ballkanik, rreth 35% e njerëzve në Turqi dhe në vendet e Ballkanit mendojnë se ata rrezikojnë të bien në varfëri. Raporti i atyre që besojnë në rritjen gjithnjë e më shumë të hendekut midis të pasurve dhe të varfërve është 80% në Turqi dhe 88% në Ballkan. Kurse përqindja e atyre që janë përgjigjur se mund të mendojnë për të shkuar jashtë shtetit për të punuar është 45% në Ballkan dhe 25% në Turqi. Kjo shifër tregon se tendenca e imigracionit nga vendet e Ballkanit është në nivele shumë më të larta.

Për sa i takon besueshmërisë ndaj qeverisë në Turqi niveli është shumë më i lartë krahasuar me vendet e Ballkanit. Përveç kësaj, situata në Turqi është shumë më e mirë se ajo në Ballkan edhe për sa i përket besimit ndaj institucioneve shtetërore. Për shembull, në Turqi besimi ndaj qeverisë është 64%, ndaj gjykatave dhe sistemit gjyqësor 61%, kurse besimi ndaj parlamentit është 57%. Ndërsa në shtatë vende të Ballkanit besimi ndaj të njëjtave institucione mbetet në nivele të ulëta, me vlera që variojnë nga 26% deri në 28% në nivel rajonal. Shkalla e besimit se ligji zbatohet në mënyrë efektive është 57% në Turqi dhe 24% në shtatë vende ballkanike. Ndërsa 59% e të anketuarve nga Turqia besojnë se qeveria po lufton në mënyrë efektive kundër korrupsionit, në Ballkan vetëm 23% e njerëzve në nivel rajonal shprehin një opinion të ngjashëm në lidhje me vendet e tyre. Edhe kjo shifër gjithashtu tregon nevojën për përmirësime në fushat e sundimit të ligjit dhe mirëqeverisjes në shtatë vendet e Ballkanit, që kanë qenë objekt i këtij studimi.

Mbështetja ndaj procesit të pranimit në Bashkimin Evropian (BE) në përgjithësi vazhdon si në Turqi, ashtu edhe në vendet e Ballkanit. Është interesant fakti se perceptimet në lidhje me BE-në janë të ngjashme si në Turqi, ashtu edhe në vendet e Ballkanit. Në të vërtetë, rreth 42% e njerëzve si në nivel rajonal në Ballkan, ashtu edhe në Turqi mendojnë se anëtarësimi në BE është një gjë e mirë. Përqindja e atyre që mendojnë se anëtarësimi në BE është një gjë e keqe është rreth 20%, kurse e atyre që nuk japin një mendim (që janë neutralë) është rreth 35%. Megjithatë, kur e shohim këtë çështje në rang vendesh, bien në sy dallime të rëndësishme. Për shembull, vetëm 26% e njerëzve në Serbi dhe 31% në Bosnjë-Hercegovinë e shohin anëtarësimin në BE si një gjë të mirë. Nga ana tjetër, shkalla e atyre që e shohin anëtarësimin në BE si një zhvillim të mirë në Shqipëri dhe Kosovë është në nivele shumë të larta, përkatësisht 81% në Shqipëri dhe 90% në Kosovë. Si në Turqi ashtu edhe në shtatë vendet e Ballkanit, anëtarësimi në BE në shumicën e rasteve vlerësohet pozitiv në aspektin e lirisë së lëvizjes, mirëqenies ekonomike dhe lirisë së arsimimit dhe punësimit brenda Unionit. Përqindja e atyre që mendojnë se anëtarësimi në BE nuk do të ndodhë kurrë është 34% në Turqi dhe 28% në Ballkan.

Barometri Ballkanik 2017” gjithashtu ndan me lexuesit edhe nivelin e kënaqësisë së qytetarëve ndaj arsimit, shërbimeve publike, infrastrukturës së transportit dhe në disa fusha të tjera. Përveç kësaj, ai gjithashtu përpiqet të përcaktojë edhe barrierat kryesore në bërjen e biznesit duke i vlerësuar të gjitha këto çështje edhe nga pikëpamja e botës së biznesit. Rezultati kryesor i një studimi krahasues të Turqisë dhe vendeve të Ballkanit është se Turqia ndodhet në një gjendje më të mirë në aspektin e shumicës së treguesve. Turqia është në një gjendje më të mirë edhe në aspektin e pritshmërive për të ardhmen.

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ

 

 


Lajme të ngjashme