Zgjedhjet në Malin e Zi – Populli vendos pro perëndimit

Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e udhëhequr nga Kryeministri aktual i Malit të Zi, Milo Xhukanoviq në zgjedhjet e mbajtura ditën e diel mori rreth 41% të votave.

592720
Zgjedhjet në Malin e Zi – Populli vendos pro perëndimit

Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e udhëhequr nga Kryeministri aktual i Malit të Zi, Milo Xhukanoviq në zgjedhjet e mbajtura ditën e diel mori rreth 41% të votave. Së bashku me dëshminë se kjo parti është partia më e pëlqyer e vendit, në pah doli edhe nevoja për gjetjen e partnerëve për formimin e koalicionit qeverisës. Duket se socialdemokratët e Malit të Zi dhe partitë e pakicave kombëtare të vendit, janë partnerë më të përshtatshëm për Kryeministrin Milo Xhukanoviq.   

Njëra prej veçorive më të rëndësishme të zgjedhjeve të mbajtura në Malin e Zi është preferenca për trajtimin e çështjeve të politikës së jashtme gjatë fushatave zgjedhore. Ndërkohë që partia në pushtet mundohet ta çoj vendin drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, në anën tjetër opozita si alternativë ofron afrimin me Moskën. Për këtë arsye populli gjatë zgjedhjeve në Malin e Zi u detyruan të bëjë një zgjedhje mes NATO-s dhe Rusisë.

Opozita e përkrahur nga rrethet e Moskës dhe nga ana e nacionalistëve të Serbisë nuk fitoi në zgjedhje, mirëpo Kryeministri Milo Xhukanoviq kësaj radhe u ballafaqua me vështirësi të shumta gjatë këtyre zgjedhjeve. Në vitin 2015 opozita tentoi që me dhunë ta ndryshoj qeverinë dhe arriti që në rrugë të nxjerr një masë të madhe të popullit. Për këtë arsye këto zgjedhje në Malin e Zi kanë qenë të rëndësishme nga aspekti i Kryeministrit Xhukanoviq. Ishte e nevojshme që Partia Demokratike e Socialistëve të dëshmoj se ende e ka përkrahjen e popullit si përpara. Ndërkaq kjo parti nuk hezitoj të vë në veprim të gjitha mundësitë shtetëror për të arritur në këtë qëllim. Tërheq vëmendjen edhe arrestimi i 20 personave disa orë para zgjedhjeve me arsyetim të planifikimit të akteve të terrorit në vend.

Partia Demokratike e Socialistëve u kthye në pothuajse legjendën e politikës së Malit të Zi. Kjo parti, e cila fitoi në zgjedhjet e para shumë partiake të mbajtura në vitin 1990, prej atëherë e deri më sot udhëheqë Malin e Zi si partia e vetme në pushtet apo në koalicion. Partia Demokratike e Socialistëve, e cila në fillim ishte e afërt me udhëheqjen e Slobodan Milosheviqit në Serbi, në vitin 1997 braktisi pozitën e satelitit besnik të Beogradit për tu ndarë më pas. Nëse i bëjmë një vlerësim historisë së fundit 20-vjeçare shohim se Partia Demokratike e Socialistëve hodhi firmën në suksese të rëndësishme. Padyshim se njëra prej sukseseve më të rëndësishme është shpallja e pavarësisë së Malit të Zi në vitin 2006. Edhe negociatat për anëtarësim që zhvillohen me BE-në janë njëra prej sukseseve të kësaj partie. Në dhjetor të vitit 2015 Mali i Zi mori edhe ftesën zyrtare për tu anëtarësuar në NATO. Mirëpo për tu bërë anëtare e 29-të e NATO-s duhet që Mali i Zi vendimin ta miratoj në mënyrë zyrtare. Ndërkaq opozitarët, të cilët kundërshtojnë anëtarësimin e vendit në aleancën veri-atlantike, insistojnë në paraqitjen në referendum të vendimit për anëtarësim në këtë aleancë.

Ndërkaq mund të bëjmë fjalë edhe për disa faktorët themelorë të cilët lehtësuan suksesin e Partisë Demokratike të Socialistëve. Para së gjithash pjesa kryesore e popullit të Malit të Zi partitë opozitare i perceptojnë si partitë që mbrojnë interesat e Serbisë. Për këtë arsye Partia Demokratike e Socialistëve, e cila është një sinonim i pavarësisë, përkrahet vazhdimisht nga votuesit që kanë ndjeshmëri ndaj çështjes nacionale.

Padyshim se Milo Xhukanoviq ka dhënë kontribut të madh në suksesin afërsisht 26-vjeçar të Partisë Demokratike të Socialistëve. Xhukanoviq me një personalitet karizmatik, prej fillimit ka përvetësuar ekonominë e tregut dhe demokracinë perëndimore, gjithashtu është një lider që synon integrimin e vendit të tij në institucionet euro-atlantike. Xhukanoviq, i cili di ti përfitoj zemrat e popullit me politikat dhe retorikat që ndjek, në rastet kritike të karrierës së tij politike çdo herë mori përkrahjen e boshnjakëve, shqiptarëve dhe kroatëve të Malit të Zi.

Në të vërtet nëse shikojmë në të kaluarën, shohim se historia e Malit të Zi është e mbushur me çaste kritike. Arsyeja e kësaj është ndasia e thellë që mbretëron në mesin e popullit të Malit të Zi. Kjo ndasi, rrënjët e së cilës zgjaten deri në shekullin e 20-të dhe që shfaqet në dimensione të ndryshme, në ditët e sotme del në pah në aspektin e marrëdhënieve me Serbinë dhe Rusinë. Fatkeqësisht Partia Demokratike e Socialistëve krahas periudhës së gjatë në pushtet, ende nuk arriti të bind 45% të popullit mbi çështjet historike, vlerat kombëtare, madje mbi sovranitetin e Malit të Zi. Për këtë arsye Xhukanoviq shumë herë mbeti në pushtet në saje të votave të pakicave dhe kështu përcaktoi drejtimin strategjik të vendit. Edhe rezultatet e zgjedhjeve të fundit tregojnë se Xhukanoviq ka nevojë për përkrahjen e pakicave për të mbetur në pushtet. Edhe pse pakicat e Malit të Zi në këtë mënyrë luajnë një rol kyç, ata zakonisht mbeten nën hijen e skenës politike të vendit.

Sipas rezultateve të regjistrimit të popullatës të vitit 2011, pakicën më të madhe të Malit të Zi e përbëjnë boshnjakët me 12%. Ndërkaq 5% të popullatës e përbëjnë shqiptarët. Krahas tyre, në Mal të Zi jetojnë mbi 10 grupe tjera të pakicave me numër relativisht të vogël. Sipas të gjitha gjasave partitë politike të pakicave të Malit të Zi sërish do të japin përkrahjen e tyre Milo Xhukanoviqit. Mirëpo kësaj radhe Partia Demokratike e Socialistëve do të detyrohet t’ju jap role më aktive deputetëve nga radhët e pakicave.   

Autor: Dr. Erhan Turbedar



Lajme të ngjashme