Koment - E ardhmja e Sirisë dhe LM-së në perspektivën historike

Lufta civile siriane, që vijon prej më shumë se 4 vitesh, natyrisht që nuk është vetëm një problem i Sirisë.

Koment - E ardhmja e Sirisë dhe LM-së në perspektivën historike

Fuqitë, të cilat kërkojnë ndryshimin e regjimit Baathist të Esadit, por edhe ato që këmbëngulin në mbrojtjen e statuskuosë në Siri, në të vërtetë kanë bërë gjithnjë plane për të ardhmen e tërë Lindjes së Mesme (LM). Kjo është dhe arsyeja thelbësore që përleshjet në Siri jo vetëm që nuk marrin fund, por thellohen dhe përhapen akoma më shumë. Sepse, realisht, kriza siriane është një problem i LM-së vetëm në kuptimin e ngushtë të fjalës, ndërsa në aspektin e përgjithshëm ajo është një problem global. Thënë ndryshe, lufta civile në Siri është faktikisht një luftë për pushtet dhe influencë ndërmjet fuqive botërore, por që zhvillohet nëpërmjet mëkëmbësve të tyre në rajon.

Prova më konkrete për këtë pretendim është lista e vendeve pjesëmarrëse në konferencën e paqes, që u mbajt në Vjenë më 6 nëntor. Nëse lufta civile siriane do të ishte vetëm një problem i Sirisë, atëherë rreth asaj tavoline nuk kishte arsye përse të mblidheshin të gjitha këto vende: SHBA-të, Rusia, Kina, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Turqia, Arabia Saudite, Egjipti, Katari, Jordania, Libani, Irani, Iraku, Omani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndërsa mbyllja pa një përfundim e raundit të parë të konferencës 2-ditore në Vjenë, që u mbajt në nivel autoritetesh të larta shtetërore të vendeve në fjalë, por edhe pajtimi mes tyre për t’u mbledhur sërish pas 15 ditësh, tregon qartë sesa i koklavitur dhe gjithëpërfshirës është ky problem. E gjithë kjo tablo demonstron se ndalja e luftës në Siri dhe firmosja e marrëveshjes së paqes do të lënë gjurmë të thella në të ardhmen e Sirisë në veçanti dhe atë të Lindjes së Mesme në përgjithësi.

Kur flitet për konferencën e Vjenës është e pamundur të mos kujtojmë dy konferencat e mëdha të shekullit të kaluar, të cilat përcaktuan fatin e LM-së. E para është Konferenca e Paqes në Paris, që u mblodh në fund të Luftës I Botërore dhe rezultoi me Traktatin e Versajës, nënshkruar më 28 qershor 1919; kurse tjetra është Konferenca e Madridit, mbledhur më 30 tetor 1991, pas Luftës së Gjirit, në vitet 1990-1991, ndërmjet Irakut dhe Kuvajtit. Konferenca e Paqes në Paris ka sjellë shpërbërjen e Perandorisë Osmane dhe themelimin e shteteve të reja në ish-territoret e saj, duke vizatuar në këtë mënyrë hartën e re të Lindjes së Mesme. Ndërsa Konferenca e Madridit, mirëpritur nga qeveria spanjolle nën sponsorizimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ish-Bashkimit Sovjetik, ka vendosur për rigjallërimin e procesit të paqes izraelito-palestinez përmes negociatave, duke angazhuar Izraelin dhe Palestinën, por edhe vendet arabe.

Por, nëse hedhim një shikim në retrospektivë, do të vërejmë fare lehtë se as Konferenca e Paqes në Paris nuk ka prodhuar një rezultat të suksesshëm apo pozitiv për Lindjen e Mesme në gati 100 vjet, as edhe nismat e ndërmarra në Konferencën e Madridit nuk kanë sjellë ndonjë zgjidhje të qëndrueshme dhe efikase për problemin palestinez. Shterpësia e këtyre dy konferencave të mëdha apo paaftësia për të prodhuar rezultatet e planifikuara në vendimet e tyre, përveçse se ka shkaktuar një sërë efektesh anësore, renditet edhe si shkak i luftës civile të sotme në Siri. Sepse kufijtë dhe regjimet artificiale të imponuara në rajon nga Konferenca e Parisit, por edhe mospërfshirja e Sirisë në procesin e paqes nga Konferenca e Madridit, janë padyshim shkaqe të luftës civile siriane. Konferenca e Parisit është bërë themel për të mbajtur në pushtet minoritetin Nusayrit dhe qeverinë Baathiste (më pas të vetëquajtur alavitë, si një kamuflim për të siguruar jo vetëm mbijetesën si sekt, por edhe një pushtet politiko-fetar => shënim i përkthyesit); ndërsa Konferenca e Madridit ka penguar zgjidhjen e problemit palestinez për shkak të pushtimeve dhe sulmeve të vazhdueshme izraelite.

Këta dy faktorë, regjimi totalitar sirian dhe problemi palestinez, duhet të kihen parasysh me doemos teksa i jepet trajtë një Sirie të re. Puna e parë e fuqive globale dhe aktorëve rajonalë të mbledhur në Vjenë është me siguri ndalja e luftës civile dhe vendosja e paqes në Siri. Për realizimin e këtij synimi duhet që fillimisht të ulen të gjitha armët, opozitarët dhe regjimi i Esadit t’i japin fund luftës së armatosur; në vijim të shporren jashtë vendit organizatat terroriste, si DAESH-i; pastaj formimi i një shteti dhe qeverie të re në Siri. Edhe pse e ardhmja e Esadit në Sirinë e re duket si mosmarrëveshja kryesore, në të vërtetë problemi esencial është papajtueshmëria ndërmjet fuqive globale dhe rajonale rreth trajtës, që do të kenë Siria dhe LM-ja.

Në njërin front të mosmarrëveshjes në fjalë qëndron blloku perëndimor dhe demokratik, që formohet nga vende si SHBA-të, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Turqia, Arabia Saudite dhe Katari; ndërsa në frontin tjetër blloku lindor dhe autoritar i përbërë nga shtete si Rusia, Kina, Irani dhe Iraku. Pikë e rëndësishme mes rreshtave të këtij polarizimi është edhe konflikti apo mospajtimi sektar, sidomos ndërmjet Arabisë Saudite dhe Iranit. Padyshim që rivaliteti ndërmjet këtyre dy blloqeve konsiston edhe në shumë komponentë të tjerë, ku ia vlen të përmenden gjeopolitika, gjeostrategjia, energjia (nafta dhe gazi natyror), ekonomia, zona e influencës, tregu i armëve, prestigji dhe imazhi. Madje, edhe pse nuk ishin në mesin e vendeve pjesëmarrëse në takimin e Vjenës, paqja në Siri dhe në LM është e pamundur të vendoset duke neglizhuar problemin Izrael-Palestinë. Nëse Egjipti konsiderohet njëra këmbë e problemit izraelito-palestinez që prej viteve 1948 dhe 1956, atëherë tjetra ka qenë përherë Izraeli. Siç shprehej vite më parë edhe Henry Kissinger, ekspert i shquar i politikës së jashtme dhe i diplomacisë amerikane, “në Lindjen e Mesme s’mund të bëhet luftë pa Egjiptin dhe paqe pa Sirinë”.

Si përfundim; e parë nga prizmi i dinamikave historike dhe aktuale, konferenca e Vjenës ka fuqi të përcaktojë jo vetëm të ardhmen e Sirisë, por edhe atë të gjithë Lindjes së Mesme. Nga aspekti historik, takimet në Vjenë janë po aq të rëndësishme sa konferencat e Parisit dhe Madridit; prandaj duhet ta kenë gjithnjë në vëmendje këtë përvojë historike. Për një paqe të suksesshme dhe pozitive në Siri e në LM, ekuilibri etnik apo sektar duhet të vendoset me ndjeshmëri maksimale. Rezultatet e takimeve në kryeqytetin austriak nuk duhet në jenë kufij dhe struktura të reja artificiale, të cilat do të kërcënonin kufijtë rajonalë; por themelimi i një Sirie dhe rajoni në përshtatje me të vërtetat e Lindjes së Mesme, realist, demokratik dhe të drejtë. Gabimet e bëra në fillim të shekullin të 20-të nuk duhet të përsëriten në fillim të shekullit të 21-të.

 

Autor: Prof. dr. Ramazan Gozen - Pedagog i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin “Marmara”, Stamboll

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme