Plani i OKB-së për transformimin e botës

17 objektivat që do të miratohen nga bashkësia ndërkombëtare për një program të ri ambicioz për zhvillim të qëndrueshëm.

Plani i OKB-së për transformimin e botës

Më shumë se 150 udhëheqës nga e gjithë bota, duke përfshirë dhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, marrin pjesë në Samitin e OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm, më 25-27 shtator në Selinë Qendrore të OKB-së në Nju-Jork, për të miratuar zyrtarisht një program të ri ambicioz për zhvillim të qëndrueshëm.

Ky program historik do të shërbejë si pikënisje për veprim nga bashkësia ndërkombëtare dhe qeveritë kombëtare për të nxitur prosperitet dhe mirëqenie për të gjithë, në 15 vitet në vijim.

Në një deklaratë pas konsensusit të arritur nga Shtetet Anëtare në lidhje me dokumentin që doli nga Samiti më 2 gusht, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon tha: “Marrëveshja përfshin një program universal, transformues dhe të integruar që përbën një kthesë historike për botën.”

“Ky është programi i Popullit, një plan veprimi për t’i dhënë fund kudo varfërisë në të gjitha dimensionet, në mënyrë të pakthyeshme, dhe për të ecur të gjithë me një hap,” – tha ai.

Miratuar nga të 193 Shtetet Anëtare të OKB-së, programi i propozuar, që titullohet “Ta transformojmë botën: Programi për Zhvillim të Qëndrueshëm, 2030”, konsiston në një Deklaratë, 17 Objektiva për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe 169 tregues të synuar, një rubrikë mbi mjetet e vënies në zbatim dhe partneritetin e ripërtërirë global, dhe një kornizë për shqyrtim dhe ndjekje të ecurisë.

Ky program është i veçantë sepse kërkon veprim nga të gjitha vendet, të varfra, të pasura dhe të mesme. Ai pranon se eliminimi i varfërisë duhet të ecë paralelisht me një plan për rritjen ekonomike në të cilin trajtohen një varg nevojash sociale përfshirë arsimin, shëndetësinë, mbrojtjen sociale dhe punësimin, duke trajtuar edhe ndryshimin klimatik dhe mbrojtjen e mjedisit. Në të mbulohen edhe çështje të tilla si pabarazia, infrastruktura, energjia, konsumi, biodiversiteti, oqeanet dhe industrializimi.

Programi i ri për zhvillim të qëndrueshëm mbështetet tek suksesi i Konferencës për Financimin për Zhvillim që u mbyll kohët e fundit në Adis Abebë të Etiopisë. Pritet që ky program të ndikojë pozitivisht edhe në negociatat për një marrëveshje universale dhe kuptimplotë për klimën në Paris në muajin dhjetor.

Procesi ndërqeveritar drejt veprimit global në të mirë të njerëzve dhe planetit

Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit (OZHM), të cilët sollën lëvizjen më të suksesshme kundër varfërisë në histori, shërbejnë si trampolinë për programin e ri për zhvillim të qëndrueshëm që do të miratohet nga udhëheqësit e botës me data 25-27 Shtator 2015

Pas Konferencës së OKB-së për Mjedisin dhe Zhvillimin (Samiti për Tokën) të mbajtur në 1992 në Rio-de-Zhanejro, Brazil, bota ka identifikuar një rrugë të re drejt mirëqenies për njerëzit: rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm. Koncepti i zhvillimit të qëndrueshëm, i prezantuar në Agjenda 21, pranonte se zhvillimi ekonomik duhet drejtpeshuar me një rritje e cila përmbush nevojat e njerëzve dhe mbron mjedisin.

Programi i ri për zhvillim të qëndrueshëm mbështetet tek rezultatet e Samitit Botëror të vitit 2002 për Zhvillim të Qëndrueshëm, Samiti i vitit 2010 për OZHM-të, rezultatet e Konferencës së OKB-së për Zhvillimin e Qëndrueshëm në 2012 (Rio+20) dhe mendimet e njerëzve në mbarë botën.

Duke njohur sukseset e OZHM-ve, vendet kanë rënë dakord në dokumentin “E ardhmja që duam”, i cili doli nga Rio+20, që të krijojnë një grup pune të hapur për të hartuar një paketë objektivash për zhvillim të qëndrueshëm, për diskutim dhe veprim.

Pas më shumë se një vit diskutimesh dhe konsultimesh gjithëpërfshirëse dhe intensive, Grupi i Hapur i Punës propozoi 17 objektiva konkretë të shoqëruar me 169 tregues të synuar.

Negociatat ndërqeveritare për përbërjen e objektivave kanë zgjatur më shumë se dy vjet dhe kanë përfshirë kontribute të shumta nga shoqëria civile dhe nga palë të tjera interesi. Konsultimet gjithëpërfshirëse dhe transparente çuan në arritjen e një konsensusi më 2 gusht për një dokument mbi programin e ri për zhvillim të qëndrueshëm.

Ky program i ri do të miratohet nga udhëheqësit e botës në Samitin për Zhvillimin e Qëndrueshëm, të muajit shtator 2015.

Cilat janë Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm?

Objektivi 1 Eliminimi i varfërisë në të gjitha format kudo

Objektivi 2 Eliminimi i urisë, arritja e sigurisë ushqimore dhe përmirësimit të ushqyerjes dhe nxitja e bujqësisë së qëndrueshme

Objektivi 3 Sigurimi i jetës së shëndetshme dhe nxitja e mirëqenies për të gjithë njerëzit e çdo moshe

Objektivi 4 Sigurimi i arsimit cilësor gjithëpërfshirës dhe të drejtë dhe nxitja e mundësive për mësim gjatë gjithë jetës për të gjithë

Objektivi 5 Arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i të gjitha grave dhe vajzave

Objektivi 6 Sigurimi i disponueshmërisë dhe menaxhimit të qëndrueshëm të ujësjellës-kanalizimeve për të gjithë

Objektivi 7 Sigurimi i lidhjes me energji të përballueshme, të sigurt, të qëndrueshme dhe moderne për të gjithë

Objektivi 8 Nxitja e rritjes ekonomike të vazhdueshme, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, punësim të plotë dhe produktiv dhe punë të denjë për të gjithë

Objektivi 9 Ndërtimi i infrastrukturave rezistuese, nxitja e industrializimit gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm dhe nxitja e novacionit

Objektivi 10 Zvogëlimi i pabarazisë brendapërbrenda vendeve dhe mes tyre

Objektivi 11 Kthimi i qyteteve dhe vendbanimeve në gjithëpërfshirës, të parrezikshëm, rezistues dhe të qëndrueshëm

Objektivi 12 Sigurimi i modeleve të qëndrueshme të konsumit dhe prodhimit

Objektivi 13 Marrja e masave për të luftuar ndryshimin klimatik dhe efektin e tij

Objektivi 14 Ruajtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i oqeaneve, deteve dhe burimeve detare për zhvillimin e qëndrueshëm

Objektivi 15 Mbrojtja, restaurimi dhe nxitja e përdorimit të qëndrueshëm të ekosistemeve tokësore, administrimi i qëndrueshëm i pyjeve, lufta kundër kthimit të hapësirave në shkretëtirë dhe ndalimi dhe kthimi pas i procesit të degradimit të tokës dhe ndalimi i humbjes së biodiversitetit

Objektivi 16 Nxitja e shoqërive paqësore dhe gjithëpërfshirëse për zhvillim të qëndrueshëm, ofrimi i mundësisë për drejtësi për të gjithë dhe ngritja e institucioneve të efektshme, llogaridhënëse dhe gjithëpërfshirëse në të gjitha nivelet

Objektivi 17 Fuqizimi i mjeteve të vënies në zbatim dhe rigjallërimi i partneritetit botëror për zhvillim të qëndrueshëm.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme