Koment - Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut

Sot është data 10 Dhjetor, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.

Koment - Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut

Krimet kundër njerëzimit po vazhdojnë anembanë rruzullit tokësor. Por në veçanti një vend po tejkalon çdolloj kufiri për sa u takon krimeve kundër njerëzimit. Një organizatë terroriste me emrin ISIS, pas së cilës është e pamundur të kuptohet se kush fshihet, po ndërmerr akte dhune të paprecedente deri më sot në një rajon të botës, që nuk po gjen dot qetësi prej një kohe shumë të gjatë. Metodat, me të cilat ISIS-i kryen krime në emër të islamit, nuk hasen as në periudhat më të errëta të historisë. Masakrimi pa kurrfarë dallimi i foshnjave, fëmijëve, të rinjve dhe të moshuarve, akte këto katërçipërisht të pajustifikueshme për asnjë kauzë, apo synim; janë të pafalshme për hir të njerëzimit.

Pretendimi i ISIS-it se këto akte të dhunshme i kryen në emër të islamit, tërheq së pari reagimin e myslimanëve.

Dijetarët islamë theksojnë se “vrasja e njerëzve të pafajshëm, lajmëtarëve dhe rrjedhimisht gazetarëve; keqtrajtimi i të krishterëve, apo i besimtarëve të librave të shenjtë dhe zbatimi i robërisë së hequr me vendim të përbashkët e njëzëri; detyrimi i njerëzve për t’u konvertuar në islam; rrëmbimi i të drejtave të grave dhe fëmijëve; torturimi; dëmtimi, apo dhunimi i varreve dhe trupave të pajetë janë akte krejtësisht të palejueshme dhe të papranueshme në fenë islame”. Megjithatë, ISIS-i vijon të kryejë krime kundër njerëzimit.

Historia na mëson se asnjë organizatë, sado absurde dhe e pakuptimtë që të duket, nuk mund të mbijetojë vetvetiu dhe pa ekzistencën e një mbrojtësi, apo tutori të ligjshëm. Padyshim që një ditë do t’i bjerë maska edhe fuqisë, që fshihet pas kësaj organizate, e cila kryen vazhdimisht krime kundër njerëzimit.

Jemi të bindur që, teksa festojmë Ditën e të Drejtave të Njeriut, vet njerëzimi do të demonstrojë ndjeshmëri të përbashkët për të shkëshilluar shkeljet e të drejtave të njeriut dhe autorët e tyre.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme