Të parat e Anadollit – Statuja e Afërditës së Knidit

Tema jonë e sotme është Afërdita e Knidit, skulpturë e Praksitelit të famshëm dhe ndër të parat e këtij lloji në historinë e artit.

1739993
Të parat e Anadollit – Statuja e Afërditës së Knidit

Këto treva kanë pritur konkursin e parë të bukurisë në historinë e njerëzimit. Thuhet se kjo garë mes perëndeshave ka ndodhur rreth 4.000 vjet më parë. Afërdita tundon arbitrin për të fituar titullin e hyjneshës më të bukur. Edhe pse do të bëhej shkak për Luftën e Trojës, kjo bëri që ajo të shpallej “perëndesha më e bukur”. Emri “Afërditë” lidhet e identifikohet prej qindra vitesh me koncepte të tilla si “femra më e bukur në botë”, “përmasa të përkryera” dhe “perfeksion”. Në emër të perëndeshës janë ndërtuar tempuj të shumtë dhe gdhendur statuja ndoshta të panumërta. Sot do të flasim për një prej këtyre statujave dhe mbase më e rëndësishmja, Afërdita e Knidit (në rrethin Datça të provincës jugperëndimore Mugla të Turqisë), e cila është ndër të parat në historinë e artit.

Afërdita njihet si hyjnesha e dashurisë ose e bukurisë në mitologjinë greke. Ajo është mbrojtësja e marinarëve dhe gjithashtu perëndeshë e pjellorisë dhe begatisë. Praksiteli, skulptori i famshëm i antikitetit, skaliti një trupore për banorët e Knidit, të cilët ishin një shoqëri detare. Statuja e Afërditës së Knidit, e njohur edhe si “Afërdita e Zhveshur”, është e para “statujë femërore nudo” në botë dhe për këtë arsye konsiderohet monumentale. Edhe pse gruaja dhe trupi i femrës do të bëheshin plaçkë tregtie në figurën e perëndeshës Afërditë gjatë viteve në vijim, shtatorja e punuar nga duart mjeshtërore të Praksitelit ishte një vepër novatore për atë periudhë.

Deri në atë kohë, të tilla statuja u bëheshin vetëm perëndive greke, domethënë figurave burrërore, ndërsa hyjneshat gdhendeshin bashkë me veshjet e tyre. Ndryshe nga se besohet, kjo nuk ndodhte aspak sepse vlerësohej si diçka vulgare... Ishte trupi mashkullor ai që konsiderohej i përsosur për qytetërimin helen, i cili ishte një shoqëri patriarkale dhe reflektimet e kësaj dukeshin fare qartë në mitologjinë e tij. Prandaj nuk kishte asgjë të keqe në ekspozimin e tij. Kurse trupi femëror besohej të ishte i metë, kështu që gruaja portretizohej e veshur.

Statuja e Afërditës së Knidit është shembulli i parë i një teme të re në historinë e artit, por nuk ndalet me kaq. Kjo vepër paralajmëronte se gratë do të fillonin të bëheshin pjesë aktive e shoqërisë helene. Ajo do të frymëzonte shumë artistë ndër shekuj duke u bërë subjekt jo vetëm i skulpturës, por edhe i pikturës, poezisë, romanit e filmit deri në idealizimin e trupit femëror përmes Afërditës.

Afërdita është një perëndeshë dhe një pasqyrim unik i bukurisë hyjnore, shumë përtej të bukurës së dheut. Skulptura në fjalë është konkretizimi i kësaj ideje dhe mishërimi i saj. Afërdita e Knidit është një prej krenarive të artit antik. Aq sa disa autorë të asaj periudhe e përkufizojnë këtë mrekulli estetike si “një kryevepër që ia vlen të shihet në të gjithë botën e lashtë”. Afërdita e Knidit është portretizuar nga Praksiteli teksa hyjnesha përgatitej për të bërë banjë. Prandaj ajo ka edhe një kuptim fetar, sepse larja është një ritual i detyrueshëm sikurse dhe për të gjitha perëndeshat e tjera të pjellorisë.

Banorët e Knidit kërkonin ndihmën e Afërditës si perëndeshë që mbronte detarët. Kjo është arsyeja pse statuja e saj ishte vendosur në zonën e tempullit të Knidit, në një lartësi ku marinarët mund ta shihnin atë nga çdo kënd. Ata besonin se ajo ishte e aftë të vërente kanalet e rrezikshme duke i ndihmuar të strehoheshin në një port gjatë motit me stuhi. Detarët që shihnin statujën, e ndjenin veten të sigurt. Ekspertët thonë se tempulli ka shumë gjasa të jetë ndërtuar në një formë shumë të pazakontë, me planimetri rrethore, për të mundësuar që statuja të shikohet nga të gjitha anët. Struktura e quajtur edhe Tempulli i Afërditës, njihet gjerësisht si Tempulli i Rrumbullakët. Megjithatë këto nuk janë veçse hamendje, sepse kjo statujë e famshme, e kërkuar për një kohë shumë të gjatë, nuk është gjetur as në tempull e askund tjetër në Knidos… Studiuesit zotërojnë vetëm shënime të udhëtarëve që e kanë vizituar këtë vend asokohe, monedha me portretin e Afërditës të gjetura në gërmime dhe të dhëna rreth pikturave murale që mendohet se i përkasin këtij tempulli.

Përpara se të kalojmë te struktura të tjera mbresëlënëse të Knidit, duam të flasim pak edhe për këtë qytet. I pozicionuar në skajin jugperëndimor të gadishullit të Datçës, Knidi ishte ndër qytetet e rëndësishme tregtare, kulturore dhe artistike të epokës së lashtë. Ai ishte shumë i rëndësishëm edhe në aspektin detar, pasi shtrihej në pikëtakimin e detit Egje me Mesdheun. Knidi ishte vendndalimi i rëndësishëm për anijet që lundronin nga Mesdheu në Detin e Zi. Pozita e tij ishte jetike për të siguruar furnizime, mallra tregtare dhe për të pushuar. Me portet e tij natyrore të mbrojtura, ai u vinte në ndihmë marinarëve në kushte të këqija atmosferike. Fillimisht qyteti përbëhej nga pjesa kontinentale dhe ishulli Kap Krio, i cili sot quhet Qafa e Devesë (Deveboynu). Prandaj edhe Straboni, gjeograf famëmadh i asaj periudhe, e përkufizon Knidin si “qytet i dyfishtë”. Me kalimin e kohës, ngushtica detare midis ishullit dhe kontinentit mbushet dhe kështu përftohen dy porte të veçanta. Porti i Egjeut në veri përdoret për qëllime ushtarake duke qenë se është më i mbrojtur, ndërsa porti në jug vihet në shërbim të anijeve tregtare. Njohja dhe aplikimi i suksesshëm i teknikave të mbushjes së detit në atë kohë është një arritje inxhinierike për t'u admiruar.

Ndërtesat në qytetin e lashtë të Knidit janë vendosur në brezare për shkak të terrenit të thyer. Më sipër folëm shkurtimisht për Tempullin e Rrumbullakët ose Tempullin e Afërditës, ndërtuar në pikën dominuese të qytetit. Struktura të tjera mahnitëse të Knidit janë Stoa, e cila përdorej si qendër tregtare me artikuj të llojllojshëm, shenjtërorja kushtuar Demetrës si perëndeshë e begatisë, Teatri i Madh me një kapacitet prej 20 mijë spektatorësh, Tempulli dhe Altari i Apolonit, si dhe Tempulli i Dionisit. Përveç këtyre, qyteti ka edhe një nga nekropolet (varrezë e kohëve të vjetra) më të mëdha të antikitetit.

I shquar për pasurinë dhe shkëlqimin e tij, ky qytet i lashtë është plaçkitur shumë e shumë herë. Madje këto grabitje vazhduan edhe pasi qyteti e kishte përfunduar ciklin e tij! Disa kërkonin të pasuroheshin duke trafikuar në vendet e tyre objektet e gjetura në këtë qytet, të tjerë rendnin pas famës që mund të fitonin duke zbuluar një vepër shumë të lakmuar - statujën e Afërditës. Në shekujt XIX dhe XX, Knidi pësoi dëme kolosale nga gërmimet kusare që nuk ishin asgjë më shumë se gjueti thesari… Objektet/veprat e zbuluara në gërmime u nxorën kontrabandë jashtë vendit. Luani i Knidit, i cili dallon me përmasat, peshën dhe vlerën e lartë artistike, por edhe statuja me dimensione njerëzore reale e Demetrës së Knidit, sot ekspozohen shumë larg vendit të origjinës, në Londër.

Praksiteli, skulptor duarartë dhe mendjehapur që krijoi shtigje të reja duke gdhendur statujën e Afërditës, e bëri qytetin një qendër turistike të famshme. Dhe në fund po ju njohim shkurtimisht me disa emra të tjerë, të cilët kontribuuan që Knidi të jetë një qytet avangardë jo vetëm në art, por edhe në shkencë e kulturë. Me origjinë nga Knidi është edhe Eudoksi, matematikani, astronomi e filozofi që udhëzoi Arkimedin e Euklidin dhe që prezantoi për herë të parë strukturën e universit si një model matematikor. Nga Knidi është edhe Sostrati, arkitekt i Farit të Aleksandrisë në Egjipt, një nga shtatë mrekullitë e botës antike. Kurse Eurifoni, i cili themeloi në Knid shkollën e dytë më të madhe të mjekësisë në atë epokë, është një bashkëkohës dhe rival i Hipokratit.

 

Autore: Neslihan Degirmencioglu – Producente, TRT, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

 



Lajme të ngjashme