Ekspozitë e fotografive në përkujtim të 57-vjetorit të tërmetit të Shkupit

Me rastin e 57-vjetorit të tërmetit katastrofik në Shkup, Muzeu i Qytetit të Shkupit hapi ekspozitën "Rruga shkupjane e solidaritetit ndërkombëtar" në Parkun e Qytetit.

1462025
Ekspozitë e fotografive në përkujtim të 57-vjetorit të tërmetit të Shkupit

Me rastin e 57-vjetorit të tërmetit katastrofik në Shkup, Muzeu i Qytetit të Shkupit hapi ekspozitën "Rruga shkupjane e solidaritetit ndërkombëtar" në Parkun e Qytetit, ku mori pjesë edhe kryetari i Shkupit, Petre Shilegov.

Në fjalimin e tij Shilegov përkujtoi se përmes zërit të gazetarit Jovan Popovski, u përcollën lajmet e para për tërmetin në Shkup në botë, duke shtuar se lajmi shumë shpejt u bë tema kryesore në të gjitha mediat botërore në atë kohë.

"Që në ditët e para, solidariteti botëror u tregua në veprim. Nga të gjitha anët e botës arrinin donacione në furnizimeve mjekësore, gjak, ushqim, ujë, si dhe ushtarë dhe makineri për pastrimin e rrënojave", tha Shilegov.

Duke deklaruar se janë të rrallë qytetet në botë që kanë përjetuar katastrofa të tilla siç ka përjetuar Shkupi në vitin 1963, Shilegov tha se edhe më të rrallë janë qytetet që kanë mbledhur aq shumë shtete, aq shumë njerëz për rindërtimin e qytetit.

Shilegov gjithashtu u zotua të vazhdojë të ndërtojë Shkupin aktual, duke theksuar se do të ketë edhe më shumë hapësira publike, me shumë parqe, më shumë ura dhe bulevarde.

Kujtojmë se më 26 korrik të vitit 1963, në ora 05:17, Shkupi u godit nga një tërmet i fuqishëm që shkaktoi vdekjen e mbi 1.070 personave, ndërsa mbi 3.000 të tjerë mbetën të plagosur.

Tërmeti shkatërroi 15.800 njësi banimi, duke lënë mbi 200 mijë persona pa kulm mbi kokë. (AA)



Lajme të ngjashme