Kuzhina turke – Pilaf me patëllxhan

Njëra prej gjellëve të domosdoshme të kuzhinës turke është edhe pilafi që shpesh shërbehet së bashku me gjellët e lëngshme dhe ushqimin e skarës.

Kuzhina turke – Pilaf me patëllxhan

Kuzhina turke – Pilaf me patëllxhan

Njëra prej gjellëve të domosdoshme të kuzhinës turke është edhe pilafi që shpesh shërbehet së bashku me gjellët e lëngshme dhe ushqimin e skarës. Pilaf ka qenë një nga ushqimet themelore të kuzhinës osmane, i gatuar me lloje orizi, bullguri ose makaronash dhe i lezetuar me erëza, mish, bishtajore ose perime. Kështu që në Pallatin Osman ishte një person përgjegjës vetëm për gatimin e pilafit. Këta kuzhinierë orizin ose bullgurin e gatuanin me përbërës shumë të ndryshëm për të diversifikuar pilafin. Në shekullin e 16-të në Pallatin Osman pilafi gatuhej me mish, lakra, fruta, hudhra, rrush të thatë dhe speca, ndërsa nëse themi se mbi pilafin sade hidheshin frutat e thara të kaurdisura atëherë ndoshta do të kuptohet më mirë se çfarë duam të themi. Edhe ne këtë javë duam të ndajmë bashkë me ju recetën për gatimin e një pilafi. Ky pilaf që gatuhet me oriz dhe lezetohet me patëllxhan quhet “Pilaf me patëllxhan”.  

Fillimisht ti numërojmë përbërësit e nevojshëm për pilafin me patëllxhan:

  • 1 gotë e gjysmë oriz
  • 2-3 patëllxhanë
  • 2 kokrra qepë të grira imët
  • 1 domate të grirë në rende
  • 1 gotë ujë vaj ulliri
  • 2 gota ujë
  • 2 lugë të vogla kripë
  • 1 lugë e vogël piper të zi
  • 2 lugë të vogla sheqer
  • 1 lugë e vogël erëza
  • 1 lugë e vogël nenexhik të tharë
  • 1 lugë e vogël kanellë të bluar

Tani le ta gatuajmë bashkë pilafin me patëllxhan. Orizin e hedhim në një enë, të cilën e mbushim me ujë të ngrohtë deri sa ta mbulojë orizin, i shtojmë kripën dhe e lëmë të qëndrojë për 30 minuta. Pastaj orizin e shpëlajmë disa herë në ujë të ftohtë dhe e lëmë të kullojë. Ndërkohë patëllxhanët i qërojmë duke u lënë nga një shirit në mes dhe i grijmë në kube të vogla. Që patëllxhanët të mos e thithin vajin gjatë skuqjes ato i lëmë të qëndrojnë në ujë të kripur për gjysmë ore. I nxjerrim nga uji, i kullojmë mirë dhe i skuqim në vaj (sa 2/3 e gotës së ujit). Pjesën tjetër të vajit e hedhim në tenxhere dhe e ngrohim. Këtu hedhim qepët e grira në rende dhe i kaurdisim deri sa të zbuten. Më pas shtojmë domatet e grira në rende dhe vazhdojmë ti kaurdisim. Pastaj shtojmë me radhë 2 gota ujë, kripën, sheqerin, piperin e zi, erëzat, nenexhikun e tharë dhe kanellën e bluar. Pasi të valojë shtojmë orizin. E përziejmë njëherë dhe sipër i shtojmë patëllxhanët. E mbyllim kapakun e tenxheres dhe fillimisht e ziejmë në zjarr të lartë dhe pasi të ketë valuar e zvogëlojmë zjarrin. Orizin e ziejmë deri sa ta thithë ujin. Pasi ta heqim nga zjarri tenxheren e lëmë të ftohet për 10-15 minuta me kapak të mbyllur. Me një lugë druri e përziejmë pilafin dhe e shërbejmë të vakët. Ju bëftë mirë...



Lajme të ngjashme