Hapet në Kosovë ekspozita "Hartografia evropiane dhe territoret shqiptare"

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Kujtim Gashi, ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitës "Hartografia evropiane dhe territoret shqiptare" e cila përfshin harta të koleksionuara të autorit Afrim Et'hemi.

1172625
Hapet në Kosovë ekspozita "Hartografia evropiane dhe territoret shqiptare"

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Kujtim Gashi, ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitës "Hartografia evropiane dhe territoret shqiptare" e cila përfshin harta të koleksionuara të autorit Afrim Et'hemi. Në hapjen e ekspozitës morën pjesë edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi dhe ai i Shqipërisë, Qemal Minxhozi.

Me këtë rast, ministri Gashi u shpreh se ndihet i nderuar që kjo ekspozitë e rëndësisë së veçantë është organizuar në Muzeun e Kosovës. "Kjo ekspozitë shënon edhe një bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe profesionistëve të profileve të ndryshme", theksoi ministri Gashi.

Ai po ashtu tha: "Ekspozita të tilla me koleksione të hartave nuk shohim shpesh, sepse harta të tilla gjinden rrallë dhe janë të rralla si të tilla, andaj, kjo si sonte që po shfaqet, paraqet për mua si ministër por edhe dikasterin që unë e udhëheq një interes për t’i ofruar, paraqitur, promovuar dhe pasqyruar qytetarëve vlera historike dhe kulturore për trashëgiminë e popullit shqiptar".

Më tej ministri Gashi sqaroi se koleksioni i Afrim Et'hemit përfshinë gjithsej 40 harta, e që veçohen sidomos hartat e Klaudius Ptolomeut, Giacomo Gastaldit, Zhernand Merkatorit dhe Johan Laurenbergut, të cilët në hartat e tyre me theks të veçantë paraqesin Ilirinë, Epirin, Moezinë, Dakinë, apo thënë më thjeshtë gjeografinë historike të trevave të popullit tonë.

"Me këtë, nga ajo se çfarë shihet brenda këtyre hartave, së pari vërtetohet interesi i hartografëve evropianë për shqiptarët, dhe së dyti vërtetohet rëndësia historike por edhe kulturore dhe turistike e trevave shqiptare", tha ai.

Ministri Gashi po ashtu ftoi që ky koleksion me harta, si dëshmi me vlera të veçanta e të dhëna të rëndësishme, të bëhet fondi i veçantë jo vetëm për ekspozim, por edhe për ruajtje dhe të jetë në dispozicion të institucioneve të trashëgimisë historike dhe kulturore të Republikës së Kosovës, që të jetë i qasshëm për hulumtim dhe studim nga studiues dhe hulumtues të ndryshëm.

Në fund, ministri Gashi theksoi se "aktivitete të ngjashme, të rëndësishme jo vetëm për institucionet relevante por edhe për gjeneratat e reja, me theks të veçantë në fushën e hulumtimit e studimit por edhe të promovimit do të kenë gjithmonë mbështetjen institucionale, në ketë rast timen dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinise dhe Sportit".

Ndërsa autori i saj, Afrim Et'hemi, tha: "Të gjithë nganjëherë jemi në peshë para një udhëkryqi dhe gjëja e parë ishte një hartë. Janë disa ekzemplarë të hartave që dikujt ndoshta i kanë shërbyer për tu orientuar në atë udhëkryq. Këtu ekzistojnë disa kujtesa të të kaluarës për një popull i cili ende sot ballafaqohet me problemin e asaj ekzistence se ku kemi qenë dhe ku jemi, kush kemi qenë e kush jemi. U ofroj mundësinë të tjerëve ta gjejnë një rrugë e cila mund të na drejtojë apo të na japë një mundësi se kush jemi".

Në hapjen e kësaj ekspozite, pjesëmarrës ishin edhe dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli dhe shumë profesorë të cilët koleksionin e hartave të vjetra e vlerësuan si shumë të rëndësishme dhe si një pasuri të paçmuar historike. 

 



Lajme të ngjashme