Aktivitete festive me rastin e 99-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet të Shqipërisë

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës organizuan ekspozitën fotografike dhe dokumentare “Tirana 99 vjet kryeqytet".

Tiran 99 yıl başkent resim sergisi2.jpg
Tiran 99 yıl başkent_12.jpg
Tiran 99 yıl başkent resim sergisi.jpg
eski Tiran_siyah-beyaz.jpg
Tiran 99 yıl başkent_kültürel faaliyet.jpg
Tiran 99 yıl başkent_ilir meta2.jpg

Ekspozitë për 99-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet të Shqipërisë

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës organizuan ekspozitën fotografike dhe dokumentare “Tirana 99 vjet kryeqytet”.

 

Në aktivitetin e hapjes së ekspozitës, që u organizua në mjediset e Kalasë së Tiranës, ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, si dhe studiues.

Në fjalën e tij, Veliaj tha se është shumë i lumtur teksa po e mbyllin shekullin e parë të Tiranës si kryeqytet. Sipas Veliajt, kujtimet në fotot e ekspozitës nuk janë vetëm disa foto bardhezi nga e kaluara, por janë produkt i vendimeve të një kongresi që e ktheu Tiranën në kryeqytet.

Sot është një moment që në këtë gjysmë rrugëtim të kthejmë kokën mbrapa dhe të themi sa shumë rrugë kemi bërë. Sot falë Arkivit të Shtetit në këtë vatër shumë të ngrohtë të Tiranës, ne sjellim një pjesë të historisë së Tiranës. Merrni vendime të drejta sepse vendimet e drejta dhe të mira mund të transformojnë jetë njerëzish, siç ishte vendim i Kongresit të Lushnjës për ta bërë Tiranën kryeqytet. Unë besoj shumë që në në 100 vitet e tjera të Tiranës do bëjmë do të bëjmë punë edhe më të mëdha. Tani që po flasim ne jemi duke pastruar pjesën tjetër të kalasë së Tiranës”, deklaroi Veliaj. 

Në ekspozitën fotografike dhe dokumentare “Tirana 99 vjet kryeqytet" janë ekspozuar foto dhe dokumente rreth Tiranës të periudhës pas shpalljes si kryeqytet i Shqipërisë, ndërsa do të qëndrojë e hapur një javë.

Me rastin e përvjetorit të 99-të të shpalljes së Tiranës si kryeqytetit i Shqipërisë, Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh për përkujtimin e çasteve më të rëndësishme të historisë së kryeqytetit të Shqipërisë.

Më 11 shkurt të vitit 1920, qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës u vendos me seli në Tiranë, duke e shpallur kështu zyrtarisht kryeqytet të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti veprimtarinë artistiko-kulturore tradicionale “Sofra Tiranase 2019”, që u organizua në Pallatin e Kongreseve, ku u shpalosën vlerat më të mira të kulturës dhe traditës shumëvjeçare të këngëve dhe valleve të Shqipërisë së Mesme.

Në prani të anëtarëve dhe miqve të shoqatës “Tirana”, personaliteteve të shoqërisë, artit dhe kulturës kryeqytetase, si dhe përfaqësuesve të familjeve të shquara tiranase, Presidenti Meta shprehu urimet në këtë datë të rëndësishme historike të përvjetorit të shpalljes të Tiranës si kryeqytet të Shqipërisë.

Tirana shënon këtë vit edhe 405-vjetorin e saj të themelimit si qytet. Vendimi i Kongresit të Lushnjës për shpalljen e Tiranës si kryeqytet ka qenë një vendim i gjetur dhe largpamës. Tirana ia ka dalë me sukses të luajë rolin promotor të civilizimit shqiptar. Qyteti dikur i vogël, me arkitekturë modeste është shndërruar tashmë në metropolin ambicioz dhe qendrën më të madhe ekonomike, administrative, politike, universitare, mediatike, sociale dhe kulturore të vendit”, – theksoi Meta.

Përgjatë një shekulli,- vijoi Meta,- Tirana rezulton qyteti me transformimin më të madh urban dhe njerëzor të Shqipërisë, në të cilin sukseset dhe sfidat e përparimit janë të lidhura shpesh me arritjet e mbarë vendit.

Traditat tiranase si bujaria, mikpritja dhe solidariteti njerëzor ishin faktorë që i bashkuan shqiptarët e gjithë trojeve në një diversitet kulturor të larmishëm dhe harmonik. Në këtë 99-vjetor ne përulemi me mirënjohje ndaj kontributit, historisë, mikpritjes dhe trashëgimisë kulturore të komunitetit tiranas”, – u shpreh kreu i shtetit shqiptar.

Por kush ishte kryetari i parë i Tiranës? 

Ismail Efendi Ndroqi me profesion myderriz (profesor), hoxhë, pedagog, kadi, myfti, gjuhëtar, atdhetar u zgjodh në Kongresin e Lushnjës, kryetar i Tiranës.

Ai lindi në vitin 1876, në Tiranë. Ismail Efendi Ndroqi mësimet fillestare i ndoqi në Tiranë, si edhe “Ruzhdien”, ndërsa studimet e larta në Stamboll.

Gjatë studimeve në Stamboll, Ismail Efendi Ndroqi, përveç vëmendjes në studimet fetare, ishte edhe një veprimtar në Lëvizjen Kombëtare.

Në Stamboll, në kryeqytetin e Perandorisë, ai shoqërohejme atdhetarët më të mirë të Shqipërisë, si Ismail Qemali, vëllezërit Frashëri etj.

Ismail Efendi Ndroqi ishte ndër udhëheqësit kryesor të Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare në Tiranë.

Ka qenë një nga nismëtarët kryesorë në organizimin e Kongresit të Lushnjës, 1920, ku iu vunë themelet e Shqipërisë.

Kongresi Kombëtar i Lushnjës, në rrethana të turbullta në gjithë Shqipërinë, zhvilloi punimet me 27-31 Janar 1920, ku një nga vendimet ishte edhe shpallja e Tiranës, kryeqytet i Shqipërisë.

Në Tiranë, në kryeqytetin e ri të Shqipërisë, Ismail Efendi Ndroqi shërbeu me nder si kryetar i Bashkisë nga viti 1917 deri në vitin 1922.

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme