Tiranë: “ALSAR” promovon botimin e revistës “Diturija”

Në prag të 110 vjetorit të Kongresit te Manastirit zhvillimi i konferencës shkencore me temë “Lumo Skëndo dhe themelimi i revistës Diturija”, ka mbledhur në Tiranë studiues dhe drejtues të institucioneve kulturore nga Shqipëria dhe Kosova.

Alsar Diturija.jpg
Alsar Diturija 7.jpg

Në prag të 110 vjetorit të Kongresit te Manastirit zhvillimi i konferencës shkencore me temë “Lumo Skëndo dhe themelimi i revistës Diturija”, ka mbledhur në Tiranë studiues dhe drejtues të institucioneve kulturore nga Shqipëria dhe Kosova.

Gjatë konferencës studiuesit kanë trajtuar disa aspekte, si çështjet gjuhësore në revistën "Diturija", pas Kongresit të Manastirit, roli i saj në historinë e shtypit dhe shoqërisë shqiptare dhe sfidat e botimit të saj, ndërsa pjesë e saj ishte edhe promovimi i botimit anastatik të revistës.

Kjo revistë u themelua në vitin 1909 pas punimeve të Kongresit të Manastirit, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Kryetari i Fondacionit  ALSAR, Mehdi Gurra, në fjalën përshëndetëse në aktivitet tha se Lumo Skëndo dhe “Diturija” u bënë të pandarë, teksa u plotësuan ndërsjellë.

"Emblemë e horizontit të sjellësit në jetë të saj, që parapëlqeu t’i nënshkruante punët e tij si Lumo Skëndo, revista ‘Diturija’ pati një jetë të gjatë, përgjatë dy dekadave, nga 1909-ta në 1929-n, botuar me ndërprerje, për një sërë arsyesh të kuptueshme, në Selanik, Bukuresht dhe Tiranë. Ajo i rezistoi kohës, aq sa sot është njësoj e dëshirueshme për t’u lexuar, siç i rezistoi ideatori i saj, i parë ende lakmueshëm për penën e tij frymëzuese", tha Gurra.

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Prof. Dr Persida Asllani, u shpreh në ceremoninë e hapjes se me këtë konferencë “Diturija” rikthehet së bashku me figurën e themeluesit dhe autorit të saj qendror Mit'hat Frashëri (Lumo Skëndo).

"Pjesa më thelbësore e veprës së Mid’hat Frashërit në shqip u karakterizua nga pasioni i dijes, i përcjelljes së saj sa më cilësisht te lexuesi shqiptar. Ai e kishte kuptuar që herët se dinjiteti i njeriut dhe kombit, ëndrra e lirisë lidhej tashmë pazgjidhshmërisht me diturinë pas së cilës do të mbruhej dituria identitare…”, tha Asllani.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës "Pjetër Bogdani", Fazli Gajraku, theksoi se promovimi i revistës “Diturija” dhe po ashtu një konferencë shkencore për 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit do të organizohet edhe në Prishtinë në fillim të muajt nëntor. Sipas tij, kjo formë e organizimit shkencor do të nxisë partneritete ambicioze midis bibliotekave dhe studiuesve.

Konferenca është organizuar në kuadër të kremtimeve për 110 vjetorin e Kongresit të Manastirit nga Fondacioni ALSAR, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”. Në ceremoninë e hapjes së konferencës ishin të pranishëm përfaqësues të Ambasadës së Turqisë në Tiranë, përfaqësues të Ambasadës së Kosovës në Shqipëri, studiues, historianë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme të Shqipërisë.

Pas promovimit në Shqipëri, revista “Diturija” do të promovohet në Prishtinë dhe Shkup.

 

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme